Varfëria një sfidë për mbijetesë në çdo moment mban nën kthetrat e mjerimit edhe familjen Hoxha në fshatin Gjyralë në Cërrik.
Varfëria po u merr familjarëve edhe dritën e syve. Agim dhe Jaçe Hoxha, prej më shumë se 30 vitesh kanë humbur shikimin.
Sot, që të dy vëllezërit janë të verbër dhe të paaftë për punë.
Ata jetojnë vetëm më të ardhurat mujore që përfitojnë nga kempi. Për Agimin, barra është e dyfishtë, pasi ai ka edhe një vajzë të vogël për t’u kujdesur, ndërsa kushtet e saj shëndetësore përkeqësohen çdo ditë e më shumë nga alergjia që rëndohet nga kushtet e këqia të shtëpisë.
Ndërkohë Jaçe Hoxhën pamundësia ekonomike e ka detyruar që prej më shumë se 20 vitesh të vuajë dh.imbje të syve, pasi për të ka qenë i pamundur sigurimi i një vizite tek okulisti.
Veç kësaj, ai vuan edhe nga sëmundje të tjera të cilat kërkojnë kujdes mjekësor të vazhdueshëm.
Barrën më të madhe për t’u kujdesur për burrin dhe kunatin e verbër si dhe vajzën vetëm 5-vjeçe, e ka Borjana, e cila pavarësisht se ka mbaruar studimet për infermieri, nuk ka mundur të gjejë një punë.
Ajo tregon se paaftësia e burrit dhe e kunatit ka bërë që ajo të jetë e detyruar të qëndrojë në shtëpi, pasi për ta është e pamundur të lëvizin pa shoqërues.
Nënës i qan zemra edhe për vajzën e sëmurë, ndaj apelon për ndihmë.
Çatia e a.mortizuar dhe dhe lagështia kudo në shtëpi rëndon shëndetin e vogëlushes.
Amelia dergjet në shtrat prej ditësh nga sëmundja. Katër familjarët bëjnë apel për ndihmë nga kushdo që mundet t’i ndihmojë që pavarësisht se nuk mund të shohin, të mos ndiejnë braktisjen edhe nga shoqëria.