Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit, mbështetje për 60 mijë banorë të jugut

Riviera shqiptare është një nga asetet më të rëndësishme turistike në vend. Kombinimi i natyrës me detin e kristaltë dhe trashëgiminë kulturore që daton nga periudha ilire, po tërheq çdo vit vëmendjen e turistëve, duke ofruar për komunitetin lokal më shumë mundësi për gjenerimin e të ardhurave nga ky sektor.

Që popullsia rurale, veçanërisht në zonat më të thella të jugut, të përfitojë sa më shumë nga zhvillimi i turizmit, në vitin 2015 nisi zbatimin nga GIZ programi ‘Zhvillimi i Integruar dhe i Qëndrueshëm i Rajonit Bregdetar Jugor’, i financuar nga Qeveria Gjermane.

Shtyllat kryesore ishin; Territori dhe Planifikimi bazuar në Planin e Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe zhvillimin e instrumenteve dhe modeleve për ruajtjen dhe rijetësimin e fshatrave tipikë të bregut; Hartimi i Modeleve për turizëm të qëndrueshëm dhe integrimin e produkteve në zinxhirin e vlerës.

Programi bashkëpunoi ngushtë me partnerët në nivel qendror dhe vendor për të ofruar mundësi për 60.000 banorë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fshatit, ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike si dhe mbrojtjes së natyrës.

Disa nga rezultatet e programit janë hartimi i strategjive lokale për zhvillimin e turizmit dhe krijimi i markës rajonale ‘South’ për promovimin e produkteve lokale të zonës.

Me mbështetjen e programit, riviera shqiptare është promovuar në panaire të rëndësishme ndërkombëtare të turizmit si në Panairin e Berlinit apo Shtutgartit.

Organizimi i tureve me gazetarë dhe operatorë turistikë gjermanë në Shqipëri ka zgjeruar informacionin që kanë të huajt mbi mundësitë që ofron vendi ynë në turizëm. Jugu i Shqipërisë është promovuar gjerësisht në median gjermane ndërsa operatorët turistikë gjermanë e kanë përfshirë si destinacion në paketat e turizmit.

Janë identifikuar dhe shënjuar shtigje për ecje në mal dhe mountain biking. Janë hartuar guida turistike për 15 fshatra të Bashkisë së Himarës si dhe është mbështetur celja e Qendrës së Informacionit Turistik në Himarë.

Dhjetëra pronarë bujtinash janë trajnuar për të ofruar shërbim sa më cilësor për vizitorët e fshatrave të jugut.

Hartimi i një udhëzuesi praktik për ruajtjen e ndërtesave tradicionale në Bashkinë e Himarës dhe mbështetja e nismave për restaurimin e objekteve të rëndësishme si ajo e kishës së Shën Sergit dhe Shën Bakut.

Krijimi i një aplikacion për Android dhe IOS me të dhëna mbi zonat e mbrojtura natyrore dhe kulturore të jugut.

Organizimi i disa festave lokale dhe ‘Outdoor’ si: South Outdoor Festival Pilur 2017, Vuno 2018 dhe Borsh 2019; Festa e Ullirit në Lukovë apo Festa e Mandarinës.

Në përmbyllje të programit, sot në orën 18:00, në ambientet e Kalasë së Tiranës do të zhvillohet një aktivitet ku do të ekspozohen guidat turistike të fshatrave të jugut, skicat e realizuara nga studentët e fakultetit të Arkitekturës dhe suvenire të ndryshme nën markën e rajonit të jugut./atsh

Loading...