“Burrat që i dolën zot atdheut” – Nga Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi

BURRAT QË I DOLËN ZOT ATDHEUT – Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi

(Në kuadër të 75 vjetorit të rënies së pesë dëshmorëve të atdheut Karafil Bello, Sami Golemi, Sefer Meta, Skënder Pepiaj, Hasan Çerepi pranë fshatit Senicë të Delvinës)

Ata ishin djem, që koha i kishte burrëruar para kohe, ishin burra që i dolën zot kombit dhe u bashkuan me formacionet luftarake partizane për lirinë e atdheut. Lufta Nacionalçlirimtare e shqiptarëve parë në thellësinë e veprimeve të saj, ishte luftë pakompromos kundër pushtuesve, luftë politike dhe revolucion çlirimtar. Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, i qëndroi besnik luftës patriotike nga fillimi e deri në çlirim. Fronti antifashist në Shqipëri dokumenton krijimin e 288 çeta, 96 batalione, 24 brigada, 8 divizione, 3 korparmata, një forcë njerëzore rreth 70 mijë luftëtarë. Ky front ka meritën se më 29 Nëntor 1944 i solli lirinë përfundimisht Shqipërisë së robëruar dhe rimëkëmbi pavarësinë e Atdheut.

Gjatë LANÇ-it, që me të drejtë ky vit quhet viti i 75 vjetorit të çlirimit Shqipëria me luftën e saj hyri në histori. Në këndshikimin e pas treçerek shekulli, kanë ndryshuar rrënjësisht faktorët historikë që vepronin në rrafshin kombëtar. Shqiptarët sipas rrethanave historike para 75 vjetësh kishin detyrën patriotike për të rrëmbyer armët kundër okupatorit të huaj. Fondi i dokumentacionit historik është disa herë më i pasur se në vitet e luftës, që vijnë edhe nga institucione arkivore aleate dhe kundërshtare të saj. Edhe pse ka gati një çerekshekulli që debatet e hapta ndërmjet rrymave të djathta dhe të majta mbi vlerat e LANÇ-it vazhdojnë shkenca historiografike epokën e luftës partizane e ka pikë reference historike që ballafaqon epokat.

LANÇ-i kur zhvishet nga tezat e ngjyrimet politike, ngelet pastërtisht një luftë e merituar e shqiptarëve fitimtarë të radhitur në krahun ruso-anglo-amerikan kundër bllokut të agresorëve fashistë gjermano-italo-japonezë. Është fakt se Qeveria kuislinge e Tiranës, në solidaritet të detyruar me Italinë fashiste, i shpalli luftë pa asnjë motiv më 10 qershor 1940 Anglisë e Francës, më 28 tetor 1940 Greqisë, më 6 prill 1941 Jugosllavisë, më 22 qershor 1941 Bashkimit Sovjetik, më 7 dhjetor 1941, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shqipëria u ndodh kështu pa vullnetin e saj në vorbullën e Luftës së Dytë Botërore, e detyruar nga pushtuesit italianë. Përballë këtyre fakteve forcat patriotike shqiptare, u takoi detyra të luftonin për çlirimin dhe pavarësinë e vendit.

Në këtë kuadër në Shqipëri lëvizja nacionalçlirimtare u rrit bindshëm dhe dukshëm. Nëse i referohemi misionarit anglez Rinald Hibbert tek libri “Fitorja e Hidhur”, në të cilin shkruhet: “Në vjeshtën e vitit 1942, veprimtaria e guerrilasve ishte bërë e gjallë në popull, në fund të këtij viti kishte rreth 2000 partizanë të organizuar në njësi, plus një numër i madh forcash territoriale ose rezerviste lokale”; më 5 qershor 1940 në Pezë u krijua çeta e parë partizane, ose “krisma e parë e Europës”, një çetë jo vetëm e para në Shqipëri por dhe në Ballkan e Evropë. Çetat u shtuan me rritme të shpejta dhe më tej vjen Konferenca e Pezës më 16 shtator 1942, në përgjigje të thirrjes për t’u bashkuar në luftë kundër pushtuesve “Pa dallim feje, krahine apo ideje”. Në trevën e Labërisë çeta ”Çerçiz Topulli” ishte ndër çetat e para, e cila ishte formuar në Fushëbardhë më 12.12.1042. Në dhjetor 1942 ishin formuar 24 çeta partizane nga jugu në veri të vendit; ndërsa në qershor 1943 arritën në 288 çeta partizane në gjithë vendin. Më tej u krijuan formacione të mëdha ushtarake duke i bashkuar çetat në batalione, krijimi i një shtabi drejtues në shkallë vendi dhe me degë nëpër zona. Deri më 10 qershor 1943 u formuan 19 batalione, të cilat deri në çlirimin e vendit u rritën deri më 96 batalione, ku mbi bazën e tyre u krijuar 24 Brigada, 8 Divizione e 3 Korparmata, që ishin organizma të mëdha operativo-strategjike, të cilat realizuan kthesënm e madhe për luftën çlirimtare.

