Media btitanike thekson faktin se shqiptarët kanë bërë miqësi me mafien më të rrezikshme në botë, ndërsa gazeta të tjera thonë se bandat rritën fillimisht prezencën në pikat kyçe që përdoren për shpërndarjen e kokainës, marihuanës, por edhe heroinës.
Sipas raportit të saj, pas viteve 1990, mafia shqiptare solli kokainë nga Amerika e Jugut me një çmim më të lirë dhe kjo bëri që shumë të rinj të kenë mundësi për ta blerë atë. Ekspertët shprehen se numri i përdoruesve të drogës po rritet në Angli dhe ky ves ka sjellë shtimin e numrit të vdekjeve, kryesisht tek të rinjtë dhe tek ata persona që janë përdorues ekstremë të drogës.
Britanike
Nga të dhënat e publikuar thuhet me tjerash se Britania e Madhe mban rekordin e përdorimit të drogës dhe si pasojë dëmet në shoqëri janë të shumta.
“The Guaradian” duke cituar NCA-në thekson: “Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit, vitet e fundit mafia shqiptare ka marrë kontrollin e tregut të kokainës fitimprurëse në Mbretërinë e Bashkuar me një model biznesi shumë efektiv. Duke negociuar direkt me kartelet në Amerikën Latine që prodhojnë dhe shesin drogë, mafia shqiptare ka qenë në gjendje të ofrojë një produkt më të pastër dhe më të arsyeshëm në treg”, thuhet në artikull. Çmimi i lirë i drogës dhe shoqërimi i saj me pije alkoolike ka shkaktuar shumë sëmundje tek shoqëria angleze, kryesisht tek moshat e reja.
Ata filluan të negociojnë drejtpërdrejt me kartelet kolumbiane që kontrollojnë prodhimin e kokainës. Dërgesa të mëdha u organizuan direkt nga Amerika e Jugut. Po ashtu, ekzistojnë dëshmi të konsiderueshme se jo vetëm shqiptarët punojnë me ‘Ndrangheta-n, por se ata kanë formuar aleancat më të forta dhe se mafia italiane i konsideron si të barabartë. Por cilat janë rrugët që ndjekin shqiptarët për trafikimin e drogës dhe pse kanë rritur me shifra të frikshme prezencën në portet kryesore të Europës?
Dy janë portet më të mëdha që përdoren nga shqiptarët, Rotterdam në Holandë dhe Antwerp në Belgjikë. Në porte janë 240 mijë të punësuar, një grup prej të cilëve punojnë për ‘Ndrangheta-n dhe mafien shqiptare. Këta të fundit konsiderohen si të sofistikuar, profesionalë dhe bëjnë atë që premtojnë, në bazë të kodit shqiptar të “besës”.
Ata ndjekin rrugët e zakonshme të trafikut, nëpër vende si Spanja, Italia, Belgjika dhe Holanda, falë rrugëve detare që të lidhin me të gjithë kontinentin. Mafia shqiptare është me aktive në Britani dhe Belgjike, duke importuar kokainë kryesisht nga Ekuadori, përmes porteve të Roterdamit, Antwerpit, Hamburgut dhe Bremenit.
Dikur ky port ishte i famshëm për tregtinë e diamantit, por tani Antwerp është kryeqyteti i kokainës në Europë, i kontrolluar kryesisht nga mafia shqiptare. Një hetimi mediave britanike zbuloi një vit më parë se kontrabandistët e sillnin drogën nga Ballkani dhe Turqia për të çuar drejt Britanisë. Kokaina e pastër vjen nga Kolumbia, por transportohet nga bandat shqiptare dhe italiane.
Porti i Antwerpit
Sipas “Mirror” ata fshehin disa tonë drogë në artikujt si pllakat e mermerit dhe trarët prej druri dhe anëtarët e mafias shqiptare me bazë në Antwerp pastaj e dërgojnë atë në Britani të Madhe. Një zëdhënës i portit tregon për mediat britanike se kartelet shqiptare kanë zbuluar se porti i Antwerp mund të përdoret si një derë hyrëse për në Britaninë e Madhe. “Po bëjmë çmos dhe kemi kapur një sërë ngarkesash, por nuk kemi burime për të ndaluar gjithçka”, thotë ai.
Mediat britanike shkruajnë se Antwerp kontrollohet në masë të madhe nga shqiptarët, të cilët trafikojnë drogën nga Belgjika në Southend të Anglisë , për ta shpërndarë më pas në mbarë Britaninë.
