Forca Detare vendos dy bova ndriçuese përgjatë kufirit liqenor me Malin e Zi.

Shërbimi Hidrografik i Forcës Detare, realizoi me sukses operacionin për vendosjen e dy bovave ndriçuese në Liqenin e Shkodrës përgjatë kufirit ndërshtetëror liqenor me Malin e Zi.

Këto bova ndriçuese, pjesë e marrëveshjes midis dy vendeve për ripërcaktimin e vijës kufitare në Liqenin e Shkodrës, do të shërbejnë si pika orientimi ndërdetare në të dyja krahët e kufirit.

Realizimi i hedhjes së bovave të ujit u krye në bashkëpunim me Bazën Ajrore Farkë, të cilët vunë në dispozicion një helikopter, që realizoi uljen nga ajri të dy bovave.

Gjithashtu, në operacion u angazhuan palombarët e Qendrës së Zhytjes Pashaliman, të cilët realizuan lidhjen e bovave me spirancat prej betoni nën ujë.

Për realizimin e këtij operacioni morën pjesë gjithashtu edhe Instituti i Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake, Policia Kufitare Shkodër dhe Prefektura e Qarkut Shkodër, si dhe përfaqësues nga Mali i Zi.

Pjesë e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve është rivendosja e të 21 bovave kufitare në Liqenin e Shkodrës e ndërmjetësuar nga Ministria e Brendshme, e cila do të vijojë në faza të tjera të këtij projekti.

Loading...