Prokurori Ramadan Troci në sitën e Vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi seancën dëgjimore për Ramadan Trocin, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme i cili iu nënshtrua  procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurisë, integritetin etik dhe profesional.

Prokurori Ramadan Troci është dhe kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, KLP.

Sipas KPK ka përfunduar hetimi në të te kriteret e vlerësimit, pasurinë, imazhin dhe aftësitë profesionale dhe ka rezultuar se Prokurori Troci ka problematika në deklarimin dhe justifikimin e pasurisë. Një prej këtyre problemeve ka të bëjë me një objekt në Paskuqan.

Relatorja, Pamela Qirko tha se ILDKPKI ka sjellë raport që deklarimet e Trocit nuk janë të sakta, ka kryer deklarim të rremë dhe ka fshehur pasurinë.

Sipas ILDKPKI, Troci ka fshehur legalizimin e një objekti 32 metra katrorë në Paskuqan.

“KPK kreu hetim të thelluar të pasurisë së prokurorit Troci. Sipas hetimit të KPK, pasuritë që iu nënshtruan hetimit administrativ janë: apartament banimi 108.7 m2 të ndodhur në Kashar. Si burim i blerjes së kësaj pasurie janë deklaruar 2.9 mln lekë kursime nga ai dhe bashkëshortja dhe kredi 2.5 mln lekë. Konstatohet se në mars 2011 ai ka porositur apartament. Në dhjetor 2011 është lidhur kontrata me shoqërinë për 5.4 mln lekë”, ka deklaruar Qirko.

Nga verifikimi i KPK rezulton se shuma totale ka qenë 45 mijë euro, e ndarë në këste. Kësti i parë ishte paguar para lidhjes së kontratës 20 mijë euro. Kësti i dytë është paguar pasi është lidhur kontrata, 20 mijë euro. Dhe i fundit 5 mijë euro është paguar në përfundim të apartamentit, thuhet në raport.

Sipas KPK, Troci i ka burimet e ligjshme për kursimet që kanë shërbyer si burim për blerjen e apartamentit. Por ka dyshime për një shumë prej 700 mijë lekësh të rinj të gruas së Trocit që është deklaruar në Vetting si burim për blerjen e apartamentit.

Nga verifikimet rezulton se shuma në fjalë është transferuar tek llogaria e nënës së saj dhe nuk ka shkuar për blerjen e apartamentit. Dyshime ka edhe për blerjen e një makine Benz, për shumën 700 mijë lekë gjithashtu.

Prokurori Troci e ka nisur karrierën në institucionin e akuzës në vitin 2000 dhe përgjatë një dekade ka punuar si prokuror në Bulqizë dhe në Dibër.

Në vitin 2012, ai u transferua në prokurorinë e Tiranës, në vitin 2014 në prokurorinë e Vlorës dhe prej vitit 2016 punon si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Trupën gjykuese që përbëhet nga Pamela Qirko, Genta Tafa (Bungo), Suela Zhegu do të vendosin nëse prokurori Troci do të konfirmohet ose jo në detyrë.ATSH

Loading...