Dyshimet e para lindën pas rritjes së përdorimit të kokainës në qytet. Droga arrin të hyjë dhe të dalë nga porti falë punëtorëve nga Kolumbia, Ekuadori dhe Venezuela, të cilët po e bëjnë më të vështirë që policët belgë të bien në gjurmët e kokainës, duke hequr në kohë drogën nga kontejnerët e sapo ardhur, ose i vënë vulën e sigurisë përpara se të kontrollohen. Dogana belge kapi rreth 22 ton kokainë në tetë muajt e parë të vitit 2017, përfshirë këtu edhe tre ton kokainë në një kontienier me banane nga Kolumbia.
“Mafia shqiptare mund të përfitojë nga situata para se të transportojë shumicën e kokainës në Britani, ku ata kanë fitimin më të madh. Ata e marrin 50,000 euro për çdo kilogram kokainë në Britaninë Madhe, shkruan “The Mirror” .”Metoda më e rëndësishme e përdorur aktualisht nga bandat shqiptare për trafikimin e drogës është fshehja e kokainës në anijet e kontejnerëve detarë që vijnë në portet e shpërndarjes europiane, përpara se të zhvendosen në Britani të Madhe”, shton gazeta.
Amsterdami dhe Rotterdami
Autoritetet holandeze kanë ngritur prej kohësh alarmin se mafia shqiptare po përbën një kërcënim gjithnjë e më të madh për Holandën, pasi luan një rol të rëndësishëm në rrjetin e drogës së Amsterdamit dhe Rotterdamit. Në 2017-ën, departamenti i hetimit kriminal në Amsterdam përfundoi një hetim intensiv për një dege të madhe të një organizate kriminale shqiptare, duke arrestuar 7 të dyshuar. Falë një bashkëpunimi me autoritetet italiane, u vëzhguan rreth 100 të dyshuar shqiptarë, të cilët u kapën me armë zjarri, granata, dhjetëra kilogramë kokainë dhe shumë marihuanë.
Porti i Roterdamit
Mediat holandeze shkruajnë se shqiptarët janë të njohur për ofrimin e kokainës së cilësisë së lartë kundrejt çmimeve të mira. Ata kanë arritur të kontrollojnë një pjesë të mirë të tregut europian, pasi janë të dhunshëm ndaj çdo konkurrenti tjetër. Sipas autoriteteve holandeze, bandat shqiptare në Holandë trafikojnë kokainë, kryesisht nga Ekuadori, përmes porteve të Roterdamit, Antwerpit, Hamburgut dhe Bremenit, duke e shpërndarë atë nëpër Europën Perëndimore dhe Britaninë e Madhe.
Për shembull grupi i arrestuar operonte me mjaft saktësi dhe kishte ndërtuar ndarje të fshehta nëpër banesa e makina, me sisteme hidraulike, magnetike apo elektrike, për të fshehur drogën dhe paratë. Anëtarët organizatave shqiptare banojnë në apartamente luksoze me garazhe të mbyllura, nga të cilët ata mund të hynin në shtëpi pa ngritur dyshime.
“Fakti se Shqipëria dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian është bërë shqetësim për hetuesit, zyrën e taksave dhe bashkinë. Policia dhe Departamenti i Drejtësisë po diskutojnë mundësinë për rivendosjen e vizave Shengen për shqiptarët. Kriminelët shqiptarë martohen rregullisht me prostitutat rumune për të fituar të drejtën e qëndrimit në të gjithë Europën Perëndimor”, shkruajnë mediat ndërkombëtare.
Porti i Amsterdamit
Pas Belgjikës dhe Holandës, bandat shqiptare duket se kanë fituar terren edhe në Spanjë, sidomos në portin e Algeciras dhe Galicias, ku sasi të mëdha kokaine po hyjnë në mënyre diskrete, për t’u shpërndarë më pas në mbarë Europën. Algecira është bërë tanimë një nga pikat hyrëse kryesore të lëndëve narkotikëve në Europë.
“El Pais”, shkruan se në mesin e katër milionë kontejnerëve që mbërrijnë çdo vit në portin e Algeciras, mijëra janë me kokainë, kryesisht nga Kolumbia. Ato sillen në port kryesisht falë bandave shqiptare, të cilat fshehin kokainën mes bananeve, ose frutave të tjera ekzotike.
