Protesta e 16 shkurtit e opozitës ka qenë në fokus të monologut të kësaj të premteje nga Mustafa Nano në emisionin “Provokacija”.
Monologu i plotë
Lulzim Basha ka dalë nëpër Shqipëri për të mobilizuar njerëzit e për t’i bërë ata të vijnë në Tiranë më 16 shkurt, për të protestuar para kryeministrisë. Dhe një nga premtimet që po bën Basha, nëpërmjet të cilit don t’u mbushë mendjen njerëzve që të marrin pjesë pjesë në këtë protestë, është premtimi për rrëzimin e Ramës.
“Më 16 shkurt pastrojmë politikën nga krimi, zgjidhim kontratën me bandën që na qeveris, shkurt rrëzojmë Ramën”, u tha ai kavajsëve. Por edhe me shkodranët, banorët e Astirit, etj, foli me të njëjtën gjuhë. Edhe dje në parlament, ai përsëriti se “më 16 shkurt, Edi Rama do të shkulet nga karrikja e kryeministrit”.
Nuk është hera e parë që dëgjohen këto premtime. Në përgjithësi, çdo opozitë ka treguar se veç këtë avaz di të këndojë. Me sa duket, nuk njohin mënyrë tjetër për të motivuar militantët e tyre, të cilët nuk kënaqen me asgjë tjetër, përveçse me rrëzimin e qeverisë. Mirëpo, Basha është duke e tepruar me këtë zotim.
Dhe ka rrezik që e gjitha t’i shndërrohet në një boomerang, ashtu si iu shndërrua çadra në bulevard. Kështu që Basha do bënte mirë, për veten në radhë të parë, që të mos krijonte pritmëri të gabuara.
Ai do ketë nevojë sërish të organizojë protesta të tjera pas 16 shkurtit, dhe njerëzit të zhgënjyer prej faktit që Ramën nuk do ta gjejë asgjë më 16 shkurt, sepse është e sigurtë që nuk do ta gjejë gjë, do ta lënë krejt të vetëm.
Këto tridhjetë vite që kanë kaluar na kanë dhënë shumë leksione, por njëri nga leksionet, që është nxënë mirë nga të gjithë, edhe nga zgjedhësi më i pamend, është se “qeveria nuk rrëzohet me protesta”.
Qeveria rrëzohet kur ajo humbet shumicën e votave në parlament. Ose kur humbet shumicën e votave në popull. Çdo skenar tjetër për rrëzimin e qeverisë është një halluçinacion.
Dhe prandaj, e vetmja gjë që i ka mbetur të bëjë Bashës, por edhe opozitës në përgjithësi, është të përgatiten për zgjedhjet lokale, në mënyrë që të demonstrojnë se ata janë të fortë tanimë përballë qeverisë që duan të rrëzojnë. Ata mund të demonstrojnë forcë edhe nëpërmjet një proteste, dhe në këtë kuptim, kjo protestë e 16 shkurtit mund të vlejë edhe si një provë gjenerale e ngjarjes elektorale që do të vihet në skenë më 30 qershor.
Dhe kjo protestë nuk ka funksion tjetër. Mirëpo, kjo do të ishte e pavlerë edhe në këtë funksion, nëse opozita nuk bëhet gati për këto zgjedhje.
Dhe të bëhesh gati don të thotë të fillosh të deklarosh që bojkotimi i këtyre zgjedhjeve është gjëja e vetme që nuk ka për të ndodhur, është gjëja e vetme që nuk është në agjendën e opozitës.
Dhe është pikërisht kjo gjë që Basha nuk po bën. Përkundrazi, ai ka lënë të luptohet se opozita edhe mund t’i bojkotojë këto zgjedhje. Dhe kjo është mënyra më e mirë për të çmobilizuar masën e madhe të shqiptarëve që këtë qeveri nuk e duan.
Kolegët e mij gazetarë që ndihen, apo mendojnë se janë, më opozitarë sesa unë, duhet t’i bëjnë veç një apel Bashës: “Merr vendimin e madh për t’u futur në zgjedhjet lokale të qershorit, dhe fillo urgjentisht të përgatitesh për to”.
Çdo njeri që Bashës i jep një këshillë tjetër, mund ta urrejë këtë qeveri, dhe kjo është ok, por është e sigurtë që nuk i do të mirën opozitës. Nëse nuk ka një dërrasë mangët. Sepse nuk ka se si të jetë ndryshe dikush që i thotë opozitës se e vetmja mënyrë për të fituar është të mos marrë pjesë në zgjedhje. Boh!