Krahas tyre përveç forcave të rregullta partizane vepronin çetat territoriale të Vetëmbrojtjes, të cilat kur ishte nevoja mbështesnin në luftime formacionet e rregullta partizane. Forcat antifashiste shqiptare arritën në rreth 70.000 luftëtarë, që bënë që lufta e shqiptarëve në LIIB të njihej edhe nga fuqitë e mëdha të kohës Rusia, SHBA dhe Anglia. Toka shqiptare këtej dhe matanë kufirit, gjatë luftës së madhe çlirimtare u mbrujt me gjakun e dëshmorëve që lehtësish gjenden në çdo memorial e lapidar lavdie, por edhe të shkruar e treguar brez pas brezi në “Yje të pashuar”, “Kronikë e ditëve të stuhishme”, historikët e brigadave sumuese, ditare e kujtime, që janë ditarë gjaku të derdhur nga një popull luftëtar, besnik i idealit të parëve, se trualli arbëror është i shenjtë, se gjithë populli i madh e i vogël janë trashëgimtarët e Mëmëdheut.

Trualli arbëror ka nxjerrë nëpër shekuj heronj e dëshmorë që nuk u dhimbsej jeta e as gjaku përpara shënjtërisë së Atdheut e kombit. Këta djem e burra, por edhe gra e vajza trimëresha sakrifikuan rininë në emër të lirisë dhe përjetësia do t’i shoqërojë në të gjitha kohët me refrenin e njohur: “nëna ju kish rritur,/për një botë të re,/lule more trima,/që ratë për atdhe”. Flakadani i atdhetarisë në gjithë truallin tonë ka qenë gjithmonë i ndezur dhe prushi i patriotizmit gjithmonë i nxehtë. Nuk ka dëshmi më ta madhe e më solide se gjaku për atdhe. Ata ranë që të pestë në një copëz toke arbënore në shkurt-marsin e vitit 1944, atje pranë Senicës historike të nderit dhe lavdisë, të mençurisë dhe punës, të pushkës dhe të diturisë. Ata ishin një grusht burrash të një ideali, djem stërralli siç i thonë në Labëri. Ata ishin produkt i njësiteve e çetave të para antifashiste që “mbinë” anë e mbanë truallit shqiptar me një ideal madhor: “lirinë”.

Kështu ata u rregjistruan vullnetarisht dhe dolën e mbushën çetat partizane vullnetarisht, sepse “thirrja e gjakut të të parëve” është më e madhja thirrje që përjetonin brezat në veri dhe jug të vendit. Kurrë shqiptari nuk e ndau sofrën dhe shtëpinë me armikun e shkelësin e lirisë, por veç me mikun e miqtë me ata që ofronin dhe ofrojnë e shtrijnë dorën e miqësisë e vëllazërisë. Kështu është provuar shqiptari në luftra e beteja shekujve. E tillë ishte sprova e madhe edhe përgjatë LANÇ-it. Pluhuri i harresës nuk mund të mbulojë dhe as të fshihet nga kujtesa e kombit shqiptar, ajo lavdi që u shkrua me gjakun e dëshmorëve. Prandaj liria i ka rrënjët thellë në gjakun e të rënëve. Për këtë arsye poeti përcakton qartë: “…duhet të ngrenë nga balta e të rivrasin të rënët”. Ja pra aq thellë është memoria e kombit shqiptar për të rënët. Gjaku i të rënëve nuk matet as me numra e as me kile, “as me okë e as me kokë”.

Gjaku është shpagimtari më solemn i lirisë, është themeli i së vërtetës, është ideali i trupëzuar në panteonin e jetës prandaj burrat që i dolën zot vatanit meritojnë vetëm nderim. Bijtë e kombit shqiptar, të mëdhenj e të vegjël vaditën me gjak tokën arbërore në mbrojtje të vatrave të tyre. Pesë trima do të përjetësohen në një memorial lavdie në portën e parë të Labërisë, në drejtimin Fushëvërri-Senicë-Qafa e Luvadhit –Skërficë në afërsi të zonës së Senicës. Pesë dëshmorët do të jenë roje të lirisë, të tokës arbërore, buzë rrugës së re Kardhiq – Delvinë. Ata do të trupëzohen njësh me tokën e gurtë dhe të sertë, shpirtërisht të lidhur besa-besë si një gjerdan në kalanë natyrore, por edhe përjetësisht në memorien e brezave. Aktet e mëdha njerëzore i japin kuptim historisë. Historia e shqiptarëve është histori mbijetese, përpjekje titanike për të ruajtuar dhe zhvilluar identitetin kombëtar, e sakrificave të mëdha për liri dhe mëvetësi, është historia e vërtetë e këtij kombi, është historia e dëshmorëve të tij. Dhe më mirë, më drejtë, më bindshëm se gjithçka flet gjaku i dëshmorëve të kombit shqiptar, flet historia.

Karafil Bello– fushëbardhasi i lindur për komandant (Trimin e guximtarin nuk ka burg që t’i mbajë, t’i lidhë apo t’i mposhtë) (Dëshmorit të Atdheut Karafil Bello me rastin e 75 vjetorit të rënies 1944-2019)
Burri i shquar i Fushëbardhës dhe komandanti trim e sypatrembur Karafil Bello ishte lindur më 1902 në Fushëbardhë të Gjirokastrës, në lagjen Lekgjonaj ku banonin fiset Bello, Cama, Zani e Golemi. Babai i Karafilit Vehipi dhe nëna Nazo ishin njerëz të thjeshtë e punëtor. Babai ishte Fushëbardhas, ndërsa nëna nga fisi Muxharaj i fshatit Kalasë. Karafili kishte tre vëllezër dhe motrën Beraten. Ai që në moshë të re shquhej ndër shokët e tij dhe ruante karakteristikat e fisit shtatshkurtër e shpatullgjerë. Kur ishte vetëm 11 vjeç më 1913 pa sytë e tij masakrat çnjerëzore të kapitenit grek Xhavarës mbi bashkëfshatarët e tij; ndërsa një vit më vonë përjetoi luftën epope që u zhvillua në Skërficë nga 120 burrat e Fushëbardhës dhe fshatrave përreth, por edhe në imazhin e tij ngelën dhe tetë dëshmorët e Skërficës, që derdhën gjakun për atdheun.

