Kisha e Shën Apostujve në Hoshtevë, Zagori, është një kishë pas-bizantine e tipit bazilikal, mbuluar me një sistem harqesh, qemerësh e kësulash sferike dhe ka vlerë të veçantë në trashëgiminë tonë kulturore.
Kjo kishë tashmë është në proces rijetëzimi për tu shëndrruar në një tjetër destinacion interesant për tu eksploruar në listën e itinerarit ”Rrugët e besimit”.
Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro ka bërë me dije se ,”po punojmë në një tjetër kantier restaurimi. Kisha e Shën Apostujve në Hoshtevë të Zagorisë do t’i shpëtojë rrënimit dhe shumë shpejt pritet të jetë gati për besimtarët dhe vizitorët”.
”Punimet që kryen Instituti i Monumenteve të Kulturës kanë hyrë në një fazë tjetër. Restaurimi nuk është veç për të mbrojtur trashëgiminë, por edhe për të zhvilluar turizmin në këtë zonë. Zagoria i ka të gjitha potencialet, bukuri natyrore dhe monumente me vlera të rralla”,tha Kumbaro.
Projekti i restaurimit është hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe parashikon restaurimin e çatisë ekzistuese me rrasa guri, restaurimin e elementëve konstruktivë, instalime të reja elektrike, si dhe ndërhyrje konservuese – restauruese në pikturën murale dhe ikonostasin e drurit.ATSH