Manastiri i Zvërnecit dhe historitë rreth tij!

lirjan Gjika

E vendosur në ishullin e Zvërnecit kisha e shën Marisë i ngjan një anije të vjetër që lundron e vetme në lagunën e Nartës.

Duke e vizituar nga afër duket sikur ora ka mbetur në këtë vend prej kohësh. As fëshfërimat e gjetheve të pyllit aty pranë dhe zhurma e valëve nuk e prishin qetësinë e saj shekullore.

Vetëm kambanat e ‘’kanë këtë privilegj’’. Herë pas herë tingëllimat e tyre që paralajmërojnë festat fetare apo ditët e shënuara duket sikur na kujtojnë ngjarjet e së kaluarës dhe njerëzit që prehen në varrezën aty pranë.

1.

Manastiri i Shën Marisë së Zvërnecit është një prej manastireve e njohur bizantinë në rajonin e Vlorës. Ai ndodhet në një vend të spostuar në një ishujt e lagunës së Nartës. Largësia nga qendrat e banuara, izolimi dhe vendi i mbrojtur e bënin këtë vend të përshtatshëm për ngritjen e një objekti të tillë. Pikërisht edhe themeluesi i jetës manastiriale, Pakomi, në të tilla vende e nisi aktivitetin e monakizmit dikur në Egjiptin e shekullit të IV.

Të vendosur në manastire të veçuara në to jetonin murgjit, njerëz që i largoheshin jetës së përditshme dhe kërkonin në vetmi paqen dhe qetësinë. Detyra e tyre ishte që ti luteshin zotit së bashku dhe pjesën tjetër të kohës ta kalonin duke ju përkushtuar zejeve, shkrimit të librave, apo veprimtarive të tjera humane.

Pakomi përcaktoi edhe rregullat e para të këtij shërbimi siç ishin betimi, besimi, dhe bindja ndaj kryemurgut, të cilat u shoqëruan me krijimin e manastireve të para, të cilët ishin institucione të veçanta që vepronin brenda kishës.

Por “jeta e murgjve’’ nisi zyrtarisht në fund të shekullit të V-të, kur murgu italian, Benedeto i Norçias, formuloi “Rregullin e Mjeshtrit”, i cili rregulloi veprimtarinë e jetës monastike.

Pikërisht në kohën e sundimit të perandorit Justinianit (527-565) monakizmi dhe ngritja e manastireve mori një përhapje të gjerë (Pierre Milza, Historia e Italisë, SH.B. Dituria, Tiranë 2012, f. 158). Diku rreth shekullit të VI-të, kjo traditë nisi të aplikohej edhe në vendin tonë, duke krijuar një rrjet të gjerë manastiresh ku vetëm në rajonin e Vlorës, ku ruhen sot si kisha të tilla ato të Zvërnecit, Marmiroit dhe bregdetit të Himarës.

2.

Sipas studiuesit Aleksandër Meksi, kisha e Shën Marisë së Manastirit të Zvërnecit, është e tipit “kryq i lirë” me kupolë. Ajo mbart në vetvete dy faza ndërtimi, duke u veçuar në pjesën e vjetër dhe atë të re. E vjetra përbëhet nga naosi (salla) dhe narteksi (parasalla).

Naosi ka formën e një kryqi të lire dhe dhe përbëhet nga absida, një protezis gjysmërrethor dhe diakonikoni. Pjesën më të madhe të tij e zë tamburi me kupolën, i cili është ndërtuar me gurë e copa tullash të vendosur me llaç midis tyre.

Ndërsa narteksi është pjesa tjetër e ndërtimit të vjetër që përfaqësohet nga një zgjatim katërkëndor. Ngjitur me të ndodhet edhe pjesa më e re e kësaj kishe që përbëhet nga ekzonarteksi (portiku) dhe këmbanorja.

Ekzonarteksi është ndërtuar me të njëjtën teknike si pjesa e vjetër e kishës dhe është shtuar më vonë. Fasada e tij përbëhet nga shtatë harkada të mbështetura në gjashtë kolona, të cilat janë ndikim i arkitekture romake në atë bizantine. Në pjesën perëndimore të kishës ndodhet kambanorja, e cila mund të jetë e të njëjtës kohë ndërtimi me ekzonarteksin (Aleksandër Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1983, f. 128-129).

Për përcaktimin e kohës së ndërtimit të kësaj faltore kristiane ekzistojnë disa mendime. Aleksandër Meksi argumenton se kisha i përket shek XIII-XIV. Ndërsa studiuesit austriakë, Helmut dhe Herta Bushhausen, mendojnë se koha e ndërtimit të saj i përket shekullit të X (Bushhausen, 1976).

Një tjetër studiues, Krauthemeri, mendon se ky tip e ka marre stilin arkitektonik nga mauzoleumet romake dhe është ndërtuar larg qendrave urbane midis shekujve X-XI. Kjo ide duket interesante sepse çuditërisht brenda kishës në naos ndodhet në dyshemenë e tij edhe një pllakë varri, për të cilin, studiuesi Theofan Popa, aludon për një prej anëtarëve të familjes fisnike Karanxha.