Kënga “Qaj moj Shqipëri, Ulërij e gjorë,/Gratë e Labërisë shkojnë për në Vlorë,/Me djepe ngarkuar me foshnja në dorë..”, u ngulit fort si dëshmi tronditëse e viteve 1913-1914. Ai bëri disa klasë fillore mes sakrificash e varfërisë si çdo fëmijë i vatrave labe. Rregjimet, kohët e trazuara, taksat e prodhimeve bujqësore e blegtorale, xhelepi për kafshët e punës e prodhimit, taksa e gjakut, e pazarit, e peshëmatjes e lëndëve të ndërtimit e vështirësonin shumë jetën. Vitet kalonin dhe Karafili u burrërua para kohe. E poqën hallet. Rregjimi e përndoqi dhe burgosi trimin nga Fushëbardha, për herë të parë në demonstratën antizogiste të 16 gushtit 1932. Karafili e kishte etiketuar jetën e burgut: “Bodrum natë e bodrum ditë, na plasi kandilja sytë”.

Por kryengritja në burgun e Gjirokastrës dhe arratisja nga burgu i “7 dritareve” duke lidhur çarçafët ishin spektakolare. Kryengritja dështoi dhe pati 170 të dënuar nga të cilët 8 të vrarë e të plagosur. Në gjyq dënohet me pushkatim, që më vonë ja kthyen dënim me 101 vite burgim. Kur ju mbyllën plagët e mbyllën sërish në hapsanë (birrucë). Karafil Bello u dënua sërish në vitin 1937, në moshën 35 vjeçare dhe meqë ishte shumë hokatar e optimist thoshte: “do të rroj 136 vite. Kurt ë këm bërë 101 vite në birrucë do t’i them lamtumirë burgut”. Por ditët e lirisë do të zëvendësoheshin nga ditët e zisë së pushtimit të 7 prillit 1939. Fluturimet dhe bombardimet e aviacionit Italian nxitën revoltën shqiptare në çdo zemër shqiptare. Kështu Karafili hapur deklaronte se: “Pushtimi i Atdheut është si t’i rrëmbesh syrit dritën, dhe kur syrit i vidhet drita, errësira merr në sundim gjithcka”. Në dokumentat e luftës për burgun e Gjirokastrës thuhët se: “Karafil Bello dy herë tentoi të këpuste zinxhirët, por kishte dështuar. Midis qindra të dënuar si antirregjim i Mbretit del emëri Karafil Bello. Ishte koha kur Duçja deklaronte se: “Milionat bajonetave të mia do zënë dritën e diellit”. Spiunët italianë ju vunë pas trimit fushëbardhas Karafil Bello dhe e arrestojnë sërish në qafë të pazarit. Përsëri në burg dhe nga Gjirokastra e çojnë në Vlorë dhe më tej e internojnë në ishullin “Ventotene” me përmasa 3000 metra me 800 metra dhe në ishullin “Santo Stefano”. Këtu ishin dy fushëbardhas Kalem Golemi dhe Karafil Bello. Por për trimat dhe guximtarët nuk ka burg që t’i mbajë dhe nuk ka pushtues që t’i lidhë e t’i mposhtë. Prandaj nuk u mposht Karafili kur u mbyll në ishullin-burg bashkë me 700 kundërshtarë të Benito Musolinit.

Nga burgu-ishull italianët e sollën Karafilin në burgun e Gjirokastrës, por ai edhe në këtë skëterrë betohej: “do të luftoj deri në pikën e fundit të gjakut”. Gjenerali Ernesto Kiminelo dhe koloneli Murgio i ishin vënë pas për ta kthyer në shërbim të tyre “kokëshkëmbin” e Fushëbardhës, por trimi u arratis nga burgu. Karafili gjatë arratisjes u plagos rëndë në kockën e gjurit të këmbës së majtë, ndërsa bashkëmoshatarin e tij Zeman Xhuvanin e vranë rojet e burgut. Karafili u gjend rrufeshëm në çerdhen e trimërisë dhe kuvendeve, në manastirin 800 vjeçar të Cepos, dhe që andej në Fushëbardhë, në çetën “Çerçiz Topulli”. Shpejt do të bëhej komandant i batalionit territorial të Krahinës së Kardhiqit, komandant i batalionit të rinisë si dhe komandant i garnizonit partizan të Cepos. Me ardhjen e Karafilit në çetë, ajo u rrit nga 60 në 80 partizanë në ditën që çeta mori emrin e patriotit të madh “Çerçiz Topulli”. Karafili u takua edhe me luftëtarin e lirisë dhe vrasësin e bimbashit, Bajram Ligun-Prongjia bashkë me komisarin Gani Aloçi. Në muajt në vijim Karafili me shokët e tij, Dilaver Poçi, Adil Çarçani, Shefqet Peçi, Gani Aloçi, Riza Veipi etj, ishte sa në Çepunë, në Humelicë, Palokastër, Plesat, Mashkullorë dhe në Zhulat e Fushëbardhë. Karafil Bello ngeli organizatori kryesor i LANÇ-it në krahinë dhe pjesëmarrës në të gjitha luftimet në Cepo, Gjirokastër, Përmet, Murzinë, Delvinë, Sarandë, Rrëzomë e fshatrat e tjerë përrreth. Ai luftonte në këmbë dhe në këmbë u vra për të ngelur përjetësisht në vendin e nderit me titullin dëshmor i Atdheut.

