Ditën e sotme ish-kryeministri Sali Berisha reagoi në rrjetet sociale duke thënë se kryeministri Rama po përgatit një miting për t’u mbajtur në Vlorë, në shenjë presioni ndaj protestës së Tiranës që do të mbahet nga ana e opozitës.
Sipas Berishës në këtë miting po merreshin mezor punonjës së administratës në të gjitha Bashkitë e vendit, përfshirë dhe atë të Poliçanit. Lidhur me këto pretendime ka reaguar pak minuta më parë dhe kryeministri Rama, i cili shkruan:
Na qenkan shqetësuar andej nga Mavroboja për takimin e Vlorës nesër. Presion i madh për t’i sjellë njerëzit në miting thonë. S’është miting o mavri me bojë po dialogu qytetar #BashkiaQëDuam prandaj mos na bëni reklamë aman të keqen, se i thonë Vlorë dhe s’kemi ku ulim njerëzit.
Ndërkohë Berisha shkruante si më poshtë:
“Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të bashkisë Vlorë, z. Dritan Leli, ditën e shtunë, datë 16 shkurt 2019, ora 10:30, në Sheshin e Flamurit do të zhvillohet aktiviteti “Për Vlorën që duam” me pjesëmarrjen e kryeministrit z. Edi Rama. Ju mirëpresim. Kabineti, bashkia Vlorë. Përshëndetje, lajmëroni gjithë stafin tuaj për të qënë pjesë e aktivitetit. Me përgjegjësi të plotë kërkohet pjesëmarrja e të gjithëve!”
…..
Përshëndetje doktor!
Jam një punonjës në bashkinë e Poliçanit me rrogë të përgjysmuar, 170 mijë në muaj. Na mblodhi dje përgjegjësi i komunales dhe na tha “kush nuk vjen në Vlorë të shtunën, të hënën të mos vijë në punë. Është i pushuar.
Unë e urrej atë kryeministër sa s’ka ku të veje, por ç’të bëj, më heqin nga puna. Po u bëjnë të gjithëve presion për të ikur në Vlorë. Falemnderit në qoftë se e publikon. Dhe mos të dalë emri im, se jam në hall se më heqin nga puna. Respekte doktor.
Rama dhe qeveria e tij do të jenë gjatë ditës së nesërme në Vlorë, ndërsa opozita paralajmëron se do të mbajë protestën e saj më të madhe në histori.