Dje, një grup zviceranësh – veterinarë, saldatorë për të hapur kafazin, shoferë dhe ekspertë të tjerë – u nisën nga Shkodra në drejtim të Zvicrës: me dy arusha. Deri më tani arushat jetonin në kafaze të një restoranti në Shkodër – në kushte jo aq të mira.
Pronari i restorantit pas bisedave me organizatën ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve «Vier Pfoten» («Katër shputat») pranoi t’i lë të lirë arinjtë. Zviceranët vendosën t’i marrin. T’i sjellin në Zvicër, në një park të ndërtuar ekstra për arusha të shpëtuara.
Në Instagram, në profilin «arosabaerenland», kureshtarët mund të përcjellin rrugëtimin e arinjve «shqiptarë» nga Shkodra në Arosa të Zvicrës. Në këtë qendër të turizmit dimëror pasanikët e Zvicrës kanë dhënë disa milionë franga për të ndërtuar një park për arusha. Një arushë tashmë është këtu. Tani do të vijnë edhe dy nga Shkodra. Do bëhen tri. Në të ardhmen mund të bëhen më shumë.
Arushat e Shkodrës sot kanë udhëtuar përmes Elbasanit drejt kufirit me Maqedoninë dhe tutje drejt Serbisë. Deri në fund të javës arinjtë pritet të mbërrijnë në Arosa. Kjo do të jetë ngjarje e madhe në Zvicër. Arushat e Shkodrës nuk kanë ende emra, do të pagëzohen në Zvicër.
Para arushave «shqiptare» në Arosa kanë arritur shqiptarë të tjerë, të vërtetë. Bardhyl Coli është drejtor i hotelit «Arosa Kulm Hotel & Alpin Spa» dhe mbështetës i nismës për sjelljen e arinjve nga Shkodra, ndërsa para pak ditësh në Arosa dha një koncert e mrekullueshmja Elina Duni, për të cilën një kritik i gazetës «NZZ am Sonntag» ka shkruar: «Këngëtarja e re shqiptaro-zvicerane e xhazit Elina Duni është një ngjarje natyrore. Zëri i saj të lë përshtypje po aq sa personaliteti i saj. Ajo mund të shpresojë për një karrierë të madhe». Elina Duni tani shtegton mes Londrës dhe Zürichut, ndërsa arushat e Shkodrës do të gjejnë qetësinë në parkun e ndërtuar për to në Arosa.
Banori i parë i qendrës për mbrojtjen e arinjve në Arosa është 13-vjeçari Napa, një ari cirku nga Serbia. Ai është çliruar nga kafazi i tij dhe është sjellë në Zvicër, ku mund të jetojë i lirë. Napa tashmë ka rënë në gjumin dimëror në Arosa dhe kjo ka gëzuar të gjithë mbështetësit e tij. Rënia në gjumë dimëror e ariut është shenjë se ariu ndihet mirë. Organizatorët e sjelljes së arinjve nga Shkodra shpresojnë se Napa do të ndihet mirë me shoqërinë e re. Napa nga Serbia peshon 350 kilogramë, ha çdo ditë 15 kilogramë fruta dhe perime dhe 3 kilogramë mish, të cilin ia sjellin mishtoret nga Arosa. Me gjasë kjo perspektivë i pret edhe arushat nga Shkodra: mish, fruta dhe mijëra zviceranë që do të vijnë për t’i parë kafshët e egra.
Gjatë verës në Arosa pritet të vijnë shqiptarë të tjerë. Dy apo tre, thotë Bardhyl Coli duke buzëqeshur. Do të vijnë djem të rinj për të mësuar zanatin e kamerierit në njërin prej hoteleve më të mira të Zvicrës. Një nismë e qëlluar. Shqipëria vërtet ka nevojë urgjente për kamerierë të kualifikuar, të tillë që dinë të shërbejnë dhe nuk të shikojnë si zaptues të lokalit. Deri atëherë edhe arushat e Shkodrës do të integrohen në parkun e Arosas. Deri atëherë do të shtojnë mjaft peshë nga ushqimi i mirë që do t’u shërbehet.
https://www.facebook.com/4PFOTEN/videos/2223551937898977/?t=0
Deri atëherë arushat shkodrane me siguri do të arrijnë një marrëveshje paqësore me arushën nga Serbia – ndoshta kjo marrëveshje do të arrihet më shpejt se ajo mes presidentëve të Kosovës, Serbisë dhe kryeministrit të Shqipërisë. Deri atëherë ndoshta kryeministri i Shqipërisë do të aterrojë në Zürich me avionin e kompanisë «Air Albania», me atë avionin që e pagëzuan me emrin «Lasgushi». Është njoftuar se «Air Albania» ka filluar punën në shtator 2018. Por, punët tona ecin ngadalë, nganjëherë vetëm nisen dhe nuk përfundojnë kurrë. Para se të fluturojë «Air Albania» ka gjasa që në hava do të ngjiten arushat e Shkodrës.
https://www.facebook.com/arosabaerenland/videos/2182436618662347/?t=0