Ai ishte dhe ngeli legjendë trimërie për Fushëbardhën, krahinën e Kardhiqit, për Labërinë, për Shqipërinë. Ai ishte atje ku njerëzit dhe mallet takoheshin. Shkëlqeu me aktivitetin e tij luftarak; ndërsa në Çukën e Kuqe, pranë Senicës u shndrua në legjendë trimërie e qëndrese. E mori plumbin në ballë në fillim të shkurtit 1944. Pas vrasjes së tij edhe kali u gjunjëzua dhe u bë rrafsh me tokën. Dajot e Karafilit e morën trupin e tij dhe e përcollën me nderimet më të larta në fshatin Kalasë. Batalioni partizan që komandonte Karafili kur shkoi dhe u inkuadrua në Grupin e Parë u emërtua: “Batalioni partizan “Karafil Bello”, që mbeti një frymëzim lirie e trimërie. Shkolla e Fushëbardhës mban emrin shkolla “Karafil Bello” dhe ka qenë menduar që përpara shkollës të vendosej dhe një bust i Karafilit, edhe pse ende i parealizuar Megjithëse kujtimi i heroit Karafil Bello nuk vdes kurrë. Karafili kishte gjithashtu tre vëllezër partizanë Bastriun, Lufton, Çerçizin dhe motrën e tyre Beratja që ishte aktiviste dhe mbështetëse e luftës. Karafil Vehip Bello është nderuar me meritë me dekoratat “Medalja e çlirimit”, “Medalja e trimërisë”, “Urdhëri i trimërisë”, “Medalja e kujtimit” etj., si dhe është shpallur “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër.

