Një “kohë e urie”, për shpirtin varfanjak, ndihej për këngën qytetare vlonjate.
Ishte llohë dimri, diku në vitet 70.
Gjithsesi nuk kishte shumë rëndësi stina. Rëndësi përbënte fakti që këngën popullore shqiptare lindi trioja vlonjate, një grup solid, me zëra harmonikë, një grup brilant që bëri epokë.
Protagonistët e tij ishin Meliha Doda, Konstandin Thana, Reshat Osmani. Për specialistët triot nuk vijnë shpesh, ato janë si punë pyllnajash, vijnë e sjellin ndriçimin e tyre e më pas zhduken, duke lënë shkëlqimin pas.
35 vjet më parë
Kështu, 35 vite më parë, nën grinë e qytetit detar, nën erën e jodit, por pa e ndryshuar grafikën e ekzistencës së tij, u ngjiz një grup muzikor, i vetmi me tre pjesëmarrës të zgjedhur. Ishte trio vlonjate, lindur mes lotëve, melodive dhe poezisë së bukurisë. Tre emra të një grupi si trio vlonjate, Meliha, Konstandin, Reshat. Në një segmentim të këtij grupi gjen dy zëra burri dhe të një zë femre.
Një kombinim i gjetur lehtësisht në tabanin e popullit, në folkun lab. Mbi këtë gjurmë u muar referimi rreth një pike të vetme. Trioja vlonjate erdhi, jetoi ndoshta mbi 30 vjet, rrugë e ngjeshur.
U shfaq si vegim boreal tek ne, por ende e pazbuluar mbetet qëndrushmëria e këngëve të tij, këngët e të cilit po bëhen burim në këtë kohë për këngëtarët e rinj.
Konstelacioni i yjeve këngëtarë
Në morinë e yjeve këngëtarë popullorë, këngëtaren Meliha Doda, pa frikë do ta quaja një yll të ndritshëm, një rubin i çmuar i trios vlonjate. Meliha Doda është e vemtja artiste e këtij grupi artistik popullor qytetar që gjëndet në qytetin e saj. Reshati, artisti dhe kompozitori i këtij grupi të veçantë është shuar kohë më parë. Ndërsa Konstandini, thonë se është jashtë, në mërgim. Meli, siç e thërrasin ”bukurinë e këngëve vlonjate”, ruan po atë timbër zëri si në rininë e këngëve të saj.
Melihaja është këngëtarja e këngës hymn të Vlorës ”Aromë portokalli”, melodinë e saj dikur e dëgjoje aksioneve të rinisë në shpyllëzimet masive, në hekurudhat kur hapej trase më e re e ndonjë udhe hekuri, tek gjimnazistët që thurnin vargëzime dashurie përmbi tekstin e saj: “Ngrije kokën lartë moj se më mori malli/vinte gusha jote moj aromë portokalli…Në të vërtetë ishte një këngë lirike.
Përmbante vargje të thjeshtë, dhe një melodi të kapshme shpejt: “Nën portokalle moj, ç’të ndala unë ty/lulet e limonit moj, ç’të binin në sy…” Në dasma, përpara vellos së nuses, gjitonia i këndonte, dashurisë ndërsa dhomëzat e vogla mbusheshin me tingujt e këngës. Me këtë këngë fillonte, përvijonte, mbyllej një dasmë këtu në jug, në shtëpitë qytetare,por edhe sot është pikërisht kështu.
