Pese persona jane vene ne pranga nga nje aksion i policise shqiptare dhe italiane.
Te arrestuarit jane shqiptare te kerkuar per trafikimin e sasive te medha te lendeve narkotike ne Itali.
DEKLARATA E KREUT TE POLICISE: Finalizohet një tjetër operacion i përbashkët ndërkombëtar i koduar “METROPOLIS”.
Policia e Shtetit përditë e më shumë po rrit bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunim i ndërtuar mbi baza besueshmërie reciproke, duke zhvilluar dhjetra operacione ndëkombëtare.
Në këtë kuadër, gjatë 12 orëve të fundit është finalizuar një tjetër operacion i përbashkët me interforcën Italiane, i koduar “METROPOLIS”, në fushën e trafikut të drogërave të forta.
Njësia Hetimore Qëndrore në Departamentin e Policisë Kriminale në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit dhe me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Berat e Shkodër, në bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve me Interforcën Italiane dhe Karabinierinë e Breshias Itali, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin provizor me qëllim ekstradimi drejt Italisë të shtetasve:
• G.S., 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
• S. D., 43 vjeç, lindur në Gërmenj dhe banues në Tiranë.
• E.H., 39 vjeç, lindur dhe banues në Shijak/Durrës.
• A. M., 32 vjeç, lindur dhe banues në Shijak/Durrës.
• L. P. 35 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.
Njësia Operative Radiomobile e karabinierëve të Breshias/Itali, në muajin mars të vitit 2015, ka nisur hetimin në lidhje me aktivitetin kriminal në drejtim të importimit në sasi të mëdha të lëndëve narkotike të llojit kokainë, nga Hollanda në drejtim të Italisë.
Në përfundim të hetimeve, Gjykatësi për Hetimet Paraprake i Gjykatës së Breshias/Itali, ka dhënë masat e arrestit ndaj 39 subjekteve.
Në këto masa përfshiheshin dhe shtetasit shqiptarë që ndodheshin në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilët u arrestuan me qëllim ekstradimi për në Itali.
Në përfundim të operacionit të përbashkët “METROPOLIS” me autoritetet policore italiane, u arrestuan gjithsej 33 persona, nga këta 5 persona në Shqipëri, ndërsa 6 persona të cilët nuk janë kapur ende, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe po vijon puna për kapjen e tyre.
Policia e Shtetit është e angazhuar për të rritur forcën goditëse në territor ndaj çdo paligjshmërie, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e tjetra ligjzbatuese dhe me partnerët ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ekonomik e financiar, korrupsionit, trafiqeve të paligjshme dhe akteve terroriste që cenojnë sigurinë e jetës së qytetarëve apo sigurinë kombëtare.