E gjithë zona e Selitës është ende e shokuar nga ngjarja që ndodhi sot në mes të ditës ku u vra një 50-vjeçar, ish-efektiv policie.
Nën zë banorët pëshpërisin dhe aludojnë se çfarë mund të kishte ndodhur nëse në rrugë, përveç viktimës, 50-vjeçarit Arben Bilali do kishte dhe njerëz të tjerë, apo fëmijë.
Ndërkohë detaje të reja zbulohen për autorët e vrasjes. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor se 50-vjeçari është qëlluar nga një “Benz” i zi me automatik.
Ka dyshime se viktima ka qenë duke ecur, nisur nga plumbat e shumtë që ka marrë në trup, por ende nuk është ndërtuar skena e vrasjes.
Ndërkohë në vend që janë gjetur dhe shumë gëzhoja. Grupi hetimor ka shpresa se mund të nxjerrë shenja në gëzhojat e mbetura por dhe nga identifikimi i makinës.
Ndërkaq gazetarja Bezat, bëri me dije se bashkëshortja e 50-vjeçarit është efektive policie, me rol drejtues në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Ngjarja ndodhi sot rreth orës 14:35, ndërsa Arben Bilali ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve. 50-vjeçari i është bërë atentat edhe në maj të vitit 2010, por në gusht të vitit 2010 i vranë vëllain Leonard Bilali në të njëjtin vend ku ai u ekzekutua sot./Balkanweb