Berisha: “Ju garantoj…zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë!

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka dhënë përgjigje thirrjeve të ashpra nga ndërkombëtarët për mos djegien e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës.

Thotë se nuk beson që qëndrimet e tyre të kenë qëllim të keq, por i bën thirrje atyre të vijnë në Shqipëri dhe të shohin një realitet që sipas tij është ndryshe nga ai që i ofrohet në dosje në tavolinat e tyre.

“Në mënyrë të padiskutueshme asnjë përfaqësues i vendeve demokratike nuk mbështet një veprim të tillë, por me këtë rast duhet të siguroj të gjithë miqtë tanë kudo që janë se ky është një veprim që ka një qëllim të vetëm, mos pranimin për të mos qenë fasadë e së keqes dhe daljen në fushë betejë për të mbrojtur vlerat e shoqërive të lira.

Kam mirëkuptim për kritikën, por u bëj thirrje të vijnë të shohin realitetin në Shqipëri, dhe i siguroj se do të gjejnë një realitet krejtësisht ndryshe nga ai që mund të kenë në dosje realitetin e vënë në tavolinë”, tha Berisha.

A keqinformohen ndërkombëtar?!

Berisha jep një përgjigje duke hequr paralele mes Komisionit Evropian dhe Këshillit të ministrave të KE.

Berisha përgjigjet:” Janë dy raporte të KE që i japin Shqipërisë hapjen e negociatave

Kurse Këshilli i Ministrave i caktoi këto 10 kushte. Nuk besoj se Këshilli i Ministrave e pati me inat me Shqipërinë, por e pa se realiteti nuk është ai që paraqitet në raporte

Ata kanë qëllime të mira jam i sigurt, por të vinë të shohin një realitet që do jetë në shumë aspekte krejt tjetër”

Një apel e kishte edhe për socialistët:

“U bëj thirrje socialistëve në interesin më të mirë të tyre dhe të Shqipërisë të largojnë me urgjencë Edi Ramën, dhe klikën e tij nga pushteti, mbasi e them me bindje me të gjitha ndijimet e mia, se urrejtja ndaj Edi Ramës dhe regjimit të tij bëhet çdo ditë e më e pakufijshme, ata duhet ta dinë se unë kam konstatuar më 16 shkurt dhe dje, në masat e gjera protestuese, atë urrejtje që e kam takuar vetëm në vitin 1990-’91, nda diktatorëve dhe diktaturës, në këto kushte u bëj thirrje socialistëve mos nënvleftësoni situatën, se dënimi mbarëpopullor për Edi Ramën po afron dhe do të jetë i sigurt dhe tepër i rëndë, ndaj dhe t’i thërrasin mendjen, të mos lejojë përshkallëzimin sepse ky revolucion i filluar nga studentët, duhet ta pranoj, kanë një meritë historike sepse guxuan dhe mbushën sheshet, sepse në çdo sallë e nxorën lakuriq të ligun më zi sesa në plazhet e botës, treguan se cili është formimi i tij, tani e kanë marrë fjalën qytetarët nga gjithë Shqipëria. Çdo javë e Ramës në pushtet është rrezik kombëtar”, u shpreh ish-kryeministri.

A do të bojkotojë opozita zgjedhjet?

Berisha thotë se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë më në Shqipëri.

“Opozita po bën përgatitje të etshme për zgjedhjet, por zgjedhje me Edi Ramën në Shqipëri nuk do ketë më, për këtë ju garantoj”, tha Berisha.

Me protestat e nisura opozita e bashkuar shqiptare kërkon qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme, por në mënyrë kategorike kryeministri Edi Rama është shprehur se vendi nuk do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Pas protestës së djeshme, opozita dorëzoi mandatet e deputetëve, pavarësisht thirrjeve të ashpra nga ana e ndërkombëtarëve për të mos shkuar drejt këtij akti që sipas tyre cënon jo vetëm demokracinë e vendit por edhe të ardhmen integruese të Shqipërisë.

Deklaratat për gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha i bëri pasi vizitoi një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të piktorit të shquar shqiptar Avni Delvina. Nuk la pa bërë edhe komentet e tij ndaj kryeministrit Edi Rama, duke kritikuar pasionin e tij, pikturën.

“Zoti Delvina dhe kuratori Dhales janë nga ata dy shqiptarë që u përballën ndër të parët me diktaturën në korrik të vitit 90 morën rrugë që dolën në vendet e lira dhe shkëlqyen me talentet e tyre. I dhanë Shqipërisë dhe shqiptarëve emër të mirë kudo që shkuan me vepra arti të arrira, të vlerësuara nga mbarë kritika.

Dënoj asgjësimin që i bëri zhgarravitësi i droguar pikturës shqiptare, siç e shini nuk ka më ekspozita, ekziston një galeri ku nuk guxon të hapë ekspozitë se zhgarravitësi mendon në paranojën e tij se vetëm zhgarravinat e tij anti-art do ti paraqesë për art dhe nuk mund të konkurrohen. Por çdo gjë ka një fund dhe ky fund është i afërt”, përfundoi ish-kryeministri.

E mbylli deklaratën e tij me një thirrje tjetër drejtuar socialistëve: “Largojeni të mos e largojë populli, se bunkeri dje shkoi u fut në bunkerin e “Rognerit”. Atje do shkojnë ta kapin ta nxjerrin nga vrima e miut, ta heqin mos ti shkaktojnë trauma të tjera vendit”.

https://www.facebook.com/SaliBerisha/videos/976222832756672/?t=0

Loading...