Sikur s’jetoj në vendin tim
Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim,
Po në një vend të huaj dhe të largët,
Në një qyetet me buba dhe me minj,
Mes mureve të rrjepur dhe të lagët.
Çuditem pse kështu më duket shpesh,
Kur s’ka njeri shtëpia, kur jam vetëm,
Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh,
Dhe mua flluska flluska ma bën jetën.
Më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm,
Helmohemi ç’do çast me njëri tjetrin,
S’e di nga vjen ky helm e s’kam ç’të them,
Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin.
Ky vend më duket do helmohet krejt,
Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet,
Pastaj do tundet toka në tërmet,
Dhe Djalli i Madh do qesh e do zgërdheshet.
I huaj jam në vendin tim mjerisht,
Dhe kur rreth meje ka me dhjetra njerëz,
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gervish,
Më bën të qaj si nxënës prapa derës.
– Dritëro Agolli