Kapedani i Labërisë, Zenel Gjoleka, personazh i një këngë të trimërisë që këndohet në Kosovë

Ahmet Qeriqi
Komandanti popullor, Kapedani i Kuçit të Kurveleshit të Labërisë, Zenel Gjoleka, është njëri ndër kryengritësit më të njohur shqiptar të trevave etnike të Shqipërisë.

Emri i tij, në gjysmën e parë të shekullit të 19-të, u bë i njohur jo vetëm, në Labëri dhe në jug të Shqipërisë, por edhe në veri të Greqisë, në viset e Shqipërisë veriore deri në Podgoricë dhe në Kosovë, tutje përtej “Prokupjes deri në Nish”.

Janë të rrallë kapedanët shqiptarë si Gjoleka, trimëria e të cilit u përhap përmes këngëve e rrëfimeve në mbarë trojet, meqë asokohe kishte shumë kapedanë të njohur dhe nuk ishte punë e lehtë të ishe komandant mbi komandantët.

Zenel Gjoleka( 1812-1852) u lind të Kuç të Kurveleshit të Labërisë, në njërën ndër viset “spartane” të Shqipërisë, ku nuk nguli dot këmba e asnjë pushtuesi, dhe ku nuk mbeti pa u përgjakur asnjë zaptues romak apo bizantin, grek apo turk, italian apo gjerman.

Në logun e trimërisë shqiptare, Zenel Gjoleka do të ngrihet pas Masakrës së Manastirit, ku Sulltani i Stambollit, kishte ftuar për të lidhur paqe dhe i kishte mashtruar dhe më pas iu kishte prerë kokat pabesisht, krerëve më në zë të Shqipërisë, së katër vilajeteve.

Ai kishte menduar se pas prerjes së kokës së Ali Pasha Tepelenës, më 1822 dhe prerjes së kokave të krerëve të kryengritësve shqiptarë, më 9 gusht 1830, në Garnizonin e Manastirit do ta nënshtronte përgjithmonë “Arnautistanin” kryengritës dhe të pamposhtur. Por edhe ky hesap i doli keq Stambollit. Amazonat shqiptare kishin lindur dhe kishin rritur trima, si: Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, Tafil Buzi, Zyluftar Poda, Çelo Picari, Hodo Aliu, Hodo Nivica, Mane Tarja, Hasan Çako, Hysen Mema, Marko Boçari Hamzë Kazazi, Oso Kuka, Jakup Ferri, Demë Ahmeti, Sefë Kosharja, Mic Sokoli, Hysen Smajli e shumë kapedanë të tjerë, të cilët me bashkëluftëtarët e tyre po mbartin mbi supe fatet e atdheut, të sulmuar nga të katër anët.

Në këtë vështrim, nuk do të ndalemi te jeta dhe veprat e Zenel Gjolekës, sepse ato janë mjaft mirë të prezantuara në historinë e popullit shqiptar, në këngët popullore të trimërisë dhe në rrëfime e tregime popullore, por do të kufizohemi në këngën popullore për Zenel Gjolekën, në disa variante të saj, që janë këndur dhe këndohen sidomos në Kosovë, për të kuptuar dimensionin heroik të heroit legjendar, fama e të cilit kaloi Kurveleshin kryengritës dhe u shpërnda në tërë trojet shqiptare, sepse Gjoleka ishte trimi i mirë me shokë shumë. Ai krahas Rrapo Hekalit, Tafil Buzit, Çelo Picarit e shumë kapedanëve të tjerë kishte zënë vendin e krye-kapedanit, sepse nuk luftonte, “Për mua e për ty, po për gjithë Shqipëri”.

Grykë e Kuçit grykë e keqe

Me një mijë e treqind dyfeqe,

I mban Gjoleka me vete,

Nuk u përpoq për vete,

Po për katër vilajete,

Për nizamë e për xhelepe,

Për të shkretat havajete.

