Reagimi më i fundit vjen nga gazetarja e njohur Sonila Meço, e cila përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, tregon se çfarë prisnin shqiptarët nga deputetët e Brukselit, ndryshe nga çfarë deklaruan ata para mediave.
Vizita dhe deklaratat e 7 eurodeputetëve që vizituan dy ditët e fundit Shqipërinë vijojnë në qendër të vëmendjes.
Reagimi më i fundit vjen nga gazetarja e njohur Sonila Meço, e cila përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, tregon se çfarë prisnin shqiptarët nga deputetët e Brukselit, ndryshe nga çfarë deklaruan ata para mediave.
“Sot pritej nga ndërkombëtarët të flisnin jo vetëm për pasojat, por mbi gjithçka për shkaqet. Sepse nesër mund të mos jenë më eurodeputetë e një Zot e di kur do t’u bjerë sërish në mendje për Shqipërinë. Ndërsa ne do të ngrysim ditët këtu. Ndaj nëse nuk ia dolën deri më sot të mundësonin me udhëheqjet shqiptare një sistem minimalisht të pranueshëm në vendet e tyre, të paktën mos lënë tokë të djegur pas”, shkruan Meço.
Postimi i plotë i Sonila Meços
Pse u dashka t’i qëndrojnë disa opinioneve të ndenjura mbi situatën ndërkombëtarët dhe nuk veprojnë të pastrojnë ujrat? Se nuk i beson më askush se po i turrbullojnë për t’i kthjelluar. Jo më!
Atëherë pse nuk bëhen ata nismëtarë të një pakti, të një dokumenti ku qartaz të nënshkruhen nga liderët politikë rregullat për të patur një sistem? Se nuk është se e kemi të keq, por nuk e kemi asfare.
Sot pritej nga ndërkombëtarët të flisnin jo vetëm për pasojat, por mbi gjithçka për shkaqet. Sepse nesër mund të mos jenë më eurodeputetë e një Zot e di kur do t’u bjerë sërish në mendje për Shqipërinë. Ndërsa ne do të ngrysim ditët këtu. Ndaj nëse nuk ia dolën deri më sot të mundësonin me udhëheqjet shqiptare një sistem minimalisht të pranueshëm në vendet e tyre, të paktën mos lënë tokë të djegur pas.
Ja çfarë prisnin shqiptarët sot prej tyre, një zgjidhje ku të preken një herë e mirë shkaqet:
• Të hetohet deri në fund blerja e votës e të ndëshkohet çdo i përfshirë në të.
• Të vihet në lëvizje prokuroria (që duhet të ketë një kokë të votuar jo vetëm nga një parti politike dhe të marrë fund përkohshmëria e saj) për çdo dosje përgjimesh a akuzash mbi zyrtarë të shtetit, për skandale të qeverive që po myken nëpër sirtarët e saj.
• Të kryhet me themel reforma zgjedhore, produkt primar i së cilës të jetë demokracia përfaqësuese.
Që shqiptarët të mos votojnë më për listat e kryetarëve, por të zgjedhurit e tyre.
Që shqiptarët të kenë të mundur referendumet për të gjitha çështjet me rëndësi kombëtare dhe që prekin interesin publik.
Që vota e emigrantëve të vlejë.
Që të depolitizohet një herë e mirë administrata zgjedhore.
Që asnjë mjet e aset i administratës publike mos përdoret për fushatë.
Që të bëhet transparenca e plotë e financimit të partive politike nëpërmjet auditit ndërkombëtar.
• Të sanksionohet një herë e mirë kontrrolli dhe hetimi i plotë i koncesioneve të dhëna në vend, sidomos nga kompani të regjistruara në parajsa fiskale.
• Miratimi i kontratave koncesionare dhe PPP-ve, në rastet kur detyrimet buxhetore kalojnë një periudhë katër vjeçare të mos kryhet më me vendim qeverie (VKM), por me ligj nga Parlamenti.
• Heqje e lejes koncesionare për rastet e e evazionit fiskal nëpërmjet transferimit të kapitalit, që në Shqipëri ka krijuar miliona euro dëme.
• Ndalimin e pjesëmarrjes në tenderimet publike të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale offshore, si dhe në çdo licencë, që jepet për shfrytëzimin e pasurive kombëtare.
• Vetting në politikë
Po asnjë nga këto elementë nuk dëgjova të artikulohet nga ndërkombëtarët këtu a thua se raportet i marrin të gatshme nga sirtarët e paraardhësve të tyre. Për këto a kanë mendim, sugjerime? Se që Shqipërinë e duam të qetë, pa probleme, me parlament funksional e mirëqënie ekonomike ua themi ne. Veç nëse vendosni të bëni arbitrin, nuk mund të bëni dot as tifozin që rri me kurriz derisa të dëgjojë ne altoparlant rezultatin e as të jepni rezultate në tavolinë. Sa kohë as opozita s’mund të pretendojë fitore në tavolinë, askush nuk mund të japë verdikte nga e njëjta tavolinë.
Ndeshjen duhet ta garantoni me të njëjtat standarde si në çdo vend europian. Ky është misioni, që na keni prezantuar qysh ditën e parë kur thërritëm: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Por me vepra, ngjan se po na thoni: “E duam Europën si Shqipëria”.
Atëherë hiqeni fanellën e arbitrit dhe deklarohuni lojtarë. Në të kundërt a mundeni dy fjalë për sa më sipër???