Nga Gëzim Llojdia
1.
Aty ka shekuj të tërë gati,nga mesjeta që nuk dëgjohet më kambana. Dhe ndërsa pyet:përse kambana nuk dëgjohen në fshatë? Gati e thjeshtë përgjigja. Nuk ka kishë. Prandaj s’ka kambanë. Në esencë krishterimi është i hershëm në trojet ilire ku rreth kësaj teze mbështetemi te thënia:” Prej Jerusalemit e përqark në Iliri kam përhapur Ungjillin e Krishtit” (Rom. XV, 19).Ky është zëri, që vjen nga një prej apostujve Shën Pali ,që mendohet se pas dimrit të shkuar në Nikopoj,në vitin ‘65 , përpara ardhjes së verës , zbriti drejt trojeve ilire. Një tregues i rëndësishëm për besimin ndër këta troje ishte apostolik ,shprehen studiues. Ardhja e krishterimit në trojet ilire katërçipërisht e vërtetojnë objektet e kultit.
2.
Qishbardha është emri i kahershëm i një fshati në Vlorë. Etimologjia e emrit vjen nga fjala kisha e bardhë, që në gjuhën vendase shpesh fjala kishë shqiptohet qishë,kështu këtë emrëtim e gjënë këtë edhe në zonën e lumit deri sipër rrjedhjes së tij në Kuc.Cilat janë emërtimet si psh;” lisat e qishës”,”bregu i qishës”, etj. Në 29.5.1972 me vendimin Nr.213 mbi emërtimin e disa fshatrave Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore të Shqipërisë me firmë të B.Klosit dhe H.Lleshit vendosi :.. III. Në rrethin e Vlorës:2. Fshati Qish- Bardhë emërohet fshati Sherishtë. Eqrem Çabej, thoshte se “emrat e vendeve janë më autoktonë e më të qëndrueshëm dhe më të lidhur me hapësirën e truallin, sesa emrat e personave që janë më të lëviz¬shëm e më të shtruar ndaj modës së kohërave”.
3.
Përse u emërtua ,për të thjeshtën arsye. Emërtimi Qishbardhë është emri i kishës së bardhë, që gjendet diku më tej dhe ngase regjimi e kishte shpallur vendin pa besime fetare dhe pa institucionet e saj si: kisha,xhami etj duke hequr fare fenë sigurisht do të ndryshonte edhe emërtimet. Feja ishte shpallur :”Opium për popullin”.Një luftë e tillë në horizonte po duket edhe sot,ngase ushtria e madhe e paganëve të përfaqësuar nga mediume gjoja të pavarura ,gazetarë,politikanë,profesor,studiues me të gjitha mjetet që u jep liria e shtypit janë ngritur në këmbë për të mos pranuar në shkollë një lëndë fetare.
Feja, thonë ata, bënë atë e këtë,sjell përçaje e çfarë nuk thonë o Zoti ynë i madh ti dëgjosh, sikur kjo kohë të ishte shkurti i vitit 1967. Përse “sovjetët e sotëm” i tremben vendosjes së një lënde fetare dhe se marrim me qetësi problemin,pra në fund të fundit çfarë mund të bëjë një lëndë e vetme në një sistem të tërë,arsimor përveçse kurrgjë. Nëse revolucionin antifetar të shkurtit 1967 e udhëhoqën komunistët ateistë, si duhet ta shpjegosh, që të djathtët apo mediume të tilla, po bien në një kurth të tillë,duke ju bashkuar zërave kundër ?
4.
