Seanca dëgjimore për Prelën u mbajt më 22 janar 2019 nga trupi gjykues i përbërë nga Roland Ilia, Olsi Komisi dhe Valbona Sanxhaktari.
Vendimi pritej të jepej më 29 janar, por u shty, për në 5 shkurt, për shkak të pikëpyetjeve që lindën për pasurinë e Prelës dhe të bashkëshortit të saj.
KPK deklaroi më herët se Donika Prela ka probleme me deklaratën e pasurisë. Bazuar në raportin e ILDKPKI, Donika Prela ka një mosdeklarim të huamarrjes në shumën e 1 milion lekëve, e cila është vlera e blerjes së një toke arë, e cila është e dyshimtë, pasi zona është në zhvillim.
Gjithashtu sipas KPK, janë hasur probleme në të ardhurat e bashkëshortit të saj në vitet 2003 dhe 2005 pasi nuk ka pasur kontratë punë. Pagat janë paguar në cash, por nuk janë paguar sigurimet. Bashkëshorti i Prelës ka punuar tek kompania Bruci shpk si inxhinier por pa kontratë.
Gjatë seancës dëgjimore të Prelës ka qenë i pranishëm edhe përfaqësuesi i ONM-së Theo Jacobs i cili e ka vënë në siklet prokuroren sa i takon të ardhurave të bashkëshortit të saj i cili rezulton se është paguar me para cash.
(shqiperiaime)