“Kemi venë re një ndryshim në strukturat kriminale”, deklaronte në vitin 2018 Ignacio de Lucas, një prokuror në Gjykatën e Lartë Spanjolle. “Është rritur prezenca e bandave shqiptare, falë lidhjeve të drejtpërdrejta me kultivuesit kolumbianë. Ata nuk janë mafia e mirëfilltë, por janë më tepër organizata fleksible dhe dinamike, me njerëz që vijnë dhe shkojnë, dhe kjo e ka bërë shumë të vështirë kapjen dhe mbikëqyrjen e tyre”, tha ai. Aleanca mes galicianëve dhe bandave shqiptare tërhoqi vëmendjen e autoriteteve, të cilat nisën verën e kaluar një hetim intensiv, duke arrestuar gjashtë shqiptare për shitjen e heroinës dhe kokainës. Ata u kapën me armë dhe miliona euro.
Gjatë vëzhgimit të tyre, policia zbuloi se shqiptarët morën nga furnizuesit e tyre në portin e Valencias një dërgesë prej rreth 10 kilogram heroine. Pas marrjes së kësaj dërgese të rëndësishme, grupi filloi ta shpërndante në mesin e klientëve kryesorë, duke fituar më shumë se 200,000 euro.
Sipas Javier Cortés, kreu i Shërbimit të Mbikëqyrjes Doganore të Valencias (SVA), porti i Valencias pranon më shumë se pesë milionë kontenierë në vit. “Është utopike të mendojmë se mund t’i kontrollojmë të gjithë. Por ne përpiqemi” thotë ai. Cortés shpjegon se në kontejnerët e anijes futen çanta sportive me kokainë që nxirren pa u zbuluar nga porti nga grupe të njohura si “shpëtimtarë” dhe se droga më pas u jepet bandave shqiptare për ta shpërndarë në mbarë zonën.
Porti i Vigos, Galicia
Grupet shqiptare të narkotikëve goditen thuajse çdo ditë në shtete fqinje si Greqia dhe Italia, por shumë rrallë dëgjohet që trafikantë shqiptarë të arrestohen në Turqi. Por me shpërndarjen e heroinës, bandat shqiptare duket se kanë rritur prezencën e tyre edhe në portet turke. Një rast i paprecedentë ishte ai i një gomone me 4 motorë që u nis nga Ksamili me marijuanë dhe synonte ta transportonte lëndën narkotike drejt Stambollit, por u ndal nga policia detare greke. Rasti i dytë i goditjes së një bande shqiptare erdhi më më 29 nëntor të vitit 2017, në Detin Egje, ku bandat shqiptare u përplasën me armë me policinë greke, në operacionin ku u përfshinë edhe helikopterë të flotës helene.
Por prova më konkrete e prezencës së bandave shqiptare në Turqi, do të vinte marsin e kaluar, kur u kapën më shumë se 11 shqiptarë, të cilëve iu sekuestruar 1.1 ton kanabis sativa.
Droga sapo kishte mbërritur në Turqi dhe po transportohej drejt disa depove në Milas. Lënda narkotike kishte kaluar përmes rrugëve detare nga Shqipëria, pasi grupi i trafikantëve shqiptarë përdorte brigjet për të shkarkuar drogën që e transportonte me jahte. Droga e sekuestruar kap vlerën e 5.2 milion eurove, ndërsa sipas mediave turke, baroni shqiptar i drogës, që drejtonte këtë grup të strukturuar quhet Met Kanani dhe policia zotëron prova të forta kundër tij, pasi është fotografuar në laboratorin e kanabisit. Ai u arrestua teksa mbikëqyrte ardhjen e ngarkesës përmes detit në brigjet pranë Bodrumit, ndërsa 11 shqiptarët e tjerë mbeten në paraburgim.
Operacioni erdhi pasi disa media kishin ngritur alarmin se shqiptarët kontrollojnë pjesën më të madhe të trafikut të heroinës që vjen nga Afganistani në Turqi dhe më pas transportohet për në vende të ndryshme të BE-¬së.
Stamboll
Në një reportazh të“Vice”,tregohej rruga që bën heroina nga Afganistani për të mbërritur në Britani, ndërkohë që ish drejtues policie në Turqi deklaronin se bandat shqiptare janë ato që kanë marrë në dorë kontrollin e tregtinë e heroinës në këtë vend.
“Për vite me radhë, bosët e vërtetë të tregtinë së heroinës kanë qenë turqit që jetonin në shtete të ndryshme të Europës, por tani janë grupet kriminale shqiptare që kanë marrë kontrollin e pjesës më të madhe të biznesit të heroinës në Turqi” thotë ai.
