Faktorë natyrorë mund ta kenë shkëputur nga mali mëmë, e kanë rrokullisur disa dhjetëra metra poshtë deri sa ka qëndruar në mënyrë të çuditshme mbi dy këmbë prej guri.
Por, pavarësisht kësaj, njerëzit kanë thurur legjenda e histori që, janë transmetuar brez pas brezi, për të ardhur deri në ditët tona.
Kjo copë shkëmbi, unikale në llojin e vet, për përmasat dhe mënyrën e vendosjes, është shndërruar tashmë në një simbol për fshatin pranë të cilit është vendosur.
Për këtë objekt, Koha jonë sjell një histori.
“Guri me Qiell” është një objekt natyror i jashtëzakonshëm në rrethin e Vlorës.
Ai ndodhet në majën e Malit të Lipes, në afërsi të fshatit Vranisht, në një largësi prej 65 km në juglindje të qytetit.
Për të shkuar tek ky vend, duhet të udhëtosh për rreth 90 minuta në një shteg kafshësh. Prej lartësisë ku ndodhet ky monument i natyrës, spikat një pjesë e madhe e luginës së Lumit të Vlorës.
Studiuesit thonë se “Guri me Qiell” është një monument prehistorik, që lidhet me periudhën e neolitit të vonë dhe me epokën e bronzit, që shkon deri në 4 – 9 mijë vjet më parë.
Në një interpretim tjetër sipas legjendave të zonës, kjo vepër e arkitekturës prehistorike ka lidhje me kultet mbivarrore si dhe atë të Diellit. Ai është një gur i stërmadh gjigand, që duket sikur është vendosur nga dora e njeriut mbi dy shkëmbinj të tjerë, duke krijjuar trajtën e një tryeze që legjendat thonë se, është “Tryeza e Perëndive”.
Ndoshta edhe për këtë arsye, guri, në formën e një paralelopipedi me një peshë që mund të shkojë deri në 10 tonë, emërtohet ndryshe edhe “Sofra e zotit”. Banorët e zonës e konsiderojnë atë si një dhuratë e natyrës për një vend të ashpër malor, sikundër është Lumi i Vlorës, me fshatrat e veta. Nga ana tjetër, ky monument, është i vendosur përballë malit të Bogonicës, që shqipërohet “Vendi I Zotit”.
Kjo etimologji, sipas muzeologëve, përbën edhe një nga gjërat e veçanta të këtij monumenti, që qëndron në një mjedis mjaft të pasur me histori të ngjashme.
Pak më tej ndodhet vendi që emërtohet “Lëmi i Lejlerëve”, një vend i shenjtë që vjen nga periudha pellazge i emërtuar ndryshe “Pjella e bardhë”. Në një drejtim tjetër është shpella dikur e banuar e Lipes.
Ky gur, që vlerësohet si një nga monumentet e rëndësishme në rrethin e Vlorës, është eksploruar shumë pak. Përveçse banorëve vendas dhe atyre nga Vlora, si dhe studjuesve, “Guri me Qiell”, ka zgjuar interesin e mjaft të huajve.
Deri para pak vitesh, në vendin ku ndodhet “Guri me Qiell”, vinin çdo verë një numër i konsiderueshëm turistësh e studjuesish francezë, falë një iniciative private të poetit popullor, Muhamet Tartari, udhëheqës i grupit folklorik të Vranishtit.
Ata ngrinin çadrat në territorin ku ndodhet monumenti, një vend i ashpër malor dhe kalonin aty ditë të tëra, duke shijuar prodhimet blegtorale e bujqësore të zonës, nën freskinë e malit dhe hijen e këtij guri.