Kënga e shtegtarëve të panjohur
Ka një aksiomë të hershme, që thotë,kur u linda unë se pyeta botën,ose …etj, etj,etj. Por Meliha e rrëfen,disi më ndryshe :”Kam ardhur në jetë në kryeqytetin e vendit. Jam lindur në 1933, në Tiranë. Origjina ime vjen nga Kosova. Nga qyteti, ku formua lidhja e dëgjuar e shqiptarëve në Prizren. Prindërit e mi kanë zbritur nga Kosova aty rreth viteve ’30. Kemi banuar në Tiranë, ku kemi pasur një shtëpi. Nëna ishte një malësore fisnike nga Dibra e Madhe, nga fisi Shehrit. Gërmat e para të shqipes i kam mësuar tek shkolla ”Avni Rustemi”. Atëherë ishte një sistem 7-vjeçare. Deri në vitin e dytë të 7-vjeçares qëndrova në Tiranë. Babai im antifashist, i tronditur nga dhimbja e pushtimit të vendit, së bashku me xhaxhanë i internuan gjermanët. Xhaxhai im, Xhevdet Doda, është dëshmor i atdheut, i cili nuk u shpëtoi dot tmerreve të kampeve të përqëndrimit nazist. Nga ai ferr i çmendur shpëtoi gjallë vetëm im atë. Babai shkoi në Kosovë. Mbasi Shqipëria u prish me Jugosllavinë, ku gjendeshin padrejtësisht trojet e shqiptarëve, pas ”kirurgjisë së pamëshirshme” të fillimshekullit, babai shkoi andej, ne mbetëm këtej, unë dhe nëna ime. Është e vështirë të përshkruash një dhimbje të dyfishtë. Të vetmit, që u bënë strehë ishin njerëzit tanë në Tiranë, por edhe aty gjërat shpejt do të ndryshonin. Tashmë koncepti i lëvizjes shoqërore prek fëmijërinë time. Aty rreth viteve ’47,të afërmit tanë, xhaxhai, dajot i nxorën nga kryeqyteti si familje të mëdha tregtare, duke i larguar për të mos u kthyer dot më. Më nënën shkuam në Shkodër, kishim një mbështetje. Aty përfundova të mesmen tek ”Shejnaze Juka”. Në 1952 mora emërimin në viset jugore. Isha e tmerruar, ndërsa kthenim nëpër duart fletët. Atje lexohej: mësuese fshati në Piqeras. Nuk e di as sot ku bie, por e di, që është në bregdetin e Sarandës. Ndihej po aq e dëshpëruar edhe nëna ime. Rrugëtimi u krye, por ne ”ngecëm” në Vlorë, në gjysmë të rrugës. Qyteti jugor u bë pas kësaj streha ime e përhershme. Ishte viti 1952. Në këto rrethana qytetin me aromën e portokajve, e njoha. Qëndrova 4 muaj pa punë.
Gdhiheshim ngryseshim të vetmuara me një kosh plaçkash në dyert e hotel ”Sazanit”. Filluam të na shfaqen vështirësitë e mëdha financiare, sepse rronim me ndihmën që na dërgonin dajallarët. Gjithë ato ditë na u kthyen në ankth. E provova se nuk ia dilnim do më. Sa për jetën, ishte shkruar të hiqnim kështu, vuajtje pa fund. Paratë po shkonin çdo ditë, ndërsa nëna ime sëmurej vazhdimisht. Nuk deshëm të shkonim më larg, të paktën në ato rrethana, që gjendeshin. Ishte një tmerr. As rastësia nuk mund të na sillte dot asgjë për momentin. Ashtu e brengosur për të mos u larguar më nga ky qytet, por duke ndjerë një fije shprese shkova tek shtëpia e kulturës. Aty, ku takova Themistokli Monen, kënga më hyri si ai i ftohti deri në thellësi të shpirtit. Përgjithësisht unë vij nga një familje muzikantësh. Halla ruante një freski për këngën. Gjyshi i binte, dajres, xhaxhai violinës, ndërsa babai mandolinës. Kjo është një vegël muzikore që përdoret në trevat e Kosovës. Por, që kur isha tek ”Shejnaze Juka”, isha evindentuar si këngëtare. Zëri më buronte të paktën pa ndalesë, ishte i kthjellët. Në Shkodër, kur isha gjimnaziste, kisha kënduar me Simon Gjonin, një kompozitor i dëgjuar nga Shkodra. Porfesor Liu arriti t’i kapë të gjitha vuajtjet dhe përjetimet e mia. Do të këndoj i thashë, sepse më duhet të jetoj. Profesor Liu më ndihmoi kur me nënën time gjendesha në pikë të hallit.
Ai u kujdes që të sistemohesha mësuese tek shkolla ”1 Maji”. Isha 19 vjeç dhe sido dhe çfarëdo që këndoja, ndonëse me një brishtësi çupëline, më afruan në këtë qytet. Punova si mësues tek shkolla Nr.1, 2. Gjatë kësaj kohe jam aktivizuar shumë. Zëri ishte kristalizuar. Më ofruan vend në ditën, që estrada e qytetit u formua.