“Pas hyrjes në Turqi, çdo sasi heroine që nuk është zbuluar dhe konfiskuar vijon përgjatë rrugëve të ndryshme të kontrabandës në Evropën Perëndimore, përmes Greqisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë”, thekson “Vice”.
Sikur të mos mjaftonte kjo, trafikimi i kanabisit nga Shqipëria në portet greke për t’u shpërndarë më pas vendet e tjera të Europës arriti shifra rekord në vitet 2016-2017, periudhë në të cilën Shqipëria u kthye në burimin kryesor të furnizimit me Kanabis Sativa në Europë. Mediat greke shkruanin se në gjashtëmujorin e parë të 2017-s, shërbimet e ndjekjes kundër drogës sekuestruan 6,8 tonë kanabis me prejardhje nga Shqipëria. Ndërsa në 2016, sasia e drogës e ardhur po nga Shqipëria që u sekuestrua, ishte 8,4 tonë, shkruan GazetaSi
Portet italiane
Mediat italiane kanë ngritur prej kohësh alarmin se organizatat kriminale shqiptare që veprojnë në Itali kanë rritur aktivitetin e tyre duke lidhur aleanca me grupet mafioze më të rëndësishme që veprojnë atje. Bandat shqiptare kanë shfrytëzuar afërsinë me portet italiane, sidomos atë të Barit dhe Brindisit për transportin e marihuanës, kokainës dhe heroinës drejt vendit fqinj, për ta shpërndarë më pas në pjesën tjetër të Europës. Vlora është qyteti më i dashur nga trafikantët shqiptarë, për afërsinë e tij me bregun italian.
Nga Bari, Brindisi, apo Monopili, bandat shqiptare e transportojnë fillimist drogën në qytetet e mëdha italiane, ku kanë edhe një rrjet të sofistikuar shpërndarësish. Sipas një raporti të autoriteteve Italiane, trafikantët shqiptarë kontrollonin në 2017-ën trafikun e kokainës dhe marihuanës në Bari dhe gjithë zonën përreth tij.
Porti i Barit
“Shkrirja e karteleve shqiptare të drogës me mafian italiane ishte e panjohur më parë, pasi Shqipëria sillte në Itali vetëm kanabisin, por kohët e fundit grupet shqiptare kanë arritur të çojnë në Itali kokainë dhe heroinë. Ata janë bërë furnitorët ose grosistët e mafias me qendër në jug të Italisë, posaçërisht në Bari, Lecce, Potenza, Mattera. Shqiptarët furnizojmë me armë, drogë dhe eksplozivë sepse kanë përvojë dhe lidhje me grupet serbe e malazeze, që mbahen kryesisht nga njerëz të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit”, thuhej në disa dokumente të paraqituara në senatit italian
Sipas Drejtuesit të Prokurorisë së antimafias italiane Federico Cafiero De Raho, bandat shqiptare kanë shtrirë aktivitetin në shumë zona të Italisë, nga Jugu deri së fundi në disa pjesë të Veriut, falë dhe lidhjeve të vendosura me grupet mafioze italiane, që nga Sacra Corona Unita, te Ndrangheta, gjë që i ka lejuar atyre të përfshihen dhe në trafikun e kokainës.
Kjo gjë u bë edhe më e qartë pas arrestimit të bosit të Ndraghetas Fabio Lopez, pak pasi mori një avion nga Shqipëri në Bari, por në aeroport e prisnin agjentët.
“Krimi shqiptar ka arritur një nivel të tillë zgjerimi në territor, pikërisht për shkak të aftësisë, jo vetëm për të administruar trafiqet e veta, por edhe për të lidhur aleanca me organizatat mafioze italiane, përveçse të hyjnë dhe në ekonominë e ligjshme dhe të kenë raporte me një pjesë të politikës”, u shpreh De Raho. Për kreun e antimafias italiane është e qartë se të arrish në nivele të tilla do të thotë që kriminaliteti shqiptar nuk ka hasur në pengesa të forta në territor dhe se për disa vite, struktura të caktuara që duhet ta luftojnë nuk kanë funksionuar si duhet.
Edhe pse sasia e marihuanës që trafikohet drejt brigjeve italiane është ulur, autoritetin e vendit fqinj janë tanimë të alarmuar për trafikimin e drogave më të rënda që vijnë nga bregu shqiptar, si heroina dhe kokaina.
(BalkanWeb)