Në vëllimin e “Dytë të Epikës Historike, Tiranë 1981”, janë shënuar më shumë se pesëdhjetë këngë dhe fragmente këngësh për Gjolekën dhe trimat e tij, ndërsa nuk janë prezantuar këngët, që këndohen në Kosovë dhe në viset e tjera të Shqipërisë. Në “Visaret e kombit I”, Shkodër 1937, mbledhur dhe redaktuar nga Karl Gurakuqi dhe Filip Fishta janë prezantuar rreth 20 fragmente këngësh, për Zenel Golekën dhe kapedanët e tjerë të kohës së tij. As në këtë vëllim nuk figurojnë këngët e trevave të veriut të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Kënga e Zenel Gjolekës është kënduar dhe këndohet edhe sot në Kosovë nga rapsodët e moshuar. Këtë këngë heroike, me elemente epike për nga përmbajtja, e kanë kënduar rapsodët e mirënjohur të Kosovës, si: Riza Bllaca, Sali e Feriz Krasniqi, Bajrush Doda, e këndon aktualisht Augustin Ukaj dhe shumë rapsodë të tjerë të njohur të Kosovës e më gjerë.

Për nga struktura e ndërtimit artistik, kënga e Gjolekës bën përjashtim nga këngët tipike të veriut. Ajo është ndërtuar me fragmente, mbi principin e këngëve të jugut, me vargje të kursyera dhe të zgjedhura artistike dhe një përshkrim të karakterit të heroit, përshkrim, që jepet në lëvizje, sepse heroi i këngës është kapedan mbi kapedanët, është kapedan i Toskërisë, i Gegërisë dhe i gjithë Shqipërisë. Si i tillë emri i tij përmendet në çdo varg dhe në çdo refren, ndërsa pasthirrmat, “hej e hej”, janë lajtmotiv i rënies së tij, i humbjes së një komandanti, ndër më trimat e Shqipërisë.

Kënga, për të cilën po shkruajmë, ka pak vargje në krahasim me këngët e trimërisë, që janë kënduar dhe këndohen në trevat e veriut të Shqipërisë, sidomos në Veri dhe në Lindje, dhe të cilat përgjithësisht janë këngë me motive rrëfimi dhe ku kryesisht përshkruhet jeta e trimit, bëmat dhe rënia e tij.

Kënga e Gjolekës, (e shqiptuar nga këngëtari ynë popullor si Gjon Leka), është këngë heroizmi me një dozë vajtimi duke e përcjellë me thirrjet: “hej e hej”, ose “Gjon Leka, mor Gjon Leka”, që janë refrene tipike për këngët e veçanta, po jo elemente thellësisht tragjike. Krijuesi anonim ka bërë përpjekje, dhe ia ka arritur, që përmes pak vargjeve të kap një totalitet relativ të rrëfimit, duke skicuar tablo narrative, të cilat ngelin gjatë në kujtesë, sidomos me përsëritjen në çdo varg të emrit të kapedanit, me qëllim për ta mbajtur gjallë vëmendjen e dëgjuesit dhe për ta bindur atë, se ky emër kapedani mbetet i paharrueshëm, sepse ka hyrë në histori, vertikalisht dhe i tillë ka mbetur për jetë të jetëve. Ai, edhe në këngë është “mbret” i këngës.

Varianti i këngës i kënduar nga rapsodi i ndjerë, Bajrush Doda

Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka pe flet nji fjalë,

Hej e hej, mor, Gjon Leka po e flet një fjalë.

Po na i ban, mor, po i ban, po i ban varret me vaje,

Hej e hej mor, po na i ban varret me vaje.

(Po na i len mor, po i len, po i len nanat pa djalë,

Hej e hej, mor, po na i len nanat pa djalë. (Augustin Ukaj, variant)

Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka po i hyp’ dorisë

Hej e hej, mor, Gjon Leka po i hyp dorisë.

Gjan’ e gjat’, mor, gjan e gjat, gjan’ e gjat’ po shkon qarshisë,

Hej e hej mor, gjan e gjat’ ja lshon qarshisë. 1)

Shkon tuj ble mor, shkon tuj ble, shkon tuj ble barut shahisë,

Hej e hej mor, shkon tuj ble barut shahisë. 2)

Gjon Leka, mor Gjon Leka, Gjon Lekën pe tretë gajretin

Hej e hej mor, Gjon Lekën pe tretë gajretin.3)

Asht idhnu’ mor asht idhnu’, asht idhnue krejt mileti.

