Një valle që ngre në qiell burrat e burrneshat në Kosovë është edhe vallja e mrekullueshme e Shotës.
Kjo valle është njëra ndër vallet e cila luhet, por edhe këndohet jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Bosnjë, Serbi, Kroaci, Maqedoni, Turqi, Bullgari e madje edhe në Greqi, jo vetëm te arvanitasit.
Mund të themi me gojën plot se kjo është e vetmja valle që ka depërtuar edhe në muzikën serbe, ndërsa në muzikën boshnjake është po aq e mbase edhe më e përhapur se te ne.
Nuk e saktësojmë dot kohën kur është luajtur për herë të parë në Shqipëri, por e dimë me siguri se në Kosovë është luajtur edhe para Luftës së Dytë Botërore.
Shumë femra në Kosovë mbajnë këtë emër, në radhë të parë për kujtim të Shote Galicës.
Te hungarezët është e njohur vallja “Çardash”, vallja Çyçek te turqit, te serbët si vallja e Uzhicës, e Moravës, e Çaçakut, apo kryesisht valle me emra të qyteteve, sikur rëndom janë të përhapura vallet, kudo në Ballkan.
Te serbët është kompozuar edhe një valle dyshe, e cila quhet vallja e Shotës dhe e Uzhicës. Te turqit është e njohur vallja e quajtur rumeli Shota, te bullgarët arnauatsko oro, e kështu me radhë.
Pa dyshim se kjo valle lidhet me Shote Galicën, luftëtaren popullore, Qerime Halil Radisheva, bashkëshortja e Azem Galicës.
Nuk kemi të dhëna që flasin se kjo valle është luajtur dhe është kënduar në kohën e sundimit turk.
Shota është një valle karakteristike e luajtur nga valltarët, me tërë energjinë dhe me ritëm të shpejtë, e cila zakonisht luhet nga dy valltarë, mashkull e femër, (apo edhe në më shumë çifte), është valle që përshkohet me një ritëm impresionues që zgjon peshë emocionet si nga lëvizjet e shpejta ritmike, që nuk është mjaft karakteristikë e valleve shqiptare, por në këtë valle kemi karakteristika të cilat mendojmë se kanë disa veçori, që paksa dallojnë nga vendi në vend.
Vallja e Shotës ka qenë edhe në repertorin e Orkestrës Filharmonike të Beogradit, versioni i përpunuar nga kompozitori i njohur kroat, Josip Sllavenski, pastaj Rexho Mulliqi e të tjerë.
Ekzekutimi në shumë variante i kësaj valleje në Serbi ka shkaktuar tronditje te nacionalistët dhe shovinistët serbë, të cilët përbuzin e fyejnë bashkëkombësit e tyre, në forumet e internetit, por edhe në komente e shkrime, sepse e luajnë këtë valle shqiptare, e cila sipas shumicës së tyre i kushtohet Qerime Galicës, për të cilën serbët thonë se gjoja ajo vetë kishte vrarë, madje edhe kishte djegur fëmijë serbë.
Natyrisht se kjo histori histerike është krejt e shpifur, por gënjeshtra në Serbi ka gjetur dhe gjen vegjetacion të jashtëzakonshëm për të mbijetuar.
Këtë e ka pranuar botërisht shkrimtari më i madh dhe më i lexuari në Serbi, Dobrica Qosiç,
Duke parë se kjo valle është futur aq thellë në popull dhe duke qenë se nuk ka grup folkloristik që nuk e kishte pasur, dhe nuk e ka në mesin e këngëve e valleve për interpretim, publiku serb, duke mos pasur rrugë tjetër, ka filluar ta përvetësojë si valle të moçme të serbëve të Kosovës, duke u mbështetur në emrin e valles, e cila, sipas tyre, i përket gjuhës serbe.
Po të mbështetemi në gjurmimet folklorike shqiptare në Kosovë, nuk duket se është hulumtuar gjeneza e kësaj valleje, e cila për çudi ka mbijetuar si asnjë valle tjetër, jo vetëm në vendin tonë por në mbarë Ballkanin.
Shota njihet edhe si valle e kënduar, në Bosnjë, Serbi, Sanxhak e në shumë vende, madje edhe në gjuhën shqipe me vargjet.
Katër vargjet karakteristike të kësaj kënge janë të pranishme kudo në potpuritë popullore
Hajde shoto mashallah,
Me burrin përkrah!
Luaj Shoto Luaj Shoto luaj
Hakun ta paguaj.
Kjo strofë e këngës është e përhapur kudo, ndërkohë që kësaj potpurie këngëtari popullor i ka ndajshtuar edhe vargjet specifike, të cilat madhërojnë jetën dhe luftën e saj për çlirimin e vendit nga robëria serbe.
Shota e Azemit
Mbesa e Skënderit,
Shotë moj heroinë,
Nderove Shqipninë,
Shota n’ borë e n shi
Luftoi për Shqipni,
Shota n shi e borë
Luftoi për Kosovë.
Fenomeni dhe tipologjia muzikore artistike e ritmike e kësaj valleje, e cila me lehtësi i ka përballuar kohës, duke u radhitur si valle emblemë, në mesin e valleve si “vallja e shqipeve”, “Vallja e burrave” “Vallja e shpatave” dhe valle të tjera karakteristike, ka veçantitë dhe veçoritë e veta në kohë dhe hapësirë, në sinkroni dhe diakroni.