Duke e lënë pas këtë shqyrtim kthemi te pjesa e kishës dhe mungesë së saj në fshatin me këtë emër. Nga varret e njëzetës dhe duke zbritur drejt fshatit. Dhe kur sot brenda tij objekti fetar është një xhami e quajtur xhamia Nur .E kanë ndërtuar besimtarët dhe kanë bërë mirë. Gjurmët e kishës që ka këtë emër gjenden përmbi kavën e gurit nëpër ca monopate thikë .Kisha e bardhë ka atje vetëm gjurmët e saj. Askush përveç arkeologëve nuk ka menduar se përveç besimit islam në këtë zonë rrallë gjen kishë,ndonëse ato qenë të parat që përhapën besimin fetar në këto troje jugore. Kemi të dhëna të tjera të sjella nga një ekspedite e Shkollës Doktorale të Institutit të Arkeologjisë drejtuar nga S.Mucaj në të cilën lexojmë:” Ja si e përshkruan fundin e qyteteve epirote (pra dhe të Qytezës së Armenit) historiani romak Tit Livi: “Në mëngjes ari dhe argjendi ishte grumbulluar, në orën e katërt (2 orë para drekës) iu dha shenjë ushtarëve për të plaçkitur qytetet. Pastaj u rrënuan muret e qyteteve të plaçkitura, të cilat ishin afro shtatëdhjetë.
Nga kjo datë e largët muret e shkatërruar kanë qenë pre e ndërtimeve të mëvonshme dhe së fundi me gurët dhe tullat e tij janë ndërtuar shtëpitë e fshatit. Në të njëjtën rrugë ka ecur dhe qyteza e periudhës helenistike në fshatin e Xhyherinës, që nga banorët quhet Kala. Sipas prof. Muçajt, më parë kjo nuk ka qenë në vëmendjen e kërkimeve në terren të arkeologëve dhe kjo për arsyen e thjeshtë se gurët e murit rrethues janë marrë deri në themelet e tij. “Përreth kësaj qyteze, me gurët dhe materialin tjetër arkitektonik janë ndërtuar shumë monumente të periudhave të mëvonshme. Midis tyre mund të veçohet një vilë romake dhe një kishë mesjetare në Kodrën e Beshos (Qishëbardhë), një termë romake poshtë mureve të qytezës, dy ura në përroin e Vllahinës, një vilë romake po në fshatin Peshkëpi, një kishë paleokristiane dhe një tjetër mesjetare në fshatin Risili, një kishë mesjetare në Xhyherinë dhe një tjetër në Qishbardhë. Me këto materiale janë ndërtuar dhe shumë banesa të tjera të periudhës romake dhe të antikitetit të vonë në këtë zone”. Në fshatin me emër kishe ,kisha ku mendohet se vuri kurorë Donika, nuk dëgjohen tingujt e kambanave. Ka një arsye do të pyesni:Arsye është e thjeshtë. Nuk ka kambanë,sepse kisha nuk ekziston .Gjurmët e kishës së vjetër ,ato janë gjenden larg dhe për më tepër për atje nuk ka udhë.Sot fshati me emrin e kishës ka në mes vetëm një xhami.Ja cfarë bashkëjetesë fetare kanë shqiptarët!
5.
Treva e Labërisë ku bëjnë pjesë fshatrat e lumit,ndër shekuj kanë qenë popullsi e krishterë.Po tu hedhësh një sy gjithë historikëve të këtyre fshatrave do të gjesh këtë fjali :feja e tyre ishte krishterimi,ose u bënë të krishterë,përqafuan krishterimin,ndërtuan kishë e manastire etj,etj. Nëse nisemi nga Kuci,fshat i rëndësishëm i Kurveleshit të poshtëm thuhet se në shek. IV Kuçi u përfshi në fenë e krishterë .Fshati ka rreth 20 kisha (gërmadha në territorin e tij, në lagje e fise, me emra shenjtorësh).Kush ka qenë në rrëzë të borshe duken dy lisë dhe gjurmët e kishës,vendasit u thonë:te lisat e qishës. Aktualisht sot në këtë fshat të njohur nuk ka asnjë objekt kulti. Madje në të gjithë këtë rrjedhë të lumit që zë fill në buronja,deri në Gjormë nuk ka një besim kulti ndërsa paganizmi duket se u është rikthyer edhe një herë në historinë e këtyre trevave. Fshatrat që kishin mbi 20 kisha, sot s’kanë asnjë objekt kulti,asnjë kambanë nuk bie
ditën për diell nëpër fshatrat e krishterë.