Meta: Hetim deri në fund kërcënimeve ndaj gazetarëve

Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”, – tha sot Presidenti Ilir Meta, duke dënuar me ashpërsi rastet tronditëse të ndodhura së fundmi, të kërcënimeve dhe agresioneve ndaj gazetarëve.

Meta priti sot në një takim gazetarin Julian Shota të kërcënuar me jetë në krye të detyrës, i cili e informoi kreun e shtetit për rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja.

“Inkurajoj gazetarin Shota dhe të gjithë gazetarët të vijojnë misionin e tyre me guxim, pa u trembur dhe shantazhuar nga askush”, – tha Meta, duke shprehur solidarizimin e plotë me të gjithë komunitetin e gazetarëve.

Presidenti u bëri apel institucioneve ligjzbatuese për të vepruar me shpejtësi për hetimin dhe zbardhjen e autorësisë dhe motiveve të këtyre sulmeve ndaj gazetarëve.

Fatkeqësisht, tha ai, sulmet dhe agresionet ndaj gazetarëve janë shpeshtuar.

“Çdo vonesë në zbardhjen e sulmeve ndaj tyre do të ndikojë negativisht në klimën e lirisë së shprehjes në Shqipëri. Kërcënimi me jetë i gazetarit Julian Shota, sulmi me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala dhe moszbulimi i autorëve të rrahjes barbare së gazetarit Elvi Fundo, janë ngjarje tepër të rënda”, – tha Meta.

Ndaj Presidenti u bëri apel organeve të sundimit të ligjit, të hetojnë me shpejtësi, transparencë, në mënyrë të plotë e shteruese dhe të venë para ligjit këdo që qëndron pas këtyre ngjarjeve.

“Apel institucioneve ligjzbatuese të punojnë maksimalisht për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen. Mosndëshkimi i krimeve kundër gazetarëve duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, – shtoi Presidenti.

Po ashtu Meta theksoi se “raportimet se të paktën 12 gazetarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së dhe SHBA për shkak të rreziqeve të punës, ndërsa 34 të tjerë kanë kërkuar shtetësi në vende të tjera, janë tronditëse”. /m.m/ /a.g/
ATA

Loading...