Sami Golemi – Me pushkë në dorë për lirinë e Atdheut (15.7.1907-14.3.1944)
(Dëshmorit të Atdheut Sami Golemi, me rastin e 75 vjetorit të rënies: mars-1944-mars 2019)
Sami Sejdi Golemi, ishte lindur më 15 korrik 1907 në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Rridhte nga një familje me ndjenja e kontribute patriotike e atdhetare si dhe me emër të nderuar në Fushëbardhë dhe në krahinën e Kardhiqit. Fshati i tij i lindjes Fushëbardha është kodrinor e malor, mes malesh, në lagjen e Goleme, ku dimri vjen shpejt dhe ikën vonë, ku pranvera dhe vera ia lënë vendin njëra-tjetrës pa shumë ndryshime, veç plot lule e freski në behar dhe shumë dëborë e acar në dimrin e gjatë. Jeta e detyroi që të përballej herët me vështirësitë në fushë e në mal duke e kapërcyer Qafën e Skërficës ditën e natën në borë e suferinë. Përfundoi shkollën fillore, por vuajtjet dhe hallet e kohës e mësuan të dallonte të mirën nga e keqja, padrejtësinë nga e drejta dhe kjo shpesh e revoltonte djalin e ri fushëbardhiot. Familja e tij ishte një familje e madhe. Babai i tij Sejdiu dhe nëna Nefize kishin tetë djem dhe dy vajza. Fisi I tij Golemi ishin njerëz punëtorë, të thjeshtë, të dashur e të respektueshëm në fshat e krahinë, kishin shumë miq në krahinat e Kardhiqit dhe Rrëzomës por edhe deri në Përmet, Korçë, Ersekë, Himarë, Delvinë, Vlorë e Mallakastër. Ishin njerëz zemërbardhë e mikpritës siç i thonë në Labëri, familje bukëdhënë, që rrezatonin mirësi. Familja përjetoi siç thotë populli “të zezat e ullirit” veçanërisht në përballjen me andartët grekë më 1913-1914. Viti ’14 shënon edhe dramën e ndarjes forcërisht nga gjiri i familjes së trungut të shtëpisë, babait të tij Sejdiut, i cili u dërgua në ishullin e Korfuzit me dragaminë me gjithë gjënë e gjallë. Por familja mbijetoi. Vëllai i madh i Samiut, Kasëm Golemi mbajti vëllezërinë të bashkuar si dhe në Luftën e Vlorës në 1920 ishte luftëtar me çetën e Fushëbardhës e Zhulatit dhe që kishte luftuar bashkë me Selam Musa Salarinë. Ai ka qenë anëtar i Këshillit Krahinor të krahinës së Kardhiqit deri në çlirimin e vendit. Samiu i doli zot vetes në Fushëbardhë, u burrërua para kohe dhe pas shkollës punuar në bujqësi, por më shumë në blektori, në traditën e Sinanaliajve/Goleme. Në periudhën 15.7.1927 deri 15.7.1929, kreu shërbimin ushtarak në Ushtrinë Kombëtare, në rregjimentin e Gjirokastrës, sikurse dhe bashkëmoshatarët e tij. Kjo ishte periudha “e pjekjes së djelmoshave” dhe që ishte detyrë ndaj shtetit sipas Ligjiit ushtarak “Mbi Rregullimin e Ushtrisë Kombëtare”, një ushtri me 700 oficerë, 800 nënoficerë, 7800 ushtarë, që harxhonte deri në 50 % të buxhetit të shtetit, por që nuk ishte e gatshme ta mbronte realisht vendin. Pas ushtrie Samiu më i rritur dhe i pjekur gjykonte thellë problemet e kohës mbante pranë vetes dhe i mësonte nipçet e tij si Feron, Fejzon etj,, me ta kalonte në fushat e në malet e Fushëbardhës, të Çajupit, të Malit të Gjerë, të Delvinës e deri në Bureto. Duke parë shtypjen dhe shfrytëzimin, e urreu regjimin shtypës dhe barbar të Italisë fashiste që erdhi më 7 prill 1939. Më 12 dhjetor 1942 formohet çeta ”Çerçiz Topulli” në Fushëbardhë ku, që me themelimin e saj ishte dhe Sami Golemi me bashkëmoshatarë të tij të tjerë. Ai përjetonte një rizgjim të ri të burrërisë shqiptare, kur komandant çete u caktua Dilaver Poçi, komisar Siri Çarçani, zv/komisar Gani Haloçi dhe itendent Mitat Kondi. Çeta ”Çerçiz Topulli” e formuar në Fushëbardhë ishte një ndër 288 çeta, që u krijuan gjatë LANÇ-it në të gjithë vendin. Çeta kishte në ditën e parë 27 partizanë që më vonë shkoi 40 partizanë, numër që erdhi gjithmonë në rritje. Sipas planit çeta kaloi fillimisht në Vurg të Delvinës ku u prit me dashuri nga populli. Më pas çeta kaloi në Dermish ku shkatërroi Urën e Çakallos e më pas në Theollogo për asgjësimin e postave kufitare të armikut në Zminec, në Vërvë e Leshnicë. Materialet e postave kufitare të armikut u morën nga çeta partizane. Çeta kaloi gjithashtu edhe në fshatin Kulluricë, ku hapi depot e drithit dhe u’a shpërndau fshatarëve të varfër, që bëri bujë të madhe për kohën. Në vitin 1943 çeta luftoi me italianët dhe bashkëpunëtorët e tyre në Vasjar të Tepelenës, më 11 dhe 12 qershor 1943, luftoi në Urën e Kardhiqit, në Humelicë dhe Cepo. Në 10 deri më 12 gusht 1943 çeta ku bënte pjesë Sami Golemi luftoi me milicët italianë. Në 30 dhe 31 gusht 1943 luftoi me garnizonin italian në Libohovë. Në shtator të vitit 1943 batalioni tek ura e Kardhiqit hyn në Gërhot pas kapitullimit të Italisë fashiste. Sami Golemi mori pjesë aktive në të gjitha veprimet luftarake në përbërje të formacioneve të çetave dhe batalionit territoriale dhe të rinisë. Ai u bë luftëtar shumë aktiv duke u gjendur në ballë në shumë aksione luftarake. Shokët e tij partizanë e njihnin Samiun me cilësitë më të mira, si trimërinë, zgjuarsinë, shkathtësinë dhe, për këto, ai gëzonte dashurinë dhe respektin e tyre. Një pjesë nga katër çetat e batalionit kaloi në batalionin territorial me komandant batalioni trimin Karafil Bello. Sami Golemi në batalionin territorial ishte skuadër komandant dhe me të njëjtën detyrë edhe në batalionin e rinisë. Në luftimet e Senicës së Rrëzomës tek Kodra e Kuqe, pranë qafës së Ujkut, bie heroikisht komandanti i batalionit territorial Karafil Bello në fillim të shkurtit 1944. Batalioni u riorganizua përsëri dhe në mes të marsit 1944 kalon në luftime në Senicë, Vergo, Kalasë me gjermanët si dhe bashkëpuntorët e tyre. Pararoja bie në përpjekje dhe në këtë luftë vritet Sami Golemi, Sefer Meta, Skënder Pepiu dhe Hasan Çerepi. Në të gjitha betejat tregoi guxim dhe trimëri të rrallë, gjaku i tij skuqi rrugët e gurta aq të njohura të Senicës, në përleshje fyt për fyt me fashistët gjermanë dhe tradhëtarët. Ishte një agjitator i flaktë i Luftës Nacionalçlirimtare, duke shprehur në të njëjtën kohë urrejtjen më të madhe ndaj okupatorit fashist italian dhe nazist gjerman, ku dhe ra, për të mos vdekur kurrë në luftën për çlirimin e Senicës, një fshat ngjitur me fashatin e tij të lindjes. Samiu ra në fushën e betejës duke lënë jetime vajzën një vjeçare Gurien, pa e njohur vajzën e tij dhe ngeli dëshmor i atdheut në përjetësinë e nderit të kombit. As vajza nuk e njohu dot babanë e saj, por njohu bashkëluftëtarët shokët e tij të armëve, njohu kujtimin dhe nderimin për përkushtimin heroik të babait dëshmor ndaj lirisë së Atdheut, respektin e brezave për këtë luftëtar të lirisë e kanë shoqëruar bijën e tij gjatë jetës. Ata i dolën zot Atdheut në kohë të vështira e rreziku, për lirinë dhe për të pasur shtet, prandaj nderohet e respektohet lufta e tyre, lufta e kombit shqiptar kundër nazizmit, fashizmit e bashkëpunëtorëve të tyre. Sami Golemi është shpallur “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër. Kujtimi i dëshmorit fushëbardhas Sami Golemi dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut, që dhanë jetën në lulen e rinisë do jetë i përjetshëm.

