Kurveleshi, një nga zonat që premton turizëm fantastik!

Nga ANILA MEMA
Welcome to Kurvelesh.

Kjo tabelë ngjyrë blu, na fton drejt parajsës, pasi kemi kaluar mbi 8 km rrugë të tmerrshme “ferri”.

E hapur, diku, rreth viteve ’70, si rrugë kalimi me çakull që lidh fshatrat e kësaj zone me qytetin e Tepelenës.

Prej atëherë nuk mbahet mend, të ketë vënë njeri dorë në të. Fiks, aty ku tabela të fton drejt parajsës, aty rruga nis të gjarpëroj e shtruar mirë me asfalt e bankina anësore mbrojtëse.

Se ndjejmë më shkundjen e makinës, as përplasjet e gurëve me dëllenjat anës saj. Është një segment i shkurtër rrugor, ku përbri na ndjek panorama mbreslënëse e vargmaleve.

Kemi kaluar Bënçën, fshatin me nam‘ (thonë vendasit), për burgun a për lumin. Makineri të braktisura, tek — tuk rrëshqitje mali, e më tej ferr — parajsa. Është hera e parë, që e kaloj kufirin përtej burgut. (Jo e pranueshme për një vendase 🙂 ) Miq, shok klase a të njohur të tjerë, më kanë folur për këtë krahinë. Edhe këngë, thurrur me nota sarkastike, i kemi kënduar kur ishim fëmijë. Më shumë se për zonën, bisedat për rrugën mbeten të njëjtat; e vështirë të ngjitesh lart, përveçse me makina të larta, tip fuoristrade.
E vërtetova këtë gjë, mëngjesin e një të djele vere, ku në udhëtim na shoqëronin edhe tre fëmijë. Nëse do të kesh ndonjë tip tjetër makine, ndodh ta vijëzosh rrugën gjithë naftë a benzinë, sikurse e gjetëm ne, rrugën, këtë mëngjes. Mu kujtua Hansel dhe Gretel që hidhnin guriçka a bukë gjatë rrugës, që kthimin për në shtëpi t’a kishin më të thjeshtë. Ndjeva keqardhje për shoferin pararendës dhe për gjithë shoferët, të cilëve iu bie rasti a halli të ndjekin atë rrugë. Pasi ke kaluar nëpër këtë ferrë — parajsë, purgatori të pret me domosdo.

 

Welcome to Kurvelesh. Rruga e asfaltuar dhe tabela na presin të dyja. Vijojmë udhëtimin që tanimë është më i qetë, i shtruar dhe plot jetë. Përballë shfaqet Lekdushi, i pari fshat në këtë krahinë. Aktualisht banojnë rreth 15 familje, disa buzë rrugës, të tjera pak më thellë. Jetesa, mundësohet nëpërmjet blegtorisë dhe bujqësisë. Dhitë, janë kafshët që rriten në këtë zonë malore, rrallë edhe lopët. Është fshat i vogël, që sa hap e mbyll sytë ke hyrë në Progonat. Historikisht ky fshat ka qenë më i madh në numër popullsie për këtë krahinë. Aktualisht kanë mbetur 100 familje nga 300 që kanë qenë më parë, na tregon Luani, një ish-banor i kësaj krahine, i cili na shoqëron në guidën tonë. Rrapi, kjo pemë simbolike në qendër të fshatit ashtu si në çdo qendër tjetër, fshati a qyteti jugor, është aty, hijerëndë e madhështor dhe disa burra, që luajnë domino — nën hije. Është pamje që e kam të fiksuar në memorie shumë herët dhe padashur më kthen vite pas si një Deja Vu. Duket, se koha ka ndaluar me Ali Pashën, e kuvendet e burrave, e më kujton të famshmen poezi të Çajupit “Burrat nën hije, lozin, kuvendojnë”… Fotografia është po e njëjta, portretet ndryshonjë. Përbri, rrapit bar — kafe ideuar brenda një ndërtese të vjetër. “Hotel ka pas qenë”, shton Luani, i cili mundohet të na shuajë çdo kureshtje. Vetvetiu, ndjen një lloj qetësie e paqe brenda vetes.

Nuk di a është vendi që ndikon apo koha që ka stopuar?!

Pak më tej mbërrijmë në Gusmar. Jo më larg se muaji gusht kryeministri Edi Rama, e përmendi këtë fshat në prezantimin e Bypassit të Tepelenës, si fshati që do ketë rrugë lidhëse me detin përtej malit.

“Aktualisht të dalësh në Borsh bën 4 orë me këmbë, nëse hapet rruga 20 minuta na duhen”, shton Luani. Ai e njeh mirë këtë krahinë, pëllëmbë më pëllëmbë. Na tregon pyjet me lajthi të egra, pak më tej fushat me mollë, që iu përkasin të gjithëve dhe asnjërit.

Këtë vit pemët janë mbushur plot fryte. Molla, është një ndër pemët karakteristike të këtij vendi, ashtu si qershia, lajthia e gështenja e arra. Pas viteve ’90 edhe në këtë fshat popullsia ka pësuar rënie. “Aktualisht mund të ndodhen 25 familje, ku të gjitha jetesën e fitojnë nga bujqësia dhe blegtoria, pa përmendur këtu ndihmesën e fëmijëve që jetojnë në emigracion”

Duke vijuar rrugëtimin tonë, shumë shpejt mbërrijmë në Nivicë, pasi kemi lënë sa hap e mbyll sytë fshatin Rexhin. (Në të vërtetë vetëm tabelën i lexuam, pasi shtëpitë janë të pakonsiderueshme në numër) Nivica është fshati më i njohur i kësaj krahine. Më i madhi gjithashtu. Ndryshe nga fshatrat e mëparshëm, ky vend të surprizon. Gjithë qendra e tij është kthyer në pedonale, (një projekt që është shtrirë në të gjithë qytetet e Shqipërisë këto vitet e fundit). Fasada bujtinash që presin të frymojnë sipër kanioneve, rrapi në qendër të fshatit dhe burrat me domino.

Ndryshe, ky fshat është shumë i njohur për përpunimin e bylmetit. Baxhoja që ndodhet fare pranë qendrës na lë shije të mirë. Aty gjen djathin më të mirë (kaçkavall e të bardhë), që gjithë zona e jugut mund të ketë. Kureshtja më ka brejtur herë-herë për ta vizituar këtë vend, por më shumë, kur pashë online disa video të kanioneve të Kurveleshit, më të bukura në Ballkan (sipas eksplorusve të huaj) të hedhura në rrjete sociale nga Auron Tare.

Sipas banorëve të Nivicës, Tare ka meritë të veccantë në ndërtimin e qendrës së fshatit dhe hapjen e rrugës për turistë, të cilët gjatë kësaj vere kanë qenë të shumtë në numër.

Kanionet përbri fshatit, janë vërtetë për tu eksploruar. Të shumta në numër ujëvarat, sa dhe terreni nuk është aq i vështirë për të zbritur deri poshtë.

Dhe është e vërtetë- shumë pak duhet për ta shfrytëzuar për turizëm atë vend, ashtu si Syri i Kaltër në Jug a Veri, nga Lëpusha, Thethi, Valbona a Vermoshi, Kurveleshi të ofron një tjetër bukuri, ushqim e mikëpritje. Duhet shumë pak, aq pak, sa vetë gërmat e fjalës — rrugë.

Banorët aty, me të drejt janë mosbesues se “Mirësevjen — turist” është shumë pranë — siç thotë populli — pas dere. Rruga atij vendi do t’i jap tjetër kuptim.

Welcomë to Kurvelesh! Sa ironike po aq ftuese!

Loading...