Ne jemi çfarë lexojmë, një hipotezë apo një e vërtetë e debatueshme?!

Kur një rrëfim na merr me vete, përvetësojmë identitetin e personazhit dhe e stimulojmë përvojën e tij në jetën reale

Shumë shpesh na ndodh që gjatë leximit të një libri, të apasionohemi aq shumë pas historisë, sa të fillojmë të identifikohemi me protagonistin e saj duke kërkuar pika të përbashkëta me të ose të kopjojmë sjelljen dhe mendimet e tij. Sipas një studimi të Universitetit shtetëror të Ohajos, ky është një proces shumë normal që studiuesit e kanë quajtur “përvetësimi i përvojës”, ose procesi spontan që çon në përvetësimin e identitetit të një personazhi në një rrëfim të shkruar në një libër dhe më pas stimulimi i përvojës së tij në jetën reale.

Pra, në një farë mënyrë, jeni duke humbur brenda historisë së shkruar (në mënyrë letrare) dhe e gjeni veten si pa kuptuar duke vepruar dhe menduar njësoj si protagonisti i romanit, për të arritur deri atje sa të modifikoni sjelljen tuaj në mënyrë që të jetë e njëjtë me atë të personazhit tuaj.

Hulumtuesit që morën përsipër të vërtetonin këtë teori, e ushtruan eksperimentin e tyre tek më shumë se 500 njerëz. Kështu, sipas rezultateve të studimit në fjalë, nëse p.sh dikush është duke lexuar një histori me fantazi e bazuar në një personazh i cili kalon çdo lloj pengese dhe bën çdo lloj sakrificë për të votuar, ky lexues identifikohet me personazhin dhe kjo e bën atë më të predispozuar që të shkojë të votojë në zgjedhje të vërteta në ditët në vijim. Të gjithë e kemi pasur këtë eksperiencë në një moment të caktuar të jetës sonë, shprehen studiuesit, por vetëm pak nga ne kanë rritur të vlerësojnë impaktin e kësaj lidhjeje mes ‘fiksionit’ ose letërsisë artistike dhe realitetit në jetën e përditshme.

Dhe nuk është vetëm ngjashmëria që në gjejmë me personazhin ajo që na bën ta imitojmë, por një rol të rëndësishëm luan edhe mënyra se si zbulohet gradualisht në kohë një karakteristikë e veçantë e personazhit. Për të kuptuar këtë u realizua një studimi. 70 meshkujve heteroseksualë iu dha për të lexuar një shkrim kushtuar një laureati gay. Pjesa e atyre lexuesve që mësuan për karakteristikat e seksuale të personazhit afër fundit të rrëfimit, treguan më tej një sjellje më mirëdashëse ndaj homoseksualëve sesa ata që e dinin qysh në fillim këtë gjë.

Por në radhë të parë, ka të bëjë shumë edhe ambienti ku jemi duke lexuar. Kështu, është vënë re se kur një person vihet të lexojë një libër në një dhomë të rrethuar me pasqyra nga të gjitha anët, bëhet më i vështirë identifikimi me personazhin kryesor.

Përvoja e ‘përvetësimit’ mund të jetë një mjet shumë i fuqishëm potencial për të ndryshuar sjelljen dhe mendimin e njerëzve në mënyrë shumë pozitive, pohojnë studiuesit, sepse i shtyn ata të afeksionohen me personazhet e një romani, duke u hapur mundësi të reja për të hyrë në lidhje me grupe shoqërore me të cilët në kushte të tjera nuk do të ishin afruar kurrë./albert vataj

Loading...