Fakti se kjo valle luhet dhe këndohet te të gjithë popujt e Ballkanit e më gjerë, jep për të kuptuar se kemi të bëjmë me një fenomen që nuk është vetëm muzikor, aq më pak i rastit, por sipas mendimit tim lidhet me traditën historike, me një apo disa personalitete të caktuara të historisë së rezistencës shqiptare, e cila i akordon traditës të pashkëputur të historisë sonë kombëtare, e njohur për kontributin madhor që ka thënë femra në jetën shoqërore, dokesore, në historinë e shtetit, të rezistencës dhe të luftërave çlirimtare. Në të gjitha luftërat tona çlirimtare prej kohës së Skënderbeut e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, femra ka luajtur rolin e vet historik, të pamohueshëm.
Vallja e “Shotës” pasuri muzikore publike e popujve të Ballkanit, një valle shqiptare që kishte depërtuar përtej perdeve të zeza të urrejtjes shekullore sllave kundër shqiptarëve.
Vallja e “Shotës” pa dyshim mbërthen me vete një histori të gjatë kohore prej periudhës së parë të vallëzimit apo këndimit.
Një histori që ka mbijetuar nëpër kohë dhe e cila mund të ketë një origjinë shumë të lashtë. Ajo, në rrethana të caktuara shoqërore e historike, mund të jetë konvertuar nga shekulli në shekull, duke iu përshtatur kohës dhe rrethanave historike, për të arritur si personifikim tradicional muzikor deri në kohën tonë.
Në gjendjen e tanishme të zgjerimit dhe këndimit, vallja e Shotës paraqitet si vlerë muzikore e krejt popujve të Ballkanit, meqë ka mbijetuar si krijim i veçantë muzikor, në radhë të parë me melodinë magjepsëse, ritmin e shpejtë, djaloshar, sepse është valle tipike, që i përket rinisë dhe që luhet e këndohet vetëm nga të rinjtë.
Këtë valle nuk e luajnë dot të moshuarit, meqë ka ritmikë të shpejtë dhe kërcim të veçantë, gjithnjë në lëvizje, herë këmbë herë duke u gërmuqur, por gjithnjë në lëvizje, madje marramendëse.
Prania e kësaj valleje ne repertorin muzikor të popujve të Ballkanit vazhdimisht ka nxitur polemika rreth prejardhjes. Përderisa në Jugosllavinë socialiste ajo ishte konsideruar si valle 100 për qind me prejardhje shqiptare, me rastin e shkatërrimit të Jugosllavisë, filluan dhe aktualisht po vazhdojnë polemikat lidhur me origjinën dhe përkatësinë e saj.
Duke u bazuar në faqe të internetit dhe në forume të ndryshme në Serbi, veçmas në shkrimet e shkurtra, në “YouTube”, konkludojmë se shumica e shfletuesve serbë, boshnjakë e të tjerë vlerëson se vallja e “Shotës” ka origjinë shqiptare.
Nacionalistët serbë janë të ndarë në këtë drejtim; Disa mendojnë se vallja është tipike shqiptare, e cila i është kushtuar Shote Galicës, që sipas mendjes së tyre të retarduar paska pas vallëzuar duke djegur fëmijët serbë në zjarr.
Ata kërkojnë që kjo valle të ndalohet, meqë sipas tyre është valle morbide, madje “antinjerëzore”. Këtij konstatimi të egër dhe krejtësisht antihistorik i kundërvihen edhe shumë serbë, të cilët mendojnë se kjo valle është valle tipike kosovare, e kënduar nga shqiptarët edhe nga serbët.
Një pjesë e opinionistëve konsideron se vallja është valle tipike shqiptare, e rikthyer në estradat populiste në kohën e Jugosllavisë së Bashkim vëllazërimit dhe e përhapur nga politika muzikore e kulturore e kohës.
Realisht ky konstatim ka një bazë, meqë në kohën e ish- Jugosllavisë socialiste shqiptarët nga aspekti i njohjes muzikore janë identifikuar me këtë valle. Në të gjitha republikat e Jugosllavisë ka qenë e përhapur kjo valle.
Nuk gjendej asnjë shoqëri kulturore muzikore e kohës (Kulturno Umetnicko Drustvo -KUD) në tërë Jugosllavinë ku të mos jetë ekzekutuar një variant i Shotës, kësaj valleje shqiptare që kishte depërtuar përtej perdeve të zeza të urrejtjes shekullore sllave kundër shqiptarëve. Asnjë valle tjetër në Jugosllavinë e kohës nuk ka pasur shtrirjen e saj.
Edhe sot e kësaj dite kjo valle ekzekutohet nga serbët, boshnjakët, kroatët, malazezët, sllavomaqedonët, bullgarët e të tjerë. Kjo mund të vërtetohet fare lehtë në “Youtube”, ku gjenden edhe komente ndër më të ndryshmet, prej atyre afirmative deri te ato pezhorative.
Bazuar në shkrimin e Ahmet Qeriqi