Hej e hej, mor, asht idhnue krejt mileti. 4)

Se po merr, mor, se po merr, se po merr haraç me veti

Hej e hej, mor, se po merr haraç me veti.

-Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka ku ma le atin?

-Hej e hej, mor, Gjon Leka ku ma le atin?

-Ma ka ma marrë, mor, ma marrë, ma ka vjedhë ai Leka i Gati.

-Hej e hej mor ma ka marrë ai Leka i Gati!

-Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka ku e le dorinë?

-Hej e hej, mor, Gjon Leka ku e le dorinë. 5)

-Ma ka marrë, mor, ma ka marrë, ma ka vjedhë, Knjazi i Cetinës,

-Hej e hej, mor, ma ka vjedhë Knjazi i Cetinës.

Gjon Leka, mor, Gjon Leka, Gjon Leka i pari i parisë,

Hej e hej, mor, Gjon Leka i pari i parisë.

Komandant, mor, komandant, komandant i Toskënisë,

Hej e hej, mor, komandanti i Toskënisë.

Komandant mor komandant, komandant i Gegenisë,

Hej e hej, mor, komandant i Gegenisë.

(Hej e hej, mor, komandant i gjithë Shqipnisë. )

Në variante të ndryshme shtohet edhe vargu i tretë, sikur në këtë rast, varg i cili për nga mënyra e këndimit paralajmëron edhe përfundimin e këngës)

Në pikëpamje të metrikës, kënga është sajuar përgjithësisht me 14 dhe 12 rrokje, ku vargu i parë, i plotë, pasohet me refrenin, që vjen paksa i reduktuar nga vargu i parë, me dy apo katër rrokje më pak. Kjo mënyrë këndimi bëhet me qëllim për ta tiposur elementin bazik të vargut të parë, i cili kumton ndodhinë. Këngët si kjo, për nga forma e shtjellimit dhe e këndimit, janë krejtësisht të veçanta, andaj në këtë këngë janë njëzuar shumë elemente artistike, të cilat përkojmë me temën dhe përmbajtjen e saj.

Krijuesi anonim popullor, përveç përshkrimit madhështor të jetës dhe bëmave të kapedanit, nuk vajton fatin e tij, as flet për rënien e tij, meqë të gjitha nënkuptohen nga kontesti i kohës. Mjafton të kuptojnë se kalin ia ka vjedhë një Lekathati apo Knajzi i Cetinës, për të kuptuar rënien e tij heroike. Trimi nuk vajtohet, ai këndohet, andaj krijuesi anonim i këtij varianti të këngës shumëçka i ka lënë kontestit dhe kjo na bën të besojmë se në kohën kur është shtjelluar kjo këngë, emri i Gjolekës ishte emri i një kapedanit të mirënjohur si nga vegjëlia ashtu edhe autoritetet qeveritare.

Këngëtari anonim popullor i shekullit 19-të, Gjon Lekën e ka përfytyruar si një kapedan gjithnjë në këmbë, në lëvizje vertikale, i cili gjezdis gjithandej nëpër Shqipëri, në Junan e në Çamëri, në Labëri e në Gegëri, gjithnjë hipur mbi kalë, hipur mbi dori, gjithnjë duke blerë barot, duke i bërë varret me vaje, duke i lënë nënat pa djalë, duke marrë edhe haraç për trimat e tij, të cilët flinin në male e në shkrepa, gjithnjë duke luftuar, jo “për mua as për ty, po për gjithë Shqipëri”.

Kënga për Gjolekën dominohet nga dimensioni i heroikës, sepse kryetrimi nuk lufton për vete, por për katër vilajete, lufton kundër nizamit e xhelepit, kundër pashait e agait, kundër sulltanit e Vezirit, por kur e kërkon nevoja e Atdheut, ai tok me katër qind trimat e tij lufton edhe nën bajrakun e Vezirit të Shkodrës, kundër Knjazit të Malit të Zi, një shtet, të cilin po e përkrahte Rusia cariste dhe banovinat sllave të Ballkanit, dhe i cili po shtrihej e po zgjerohej mbi trojet shqiptare, me bekimin e Moskovit dhe pranimin e heshtur të Sulltanit.

