Përfundon rehabilitimi i aksit Shkodër-Muriqan, lehtësohet trafiku

Rehabilitimi i plotë i 12 kilometrave rrugë në aksin Shkodër-Muriqan, një investim me vlerë 1.48 milionë euro, ka përfunduar tërësisht.

Kjo rrugë u rikonstruktuara në kuadër të programit të përbashkët të qeverisë me Bankën Botërore, për mirëmbajtjen me performancë të rrugëve.

Kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjes ndjekësit në rrjetin social me disa pamje nga rikonstruksioni i kësaj rruge.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga 12 kilometrat e rindërtuara tërësisht të rrugës Shkodër-Murriqan, ju uroj një ditë të mbarë”.

Ndërhyrja në aksin Shkodër-Muriqan, që nisi në shtator të 2018, parashikoi prishjen e shtresave ekzistuese asfaltike, zëvendësimin e nënshtresave në çakëll dhe stabilizant, realizimin e të gjitha shtresave të reja asfaltike në të gjithë gjatësinë e rrugës dhe vendosjen e sinjalistikës rrugore e masave të sigurisë si guardrails, vizim termoplastik, sinjalistikë vertikale/horizontale dhe ndërtim të sistemit të drenazhit.
Muriqani është një pikë që gjatë sezonit të verës ka goxha fluks dhe trafik. Me këtë ndërhyrje do të lehtësohet një pjesë e trafikut.ATSH

Loading...