Personat që qëllojnë mbi Arben Bilalin nga makina e zezë me targa të huaja, kanë qenë të maskuar.
Dy maskat e tyre dhe armët e krimit, dy automatikë të modifikuar ishin lënë në makinën që policia gjeti të braktisur në një kodër në Mjull Bathore.
Në mjet janë gjetur shenja gishtash, që policia beson se janë të atentatorëve.
Makina me targa të huaja false rezulton të jetë vjedhur në Kosovë. Këto elemente, thonë për TV Klan burime pranë grupit hetimor, do të çojnë në zbulimin e atentatorëve të ish – efektivit të policisë.
Pamjet filmike kanë ndihmuar deri tani vetëm në rindërtimin e ngjarjes.
Të gjitha provat janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore për ekzaminime të nevojshme dhe hetuesit po presin përgjigjen e të dhënave, përmes të cilave besohet se do të mund të zbardhet kjo ngjarje kriminale.
Me to ekspertët pritet të ndërtojnë profilin gjenetik të autorëve.
Për zbardhjen e ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor nga departamenti i policisë kriminale, ndërsa hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Tiranës shkruan tvklan.
Vrasja ndodhi mesditën e 30 Janarit.
Siç shihet nga filmimet, 50-vjeçari u qëllua sapo zbriti nga një mjet, disa metra larg banesës së tij. Prokuroria ka dyshime se Bilali, të cilit i janë vrarë edhe dy vëllezër, të jetë ekzekutuar për motive hakmarrje.
Kjo për shkak se familja Bilali ka patur konflikte që prej vitit 1991 me një familje në Tiranë dhe përplasja mes tyre ka sjellë viktima nga të dyja palët.