Receta:
600 gr miell 2-3 lugë gjelle vaj ulliri 150 ml ujë i ngrohtë 200 ml kos 1 lugë e vogel kafeje sode buke 1 lugë e vogël kafeje maja buke pluhur 1 lugë çaji kripe gjalpë për pjekje Për lyerjen sipër 1 të verdhe veze 1 lugë qumësht Për mbushjen:
Lakra të egra të përziera rreth 800 gr (unë kisha lulëkuqe, qumështore, pak labot, nena, pak lëpjetë, rrepice, shtrapull, pak hithër)200 gr ajke qumështi 4 qepë të njoma 1 tufë kopër 100 gr djathë të bardhë 3 lugë vaj ulliri kripë
Përgatitja:
Me të gjithë përbërësit zëmë brumin. Në fillim përziejmë të gjithë përbërësit e thatë.
Në një tas përziejmë të gjithë përbërësit e lëngshëm.
Brumin e zëmë jo shumë të fortë por as të butë fare, nëse na del i ujshëm i shtojmë pak miell, nëse na del i fortë i shtojmë pak ujë të vakët dhe e punojmë mirë të përfitojmë një brumë elastik.
Brumin e lëmë në qetësi të mbuluar me qese plastike. Ndërkohë merremi me lakrat e egra. I qërojmë dhe i pastrojmë mirë një nga një, pastaj i lajmë me ujë të bollshëm disa herë, derisa uji të dalë i pastër.
Në një tenxhere të madhe vëmë ujin të marrë valë, hedhim aty 1 lugë gjelle kripë, shtojmë lakrat dhe i lëmë të ziejnë rreth 2-3 minuta. Pastaj i kullojmë dhe i shpëlajmë në ujë të ftohtë derisa të ftohen plotësisht dhe i kullojmë mirë në një kullesë.
Në një dërrasë kuzhine i grijmë imët lakrat me një thikë dhe i hedhim në një tas të madh. Aty shtojmë qepët e njoma të grirë imët, koprën, ajkën, djathin, vajin e ullirit dhe kripën dhe i përziejmë me një lugë. Marrim brumin dhe e ndajmë në tri pjesë të barabarta. Njërën pjesë e ndajmë përsëri edhe në dy pjesë të tjera pra gjithsej kemi 4 pjesë dy më të mëdha dhe dy të vogla. I punojmë të gjitha, i japim formën e një topi dhe i mbulojmë përsëri për t’i lënë të pushojnë.
Marrim një tepsi me diameter 35-40 cm, e lyejmë me gjalpë ose shtrojmë një letër pjekëse. Hapim topin e parë në tavolinën e punës me diametër sa tepsia dhe e shtrojmë në tepsi.
Hapim njërin prej topave të vegjël për se gjati dhe e presim në shirita nga të dyja anët. Në mes hedhim lakra të egra dhe bëjmë gërshetin duke i mbledhur bukur. Kështu veprojmë edhe me topin tjetër të vogël të brumit. Të dy gërshetat i vendosim anash.
Mbi petën e parë hedhim mbushjen e mbetur e hapim dhe e sheshojmë me një lugë. Me topin tjetër të brumit hapim një petë të madhe rreth 40 cm.
Këtë petë e presim në shirita dhe me shiritat mbulojmë gjithë sipërfaqen ku kemi hedhur mbushjen. Me pjesët e mbetura unë bëra ca gjethe në formën e gjetheve të lulëkuqes dhe ca petale si lulëkuqja dhe i shpërndava mbi shiritat e brumit, sipas shijes sime.
Ju mund ta bëni si t‘ju pëlqejë. Të gjithë sipërfaqen e lyeva me të verdhën e vezës të përzier me 1 lugë qumësht, me një furçë kuzhine. Spërkas me ca copa gjalpi sipërfaqen dhe e vë piten të piqet rreth 35-40 minuta në 200 gradë./Living/
Ju bëftë mirë!