Sefer Meta – bir i Golemit kreshnik (dy dëshmorë në një derë)
(Dëshmorit të Atdheut Sefer Meta, me rastin e 75 vjetorit të rënies në mars 1944)
Ai ishte i lidhur “kokë e këmbë” me luftën. E gjithë familja e tij ishte pjesë e luftës. Frymëzues për të rrëmbyer pushkën e për të dalë malit ishte i vëllai i tij Dervish Ramo Meta edhe ky dëshmor i atdheut. Sefer Meta lindi në një familje patriotike e atdhetare me tradita më 22 mars 1916 në Golem të Kurveleshit. Prindërit e tij, babai Ramo dhe nënë Pashua ishin njerëz të thjeshtë, familje punëtore që gëzonte respektin e gjithë fshatit si njerëz që zemra u buronte mirësi e dashuri. Babai i tij Ramo Meta kishte qenë luftëtar i çetave antiandarte greke në vitet 1913-1914; ndërsa i vëllai i tij i madh kishte luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve italianë në Vlorën e flamurit më 1920. Sefer Meta kishte kryer arsimimin fillor në Golem dhe më vonë kishte qenë blektor që në moshë të vogël. Më vonë kishte shërbyer përsëri blektor me agallarët e qytetit të Delvinës, edhe pse gjithë jetën e tij e kaloi në një varfëri të madhe si gjithë vatrat labe në këtë periudhë. Me vullnetin e tij krahas bazave që kish mësuar të shkruante e të lexonte që në shkollë provoi që të lexonte me pasion dhe me vullnet gjuhën shqipe. Në Delvinë krahas punëve të rënda që bënte edhe keqtrajtohej nga agai, që e përdorte si pronën e vet në punët më të rënda edhe pse ishte një fëmijë. Shtypja nuk mundi ta duronte më Sefer Meta, i burrëruar para kohe dhe kështu që me sugjerimin e të vëllait Dervishit lë kërrabën tek shtrunga e agait të Delvinës dhe rrëmbeu pushkën dhe rreshtua me forcat partizane për lirinë e atdheut. Ai u inkuadrua në radhët e Grupit të Parë të Kurveleshit që përfshihej në Zonën e Parë Operative dhe më vonë inkuadrohet në radhët e BrVIS “Heroinë e Popullit”. Më vonë transferohet në BrXIIS me detyrën e mitralierit. Në dimrin e vitit 1943-1944 Brigada merr urdhër që të çlironte Rrëzomën e Delvinën. Djalëria e tij u kthye në burrëri dhe djaloshi ishte bërë tashmë shpatullgjerë dhe mund t’i besoheshin aksione të rëndësishme. Në të gjitha luftimet e brigadës nuk e lëshoi mitralozin nga dora. Në mesmarsin e vitit 1944 një pjesë e brigadës ndodhej e rrethuar nga forcat gjermane e bashkëpuntorët e tyre. Seferi kishte marrë për detyrë të bënte mbulimin me zjarr të tërheqjes së shokëve, por papritur një plumb e plagos për vdekje. Në ndihmë të tij shkuan partizanë të tjerë por ai mbylli sytë përfundimisht në duart e shokëve dhe aktualisht eshtrat e tij prehen në varrezat e Dëshmorëve të Gjirokastrës. Ai është shpallur “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër. Sefer Meta nuk mundi ta shikonte agimin e lirisë, as vëllai i tij që ra për atdhe dëshmor, por ideali i tyre u trashëgua në breza si ndjenjë e fuqisë dhe mbijetesës popullore, që historia e pushtimeve, poshtërimeve dhe rreziku i fashistizimit të mos përsëritet. Nderimi dhe respektimi i gjakut të të rënëve është në radhë të parë nderim dhe respektim të vlerave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si një histori faqendritur që ka ndriçuar e do të ndriçojë në të gjitha kohërat mbi Shqipërinë dhe mbi shqiptarët. Tashmë është katërcipërisht e vërtetuar se lufta e dy dëshmorëve Meta si dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut është Lufta antifashiste nacionalçlirimtare, e cila me të drejtë quhet epopeja më e lavdishme e popullit shqiptar për lirinë e çlirimin kombëtar, për ta ruajtuar unitetin e hapësirës shqiptare ahtu sikurse e kishte përcaktuar Konferenca e Londrës që më 1913.

