Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku ka lindur më 05 qershor 1967, në Pëllumbas, Berat.
Ka përfunduar studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficereve dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “zbulim”, në vitin 1990.
Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer Kolegjin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Tiranë, Kolegjin e Shtabeve të Bashkuara, si dhe Kolegjin e Komandës dhe Shtabit në SHBA.
Ka përfunduar studimet për master shkencor në Administrim Publik (UT), në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës, si dhe ka mbrojtur doktoratën në fushën e Mbrojtjes.
Gjeneral brigade Kollçaku ka përfunduar gjithashtu Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes, si dhe Kursin Ndërkombëtar të Oficerit për Taktikë dhe Inteligjencë në SHBA.
Në jetëshkrimin e tij të pasur akademik, ndërmjet të tjerash, përfshihet Kursi Themelor i Oficerit të Shtabit, Kursi i Forcave Speciale dhe Kursi Ekzekutiv i Sigurisë në Qendrën Marshall, në Garmisch, Gjermani.
Gjeneral brigade Kollçaku ka kryer detyra të ndryshme si: drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Monitorimit të Mbrojtjes në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, drejtor i Drejtorisë së Politikave Strategjike dhe shef kabineti i shefit të Shtabi të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Gjeneral brigade Kollçaku ka dhënë kontributin e tij ne krijimin e funksionimin e Sekretariatit te SEDM-CC, e para strukturë ndërkombëtare e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ka kryer detyra të ndryshme si oficer shtabi dhe shef sektori në drejtoritë e zbulimit, planifikimit dhe marrëdhënieve me jashtë.
Pas anëtarësimit te Shqipërisë në NATO, gjeneral brigade Kollçaku ishte ndër oficerët e parë të emëruar në shtabet e Aleancës, fillimisht si oficer shtabi dhe më vonë si drejtor i Drejtorisë së Integrim – Koordinimit PfP në SHAPE, Belgjikë.
Eksperienca e tij me trupën ka filluar si komandant toge në Batalionin e Mbështetjes të SHPFA, komandant kompanie dhe shef zbulimi në BrK dhe kulmon si komandant i Batalionit të Dytë të Këmbësorisë në Brigadën e Reagimit të Shpejtë, i vlerësuar dhe certifikuar nga NATO.
Gjeneral brigade Kollçaku ka shërbyer si Vëzhgues Ushtarak në Misionin e OKB në Gjeorgji (UNOMIG).
Gjeneral brigade Kollçaku është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake.
Gjeneral brigade Kollçaku flet rrjedhshëm gjuhën angleze.
Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë të rritur.