Komisioni i Vettingut jep vendimin e madh për Donika Prelën

-Komisioni i Pavarur i Kualifikimi ka konfirmuar sot në detyrë drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela u përball me Vetting-un me 22 janar, sa i përket ligjshmërisë së pasurisë, kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Drejtuesi i seancës, Roland Ilia, sqaroi se “pas një denoncimi publik të përcjellë përmes medieve për këtë subjekt rivlerësimi trupi gjykues ka njoftuar me datën 28.01.2019 shtyrjen e seancës për zonjën Prela për në datën 05.02.2019 duke konsideruar të nevojshëm verifikimin e këtij denoncimi nëse kishte elementë apo indiciet e duhura për rihapjen e hetimit. Verifikimet u kryen javën që shkoi nga trupa gjykuese dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe verifikimet çuan në përfundimin se deri tani nuk ekziston asnjë indicie serioze që mund të çonte në hapje të hetimit”.

Në vijim, kryetari i trupës gjykuese Roland Ilia u shpreh se “pasi u shqyrtua i gjithë dokumentacioni dhe u zhvillua një procedurë e thellë për tre kriteret e rivlerësimit dhe pasi dëgjoj subjektin e rivlerësimit me 22 janar dhe vlerësoi të gjithë dokumentacionin shpjegues dhe provat e paraqitura e konsideron të përfunduar procesin”.

“Trupa gjykues i përbërë nga Roland Ilia kryesues i trupës gjykuese, Olsi Komici anëtare, Valbona Sanxhaktari relatore dhe me cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar, Teo Jacobs, vendosi konfirmimin në detyrë për subjektin e rivlerësimit Donika Prela” theksoi kryetari i trupës gjykuese Roland Ilia.

Prokurorja, Donika Prela ka kryer studimet për drejtësi në vitet 1995-1999 si dhe Shkollën e Magjistraturës në vitet 1999-2002. Ka punuar si prokurore pranë Prokurorisë së Durrësit prej më shumë se 15 vitesh, ku ka drejtuar edhe Task Forcën kundër krimit të organizuar apo seksionin për hetimin e krimit ekonomiko-financiar.

Në maj 2018, Prela u komandua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku e motivoi komandimin e saj me “përshpejtimin e hetimeve të çështjeve sensitive”. /atsh/

Loading...