Cakaj në Bukuresht: Vendet e BE, vlerësime pozitive në procesin e hapjes së negociatave

Në kuadër të presidencës rumune të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, u mbajt në Bukuresht takimi dyditor i ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe vendeve kandidate.

Nga ky takim u rikonfirmua edhe një herë mbështetja për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit europian. I pranishëm në këtë takim, ministri në detyrë Gent Cakaj evidentoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë në kuadër të reformave integruese.

“Vlen të theksohet se Shqipëria ka marrë një vlerësim për faktin që politika e saj e jashtme është në përputhshmëri të plotë me parimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian. Ky takim ofroi edhe një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e një vargu takimesh bilaterale me homologët e vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian, me ç’rast patëm mundësinë të komunikojmë rezultatet kryesore të reformave të arritura në Shqipëri dhe natyrisht, domosdoshmërinë e hapjes së negociatave në qershorin e këtij viti. Procesi i zgjerimit vazhdon të mbetet një prej prioriteteve qendrore të presidencës rumune dhe përgjatë të gjitha takimeve që kemi pasur me homologët e Bashkimit Europian, kemi marrë një vlerësim jashtëzakonisht pozitiv për ecurinë e deritanishme të procesit të hapjes së negociatave për anëtarësim,” u shpreh zoti Cakaj.

Cakaj pohoi se edhe puna e deritanishme Shqipërisë me procesin screening ka marrë vlerësime pozitive.

“Kemi diskutuar për ecurinë e procesit të screening, me ç’rast kemi marrë një notë skajshmërisht pozitive për veprimtarinë e deritashme të institucioneve të Shqipërisë në procesin e përafrimit të legjislacionit dhe në fund po ashtu kemi diskutuar për domosdoshmërinë e thellimit të komunikimit politik për të arritur objektivin e synuar për hapjen e negociatave për anëtarësim në vitin 2019,” deklaroi Cakaj.

Ministri Cakaj zhvilloi disa takime të rëndësishme, mes të cilëve, ai me ministrin rumun të Shtetit për Çështjet Evropiane George Ciamba, me Kryetarin e Komisionit të Senatit për Politikën e Jashtme Cristian Dumitrescu dhe Zëvendës Presidentin e Dhomës së Deputetëve dhe Zëvendës Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme të Dhomës së Deputetëve Ben-Oni Ardelean./atsh/

Loading...