Kjo ishte edhe familja ime e parë. Ndiheshim të çliruar brenda bërthamës së parë. Estrada e Vlorë u formua me 15 vetë. Me mundim dhe këmbëngulje artistësh, M. Ferra, G. Vishi, V. Panozaqi, P. Sava, E. Shtrepi, M. Lako, bënë një estradë që t’i ndihet zëri shumë, por jo vetëm brenda këtij qyteti.
Krijesa e papërsëritshme popullore-trio vlonjate
Identifikuar në këtë qytet, në muzikën e tij qytetare. A se keni dëgjuar trion e famshme vlonjate,trion e Konstadinit, Melihas; dhe Reshatit?Ishte një formë e të kënduarit prej tre vetësh,lebrëit kur bëheshin tre këndonin,ndryshe s’kishin ç’të bënin. Dukati nxori një mënyrë të kënduari me trio polifonike. Kjo traditë që është gjurmuar nga Themistokliu, ndoshat i ka rënë në vesh në fshatrat e Labërisë burimi mbetet i paidentifikuar, mënyrën më të mirë ,të thjeshtë ,të shkurtër, pra konçize të këngës qytetare prej tre vetësh që do të sillte në skenë suksesin dhe ndoshta kjo ka qenë edhe një mënyrë për të provuar ,mënyrë që do të rezultonte për kohën ngjitja në lartësi të paarritshme dhe të padiskutueshme muzikore. Rrëfimi për gjetjen e kësaj mënyre Meliha e ka bërë kështu:
“Th. Mone me dimensionet e një artisti, me sytë, me mendjen në skenë, nxori “Dasmën vlonjate”.
Ishte kënga e të gjitha zonave si Kanina, Lumi i Vlorës, “Birbili”. Mbas “Dasmës vlonjate” u pikëzua grupi. Treshja ishte Reshat Osmani, Kostandin Thana dhe unë. Trioja vlonjate u ndërtua e atillë, 2 burra ishin marrësi dhe një lloj hedhësi të këngës, unë isha zëri i gruas. Pra, ishte një formë e këngës popullore me konture të grupit lab. Trioja vlonjate ishte forma e parë në atë kohë. Pas nesh nxori Gjirokastra dhe Lushnja. Trioja vlonjate në ditën e saj të formimit përbëhej nga mosha më e re e këngës. Reshati ishte 25 vjeç, Kostandini 26, unë 22 vjeçe
Përkarshi nektarit të hënës
E kanë pikasur në ëndrrën e thellë. Përveçse kanë zgjuar dëshirën për tu bërë të famshme. Lotin e fundit e kanë ndjerë në shpirt. Thellësisht kanë lëshuar britmën: ”Jam bërë e famshme!”.Kanë ecur nëpër ”monopatin e vështirë” të trios,zërin e tyre,këngët e tyre i kanë marrë, për të arrirë lartësitë e trios. Kanë ndjerë ,zemra të lodhura, ëndrra të netëve të këqia. Por ka vijuar rrugëtimin i tyre,këmbëngulës dhe i çuditshëm. Shpirti i saj i lodhur mundi ti afrohej,por përveçse oqeanin e lotëve të saj,trio ishte në kaq distancë, në ç’largësi. Ka përvijuar një traditë në muzikën qyetare të Vlorës ku këngëtarët, që erdhën pas trios u munduan të përvetësonin embrionin e trios, por rrënjët e saj tashmë ndjeheshin të thara. Një grup këngëtarësh sipas kohës Kleopatrën, Milika, Anita e shuar në Amerikë tragjikisht, Ludmilla, Aurela por dhe së fundi brezi i vajzave e çupave të këtij qyteti, që janë futur disi ndryshe tek trubofolku, si Poni, një emër i shkurtëzuar, Mariola guxoi t’u merrte një grupi folku “Gollovarin” e rrëmbeu paksa, vetes i tha “Fluturo me mua”, Silva me “plaku me plakën ç’u zunë”, bëjnë rrugëtimin e tyre për të gjetur pakëz vend tek piedestali i Melihas, por me cd në dorë një ditë, larg çdo përfytyrimi koha do t’i gjejë në harresë. Askush, të paktën deri më sot, nuk e ka zënë dot vendin e trios vlonjate dhe piedestalin e këngëtares popullore Meliha Doda. Trio vonjate dhe Meliha janë të papërsëritshme.
Gezim Llojdia