Kryemadhi: “Mandatet tona sot nuk janë fasadë,por janë të shqiptarëve. S’ka kthim pas”

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka dalë para mijëra protestuesve duke mbrojtur policët dhe duke akuzuar qeverinë.

Kryemadhi tha se policët janë njësoj si gjithë shqiptarët, ndërsa theksoi se mandatet e opozitës nuk janë më fasadë e narkoshtetit por të shqiptarëve. Ajo deklaroi se nuk më kthim pas.

“Motra dhe vëllezër, të dashur vëllezërit tanë policë që sot i kanë vendosur përballë prindërve të tyre e motrave të tyre. Ata policë që rrogat e tyre janë vetëm 300 mijë lekë të vjetra sa kushton një kollare e Edi Ramës nuk mund të jenë ushtruesit e dhunës. Ata policë që janë njësoj si gjithë shqiptarët, që paguajnë faturën e energjisë si ju më shtrenjtë se ndonjëherë. Ata policë njësoj si ju kanë hedhur letra për legalizimet e shtëpive të tyre dhe Edi Rama përdor uniformën për t’i kërcënuar.

Motra dhe vëllezër sot mandatet tona nuk janë mandate të narkoshtetit, nuk janë më fasadë e narkoshtetit. Sot mandatet tona janë të shqiptarëve pavarësisht bindjeve. Sot mandatet tona janë për t’u kthyer edhe njëherë në 1990 për të thirrur ‘liri demokraci’”, deklaroi Kryemadhi.

Kryemadhi tha se mandatet digjen që të mos guxojë njeri të vijë në pushtet me paratë e drogës. Kryemadhi u shpreh se Rama është fshehur si miu.

“Mandatet tona sot nuk janë fasadë, por janë mandatet tona janë mandatet e naftëtarëve dhe të studentëve që në mënyrën më të bukur i nxorën bojën Edi Ramës. Nëse në çdo vend të Europës një kryeministër apo një deputet do faktohej se votat e tyre janë blerë me paratë 3 drogës të jeni të bindur se jo vetëm do ishin në burg, por do kishin djegur çdo cep të narkoshtetit. Djegia e mandatave tona nuk ka të bëjë me pozicionet politike, por me fundin e tranzicionit. Mandatet tona digjen që të mos vijë më njeri në pushtet me paratë e krimit. Nuk ka më kthim pas pasi do na mallkojnë fëmijët tanë. Rama ka ikur sepse po të ishte i fortë ai sot do ishte në atë sallë. Nuk do ikte si Arabati që nuk rri në një vend. Fshihet si miu mes vrimave të krimit dhe të drogës”- tha Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Loading...