Kënga popullore shqiptare e Kosovës për Gjolekën është një krijim antologjik, sidomos për nga forma e ndërtimit, e këndimit, e gradacionit të fuqishëm, e përsëritjes së emrit të kryetrimit, po ashtu edhe në formën e konstatimit, pyetjes e përgjigjes, një krijim i veçantë, që vështirë gjendet në këngët e tjera të trimërisë. Duket se varianti i veriut është shumëdimensional, për faktin se është variant i veçantë dhe mbart në vete karakteristika të këndimit të legjendave, të cilat përkojnë me krijimet e moçme homerike.

Këngëtari anonim popullor i ka kënduar këtij kapedani duke veçuar shumë nga tiparet e tij dhe duke e stolisur me figura të shquara artistike e stilistike, të cilat i shkojnë për shtati, sepse ai është komandant i Toskërisë dhe i Gegërisë, sepse nuk lufton për vete, “për mua, as për ti, por lufton për një Shqipëri”. Andaj edhe është i madhërishëm, andaj edhe i ka hije palla, baroti, shahia, alltia, kali, doria, sepse Gjon Leka ishte mishërim i aspiratave shekullore të shqiptarëve liridashës për liri, në luftë të pandërprerë kundër robërisë, shfrytëzimit, taksave,xhelepit, devshirmesë e xhizjes, kundër pushtetit turk të sulltanëve, që i mbanin në shërbim nizamët shqiptarë deri në 12 vjet e më shumë, dhe të cilët i degdisnin përtej “Urës së Qabesë” në Uzdurum, në Siri e Arapistan.

Kjo këngë e trimërisë, krahas këngëve të përhapura për Ali Pashë Tepelenën, të cilat janë këngë mjaft të preferuara dhe që janë kënduar e këndohen sidomos në Kosovë, na sjellë në kujtesë kohën e fillimit të Rilindjes Kombëtare shqiptare, e cila i dha hov idesë së çlirimit dhe bashkimit të trojeve tona në një shtet të vetëm, aspiratë kjo ende e parealizuar.

Kosova kurdoherë iu ka kënduar trimave si Ali Pashë Tepelena, Zenel Gjoleka, Avdyl Frashëri, Çerçiz Topulli, Ismail Qemali e trimave të tjerë, të cilët nuk punuan për vete por shkrinë pasurinë e tyre për ta bërë Shqipërinë. “Avdyl shite pasurinë, dy barrë flori, jo për vete por për Shqipëri”. Sot politikanët shqiptarë, të cilët mbase edhe nuk kanë dëgjuar as për emrin e Gjon Lekës, apo edhe nëse e kanë dëgjuar ndonjëherë, tashmë e kanë harruar për fare, nuk e shesin pasurinë e tyre për ta bërë Shqipërinë, por Shqipërisë së bërë me gjakun e qindra mijëra dëshmorëve e martirëve, ia zhvatin pasuritë, e plaçkitin dhe e rrjepin, duke ia punuar nën rrogëz dhe duke luftuar fyt e fyt kundër njëri tjetrit. Këta nuk luftojnë si Gjoleka, që luftonte në Kuq, në Manastir, në Janinë dhe në Podgoricë, për të ruajtur Atdheun, gjakun e rënë dhe varret e të parëve, Gjoleka që nuk luftonte për vete, por për katër vilajete.

Shpjegim fjalësh:

1) Qarshi, – rrugë e qytetit.

2) Shahi, – lloj arme, pushkë e gjatë.

3) Gajret,- turq, durim-i.

4) Mileti, – turq. popull.

5) Dori-a, at i shalës, atkinë.

Literatura:

Visaret e kombit I”, Shkodër 1937.

Historia e popullit shqiptar, Tiranë 1968.

Epika Historike II, Tiranë 1981.

Bajrush Doda. (Youtube)

Augustin Ukaj. ( Youtube)

Kënga greke: “Gjon Leka Luani i Shqipërisë”.

( To Gjonleka Asllan tis Arvanites).

Loading...