Iku Vaçja madhështore,
ai zë kristali,
iku Nailja-Fitneti,
dhe Mentor Xhemali.
Na ikën ato legjenda,
që këngën e ndritën,
ato maja madhështore,
kurrë s’u arritën!
Mbetën emra të pavdekshëm,
që kurrë s’harrohen,
po perlat e tyre sot,
gjëkund s’transmetohen!
Kam edhe emra të tjerë,
si qershi mbi tortë,
zëra magjikë që janë mbyllur,
në një kasafortë!
Sekretin që s’transmetohen,
nuk e di veç unë,
se “këngëve” që bëhen sot,
do tu hapnin punë!
Sot këngët s’dalin nga shpirti,
dalin nga fabrika,
po si mund të quhen këngë,
kur mungon muzika?!
Kënga s’mund të quhet këngë,
kur s’ka melodi,
ndaj dhe Vaçen sot e fshehin,
nga brezi i ri.
Duan që brezi i ri,
mos e mësojë kurrë,
se u bë një art i madh,
ndënë diktaturë.
Se u bë një art i madh,
ndënë diktaturë,
e sot shumica e këngëve,
janë karikaturë!
Shoh në skenë si shfryhen dufet,
s’merret vesh një fjalë,
të shkretat ekrane mbushen,
me bythë e me shalë!
Mua më ndjellin pa fund,
vetëm neveri,
kur këto këngët “moderne”,
kthehen në orgji!
Hiq nja pesë a gjashtë që janë,
ende në traditë,
të tjerët s’i shikon dot,
se të dhëmbin sytë!
Gjithë klipet konceptohen,
vetëm në një prizëm,
është e sigurt që do shohësh,
seks edhe striptizëm!
Banalitete pa fund,
që pa fjalë të lënë,
s’e kuptoj-pse pullë të kuqe,
klipeve s’u vënë?!
Them se do jenë kalimtare,
të gjatë se kanë ditën,
se është mision i pamundur,
të prishësh traditën!
Do vijë dita që s’do thonë,
ishte se ç’na ishte,
se labi ngrihet nga varri,
nga një pogonishte!
Kush kërkon të stilizojë,
këngën popullore,
është njëlloj që një kështjellë,
ta kthesh në kasolle!
Nuk është kjo një pemë me kokrra,
që me gurë e gjuaj,
unë kam lënë shpirtin në këngë,
ndaj për këngën vuaj!