Djali nga Progonati : “Besën për lirinë, gjakun për Atdheun”
(Dëshmorit të Atdheut Skënder Pepiaj (Pepiu) 1925–14.3.1944, me rastin e 75 vjetorit të rënies)
Nuk është e rastit që në oshëtimën 75 vjeçare të rënies së tij, djalit nga Progonati do t’i risjellim për lexuesin një thënie të tij të preferuar: “Besën për lirinë, gjakun për Atdheun”. Skënder Mato Pepiaj (Pepiu) përkujtohet e do të përkujtohet gjithmonë. Ai lindi në prillin e vitit 1925 në Progonat të Kurveleshit. Fëmininë e tij e kaloi në fshatin e lindjes dhe po në fshat mësoi edhe të shkruajë e të lexojë, mësoi këngët e bukura të Labërisë. Në mes të halleve dhe varfërisë kaloi fëmiljërinë dhe u burrërua para kohe djaloshi që ëndërronte për një jetë më të mirë edhe pse kur ishte i vogël nuk e kuptonte nga vinte i gjithë ky mjerim. Megjithatë trualli ku u lind dhe u rrit krahas qumështit të gjirit të nënë Sherosi mëkonte trimërinë, dashurinë për vendin, atdheun. Babai i tij, Matua rrezatonte mirësi dhe ruante e zbatonte zakonet e traditat e të parëve. Kështu një nga traditat që në Labëri nuk humbiste kurrë është ajo e mësimit të pushkës, sepse ajo ishte sinonim i lirisë, dhe i traditave për të qenë gjithmonë të gatshëm kundër çdo shkelësi të truallit e sinoreve të të parëve. Familja ku u lind Skënderi ishte patriotike e atdhetare e njohur në mbarë krahinën. Vitet kaluan si dhe prilli i zi i 39-tës e gjeti djaloshin progonatas në radhën e parë të antifashistëve. Pushtimi pasi shtriu kthetrat gjerësisht mbi atdheun e drobitur të shqiptarëve arrestoi dhe persekutoi çdo kundërshtar dhe rrebel ndaj fshaizmit. Kështu si shumë të tjerë djaloshi 17 vjeçar si shumë djem e burra të tjerë antifashistë dergohet në ishullin e Sazanit, në grykën e Xhenemit. Ishte i njëjti vend ku italianët e 20-tës dërguan atje rreth 1500 patriotë shqiptarë. Por rrethanat u krijuan dhe shpejt u arratais nga burgu-ishull dhe u gjend i lirë në lartësitë labe atje ku çetat e lirisë dhe batalionet kishin ndezur flakë vendin në luftën e madhe antifashiste. Skënderi i ri dhe energjik hodhi shtat në luftime. Fillimisht si korier dhe më tej në zonan e parë operative me qendër në Kuç, në batalione e brigade partizane emir i tij u bë i njohur. I ra kryq e tërthor Labërisë, mori pjesë në dhjetra e dhjetra luftime. Progonati, Lekdushi, Golemi, Kaparieli, Zhulati, Fushëbardha, Tatzati, Kalasa, Fushëvërria, etj., u bënë streha e tij përgjatë luftës. U njoh me shokë e miq dhe la emër të mirë, emrin e luftëtarit sypatrembur në beteja. Partizanët që e njohën Skënderin treguan brez pas brezi trimëritë e tij në LANÇ. Nga “Yjet e pashuar”, kësaj serie të mirënjohur shkëputëm disa pasazhe që flasin e tregojnë për atë epope që ka qenë dhe mbetet më e madhja e historisë së shqiptarëve: “Një ditë marsi të vitit 1944, në mëngjes herët forcat partizane kishin zënë kodrat përmbi Senicë, në mes të një ftohtit të hidhur. Partizanët kishin disa orë që prosnin shenjën për sulm kundër gjermanëve por dhe bashkëpuntorëve të tyre që ishin tok. Urdhëri ishte të merreshin kodrat dhe gërxhet pastaj do të sulmohej dhe çlirohej qyteti i Delvinës. Skënderi që ishte rritur në beteja kishte me vete një mortajë të vogël si dhe pushkën e tij, që nga dita e parë kur doli partizan. Pushkët filluan të “villnin” zjarr. Skënderi qëllonte me mortajën e vogël, por kur ju maruan predhat e mortajës filloi të qëllonte me pushkë, porn ë betejë e sipër plagoset në kofshën e majtë. Shokët kërkonin ta mënjanonin nga luftimet për plagën e rëndë që kishte marrë por ai me kokëfortësi qëndronte dhe luftonte.

Do të luftoj deri në fishekun e fundit, ishte betuar. Lufta ishte e gjatë atë ditë deri në mbrëmje, ndërkohë që 14 partizanë ranë në rrethim së bashku dhe me Skënderin. Me shpejtësi krijuan grupin e mbështetjes së luftimit për dalje nga rrethimi në të cilin bënte pjesë tre partizanë përfshi dhe Skënderin. Rrethimi u ça me sukses, p-artizanët e tjerë shpëtuan por Skënderin e humbën atë ditë marsi të vitit 1944, duke ngelur përjetësisht në piedestalin e dëshmorëve të kombit, në piedestalin e nderit dhe krenarisë kombëtare. Në xhepin e tij pas vrasjes i gjetën një letër që e kishte shkruar në interrnim, kur ishte në ishullin e Sazanit, por që nuk kishte mundur ta dërgonte: “Të dashur prindër! Jam shumë mirë. Ne do të fitojmë, sepse s’mbyllet zemra në kafaz. Prandaj mos u habitni si dola nga burgu (kafazi) i Sazanit. Ju përqafoj me mall. Biri juaj Skënderi”. Skënder Mato Pepiaj (Pepiu) është shpallur “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 44 datë 3.8.1971 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Tepelenë.
Për Zhulatin dhe Labërinë të lirë nga çizmja e pushtimit

(Dëshmorit të Atdheut Hasan Salih Çerepi 1927-14.3.1944 me rastin e 75 vjetorit të rënies)
Hasan Çerepi lindi në një familje me traditav me rrenjë të Zhulatit historik në vitin 1927. Traditat familjare dhe luftarake të fshatit Zhulat janë të mëdha. Fshatrat Fushëbardhë e Zhulat punonin bashkë, luftonin bashkë, dhe e mbronin vatrat e tyre bashkë. Bashkë ishin në kuvendet në Senicë, në Rrepet e Agait në Taroninë, në Cepo, në Shtëpëz dhe në çdo aktivitet tjetër atdhetar e patriotik. Arsimi fillor që mori Hasani nuk ishte i mjaftueshëm, por të tilla ishin rrethanat e kohës. Ai kishte lindur në një fshat me tradita të thella luftarake që të parët e tij të fisit Çerepi dhe të fiseve të tjera kishin luftuar në 1847 në luftën antitanzimat, në luftën kundër osmanëve me Zenel Gjolekën në Mal të Zi, në Manastir, Janinë, në Lëkurës, Delvinë, lufta antiandarte, e deri në LANÇ-in, ku gjaku u derdh lumë për mëmëdhenë. Pushtimin fashist të 7 prillit 1939, si i gjithë fshatrat e Labërisë edhe Hasani e priti me urrejtje dhe kundërshtim të hapur.

