Arrestohet autori i dyshuar për vrasjen e Lirie Xhepës, trupi i së cilës u gjet i masakruar në ferrat

Policia ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së Lirie Xhepës rreth dy javë pas ngjarjes, trupi i së cilës u gjet i masakruar në ferrat e liqenit të Sharrës.

Gazetarja e “BalkanWeb”, Dorjana Bezat raporton se Dashamir Xhepa është arrestuar në Peshkopi, ndërsa po tentonte të largohej jashtë vendit.

Xhepa u shpall në kërkim me datë 14 shkurt, ndërsa sot u gjet i fshehur në shtëpinë e shtetasit Mensut Sula në tentativë për t’ia mbathur nga Shqipëria.

“BalkanWeb” ka mësuar se konflikti mes Lirie Xhepës dhe kunatit të saj Dashamirit ka nisur që në 2008 për pronat. Madje në 2008 ajo ka shkuar në spital me shenja dhune në kokë, por ka deklaruar se ka renë nga shkallët.

“Kapet dhe arrestohet autori i dyshuar i vrasjes së shtetases L. Xh., ngjarje e ndodhur më 13 shkurt 2019, pranë kodrave të liqenit të Sharrës.

Në pranga dhe një tjetër shtetas për “Përkrahje të autorit të krimit”.

Shërbimet e Policisë Tiranë, pas identifikimit të autorit të dyshuar të vrasjes së shtetases L. Xh., janë vënë në ndjekje intensive të tij. Në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative shërbimet e Policisë lokalizuan vendodhjen e autorit të dyshuar, shtetasit D. Xh., dhe bënë kapjen dhe arrestimin e tij në qytetin e Peshkopisë ku dhe strehoej.

Gjithashtu u arrestua dhe shtetasi M. S., për “Përkrahje të autorit të krimit”, i cili ka ndihmuar dhe strehuar autorin e dyshuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Armëmbajtje pa leje”, në ngarkim të shtetasit D. Xh., dhe për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”, në ngarkim të shtetasit M. S.”, njofton policia.

(BalkanWeb)

Loading...