Akuzat ndaj policit, lajm i rremë

Dy ditë pas shpërndarjes në portalet online të një video intime me protagonist inspektorin e policisë së Gruemirës, Berhan Bajrakurti, policia nuk po arrin të gjejë kush qëndron pas denoncimit.

Bajrakurti po mbahet në paraburgim prej dy ditësh me akuzën e ngacmimit seksual ndaj një 15-vjeçareje. Por deri tani, askush nuk i është drejtuar policisë për të marrë përsipër akuzat dhe për të zyrtarizuar denoncimin.
Ky fakt ka shtuar dyshimet e grupit hetimor se mund të bëhet fjalë për një lajm të rremë, apo siç njihet me termin “Fake News”.

Deri tani, pa një person që të marrë përsiper akuzat, pretendimet e ngritura për ngacmim seksual të policit ndaj një 15-vjeçareje mbeten të pavërtetuara dhe policia do ta ketë të vështirë ta mbajë në burg atë.

Në mungesë të viktimës, videoja intime nuk e ngarkon policin me asnjë përgjegjësi penale.

E paqartë për hetuesit është pse denoncimi në media nuk ka shkuar më pas në dyert e policisë. Hetuesit nuk përjashtojnë që komunikimi në rrjetet sociale i Bajrakurtit të ketë qenë me persona të rritur, të cilët më pas e kanë shfrytëzuar filmimin për të dëmtuar imazhin e inspektorit të policisë.

Policia ka marrë deri tani në pyetje mësues, prindër dhe nxënës të shkollës së mesme të Gruemirës. Në asnjë nga dëshmitë nuk rezulton që ata të kenë patur dijeni për ngacmim të ndonjë nxënëseje. Vetë Bajrakurti i ka mohuar akuzat.

Por policia i është drejtuar edhe rrjetit Facebook për të parë se me kë ka komunikuar ai dhe kujt ia ka dërguar videon në të cilën shfaqet duke ekspozuar organet gjenitale.

Ekspertët e IT e kanë pasur të pamundur deri tani identifikimin, pasi Bajrakurti ka fshirë çdo komunikim në telefon, pas daljes së historisë në media.

Përfaqësues të portalit që publikoi videon kanë sqaruar se e kanë marrë atë nga një email anonim./Tv Klan

Loading...