Në Zhulat, Fushëbardhë dhe gjithë krahinën, lajmi i pushtimit u përhap si rrufeja. Në këtë luftë u përfshi mbarë botën e qytetëruar, dhe nga fitorja e saj varet ekzistenca e kombit, prandaj përbashkimi i forcave mendore, shpirtërore e fizike, ishte në nderin e çdo shqiptari. Prandaj Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar për çlirim kombëtar dhe lirinë ishte dhe ngeli sa heroike aq edhe e rëndësisë së veçantë. Hasani djali i Zhulatit, që doli partizan që 16 vjeç, duke qenë ndër djemtë më aktivë të njësitit të fshatit Zhulat si dhe më gjerë të krahinës së Kardhiqit. U lidh me lëvizjen nacionalçlirimtare sikundër edhe shokët e tij, Hamit Pula, Axhem Çela, Qemal Shabani, Hasan Çela etj., që janë sot dëshmorë të Zhulatit, Labërisë dhe të të gjithë Shqipërisë. Ai u betua se: “armën e hodha supit për Zhulatin tim dhe për Labërinë që të rrojë e lirë nga çizmja e pushtimit fashist”. Me idealin e lirisë luftoi trimërisht në të gjithë betejat për çlirim në jug të vendit, në Cepo dhe te Ura e Kardhiqit, në Gjirokastër e në Libohovë, në Lunxhëri dhe në zonën e krahinës së Rrëzomës e Delvinës. Por kur forcat partizane luftonin për marrjen e lartësive pranë fshatit Senicë të Delvinës në përleshje me forcat gjermane dhe bashkëpuntorët e tyre ra në krye të detyrës në një ndër sulmet për marrjen e fshatit Senicë duke ngelur përjetësisht në këngët, në kujtimet e popullit, në memorialët e lirisë dhe çlirimit të atdheut. Hasani ishte pjesë e armatës së luftëtarëve për çlirim, pjesë vitale e LANÇ-it, ku tashmë është katërcipërisht e vërtetuar dhe e gjithëpranuar se: “Partizanët dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare i siguroi çlirimin dhe pavarësinë e vendit”. Gjaku i Hasan Çerepit dhe bijëve dhe bijave të tjerë të Shqipërisë i sollën vendit lirinë dhe e integruan atë mes kombeve më të civilizuara dhe më dinjitoz të Europës dhe botës. Hasan Çerepi ishte pjesë e luftëtarëve shqiptarë, që sollën në skenën e historisë europiane vlerat e tyre të larta, që populli shqiptar shpalosi përmes LANÇ-it që ka qenë dhe do të mbetet në jetë të jetëve, një nga faqet më të shkëlqyera që shkruan shqiptarët me luftën partizane në mes të shekullit të kaluar.

Dëshmori Hasan Çerepi nuk ka pasur fotografi, por mjeshtri piktor Kosta Raka duke mësuar në detaje jetën e tij përmes një analize të detajuar të fotografisë së babait të Hasanit, realizoi mjeshtërisht skicë-foton e dëshmorit me tipare origjinale të fytyrës së të atit në 75 vjetorin e rënies së tij. Gjaku i djaloshit zhulatas vadit ende pemën e lirisë së kombit tonë. Ai tashmë ka hyrë në memorien e fshatit, krahinës, Labërisë dhe kombit shqiptar. Hasan Çerepi është “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër, shkolla e Zhulatit mban emrin e tij dhe eshtrat prehen në varrezat e dëshmorëve.

Bibliografia:

 Seria e librit, “Yje të pashuar”, Tiranë, 1968 e deri më 2016; sipas Resul Bedo.
 Historikët e Brigadave sulmuese (sipas origjinalit që gjenden në Dep. Historisë, FSM, AFA).
 DPASH dhe AQFA-së, Fonde dokumentare të LANÇ-it, 1943-1944.
 Georges Castellan, “Historia e Ballkanit”, Tiranë, 1991.
 Rinald Hibbert, “Fitorja e Hidhur”, Tiranë, 1999.
 Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Dëshmorët e Atdheut, Tiranë, 2012.
 Zaho Golemi, Buletini arkivor ushtarak, Botim i AQFA-së, Tiranë, 2011.
 Muzeumet e fshatrave Fushëbardhë, Zhulat, Golem, Progonat 1969 deri më 1992.
 Historikët që gjenden në Muzeun kombëtar të luftës në qytetin e Gjirokastrës.
 Të dhëna të publikuara nga ish-partizanë të formacioneve luftarake ku bënin pjesë dëshmorët.
 Të dhëna të shtypit periodik dhe organe të shtypit të përditshëm.
 Gazetat “Luftëtari”, Revista “Mbrojtja”, “Për mbrojtjen e Atdheut”, “Revista Ushtarake” etj.
 Të dhëna dokumentare nga Organizata e Dëshmorëve të LANÇ, Tiranë, 2018.
 Të dhënat dokumentare dhe të trashëgimisë gojore të familjeve të dëshmorëve.

Loading...