3.

Një hipotezë e hedhur e hedhur nga Popa mbështetet tek shkrimet e historianes së njohur bizantine Ana Komnenës. Tek shkrimet e saj ndeshet edhe emri i Argiros Karanxhas, i cili ishte komandant i gardës perandorake bizantine. Ai u dërgua në vitin 1091 nga perandori Aleks Komneni me mision në Durrës, i pajisur me dy letra.

Njëra prej tyre ishte për dukën e Durrësit, Joan Komnenin, ndërsa tjetra ishte për parinë e këtij qyteti. Argjiro Karanxha u nis drejt këtij qyteti me qëllim të dyfishtë. Si fillim ai do të dorëzonte letrën e parë e cila i kërkonte dukës Joan, që të shkonte në Kostandinopol për të dhënë shpjegime pasi dyshohej për veprimtari komplotiste. Qëllimi kryesor i Argjiros ishte ta bindte atë që të nisej drejt kryeqytetit ndërsa ai vetë të merrte drejtimin e Durrësit.

Ndërkohë që letra e dytë me të cilën perandori e kishte ngarkuar Karanxhasin ishte tepër sekrete. Atë ai do ta përdorte në rast se vërtetohej fakti se duka Joan ishte vërtet komplotist. Atëherë Argjiroja do ta hapte këtë letër në prani të parisë së Durrësit për të arrestuar Dukën Joan, që ishte njëkohësisht edhe nip i perandorit. Por në këtë mision u përdor vetëm letra e pare.

Joan Komneni ju bind vullnetit të perandorit dhe u nis drejt vendndodhjes se tij në Filipol të Bullgarisë. Këtu perandori Aleks e priti dhe pasi u bind se akuzat e përhapura për të nipin ishin të rreme e nisi përsëri drejt Durrësit ku e “thërriste detyra”. (Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, shek X-XV, Tiranë 1975, fq 107).

Këtë dëshmi na jep në librin e saj “Aleksiada” historiania bizantine Ana Komnena për misionin e komandantit Argjiro Karanxhas në vitin 1091 (Alexias, vol II. Lib VIII, 7.8 f. 19-23). Argjiro duhet të ketë qëndruar në Durrës për një periudhë të shkurtër pothuajse dy mujore. Për fatin e tij nuk dihet gjë se ç’ndodh më tej.

Ndoshta varri brenda kishës së Shën Marisë në manastirin e Zvërnecit i përket atij. Gjithsesi një hipotezë të tillë e hodhi studiuesi Theofan Popa në librin e tij: “Mbishkrime të kishave të Shqipërisë”. Sipas tij ajo është një pllakë guri gëlqeror, me gjatësi 1.87 m dhe gjerësi prej 0.67 m. Mbishkrimi është vendosur në një fushë të sheshtë kurse pllaka anash është zbukuruar nga imitimi i dy kolonave korintikë, sipër të cilave qëndron një hark. Mbishkrimi përbëhet nga tre rreshta dhe përmban këtë tekst: “Këtu prehet Kondos Karanxhas, burrë fisnik me prejardhje prej një fisi fisnik, degë fisnike” ( Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 145-146). Poshtë mbishkrimit dora e e një skulptori ka gdhendur me shumë art një kafkë njeriu, rrethuar prej një gjarpri e të kurorëzuar prej dy kockash simbol i cili nuk është shpjeguar deri më tani.

4.

Por historitë rreth këtij manastiri nuk përfundojnë këtu. Në librin e tij “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera”, një autor modern si Eqrem Bej Vlora, citon një kronikë anonime normane të titulluar “Breve cronica normanna”.

Sipas saj gjatë fushatës normane të vitit 1081, kalorësi i shquar i shquar i Perëndimit, Boemundi i Tarentit, pasi pushtoi Vlorën rrethoi edhe kështjellën e Kaninës. Në pamundësi për ta marrë me luftë, njerëzit e tij përdorën një tjetër taktikë.

Ata e bindën gruan e komandantit bizantin që për një shpërblim të mirë të vriste të shoqin dhe t’u hapte portat e fortesës. Gruaja tradhtare veproi sipas porosisë dhe u shpërblye për veprën e kryer.

Por kur në Vlorë mbërriti nga Italia e Jugut, Robert Guiskardi, i ati i Boemundit ngjarjet morën një tjetër rrjedhë. Pasi dëgjoi për këtë ngjarje, kalorësi i shquar norman u revoltua nga kjo vepër e ulët dhe urdhër, që gruan tradhtare ta burgosnin në Manastirin e Zvërnecit (Eqerem Bej Vlora, Kalaja e Kaninës dhe Shkrime të tjera, Koçi, 2004, f. 32).

Loading...