Bushati: “Opozita, recetë për futjen e Shqipërisë në krizë ciklike”

Ish-ministri i Jashtëm, deputeti socialist Ditmir Bushati ka qenë në Shkodër, qark në të cilin është edhe drejtues politik ku është zhvilluar një takim me Asamblenë e zgjeruar të PS të këtij qarku.

Bushati u shpreh në këtë takim se objektivat e PS janë të qarta dhe se dialogur duhet mbi bazën e disa rregullave dhe parimeve demokratike.

“Ne kemi një qartësi për sa i përket asaj çka ne duam të bëjmë për Shqipërinë dhe për qeverisjen në përgjithësi.

Nuk na intereson klima e acaruar politike, na intereson nuk diskutohet dialogu por ky është një dialog, i cili si në çdo vend të botës duhet të funksionojë mbi bazën e disa rregullave dhe parimeve demokratike”, u shpreh ai.
Bushati deklaroi më tej se zgjedhjet e 2017 u certifikuan nga OSBE-ODIHR dhe se është pa sens të thuash pas 18 muajsh se parlamenti është ilegjitim. Sipas tij kjo është një recetë për ta futur Shqipërinë në një krizë ciklike.

“Dihet që parlamenti doli nga zgjedhjet e 2017-ës, u certifikuan nga OSBE-ODIHR, pra nga një instancë autoritative ndërkombëtare dhe nga ana tjetër ne e dimë, se kemi bërë fushatë këtu, ku zgjedhjet u mbajtën nën drejtimin e një qeverie, e cila në përbërje të saj kishte edhe përfaqësues të PD-së dhe përfaqësues të LSI-së.

Dhe të thuash 18 muaj pasi janë bërë zgjedhjet, se zgjedhjet ishin të njollosura dhe parlamenti është ilegjitim, më e pakta që mund të them është që nuk bën më sens dhe është një recetë për ta futur Shqipërinë në një krizë ciklike”, deklaroi Bushati në Asamble.

Më tej ai shkruan në “Facebook” se është diskutuar për hapat që po ndërmerren për zgjedhjen e ekipeve për zgjedhjet vendore.

“Në takimin e Asamblesë së zgjeruar të PS së Qarkut #Shkodër diskutuam mbi hapat që po ndërmarrim drejt përzgjedhjes së ekipeve fituese për zgjedhjet vendore dhe zhvillimet e fundit politike. Funksioni dhe përgjegjësia politike përbëjnë një sfidë të përhershme për të gjithë ata që marrin mandatin e popullit për të punuar për një të ardhme të denjë dhe të drejtë”, shkruan Bushati.

Ai thekson se tre muajt në vijim janë përcaktues për procesin e shumëpritur të fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE. “Një prioritet ky kombëtar e mundësi për demokratizim të mëtejshëm dhe zhvillim të qëndrueshëm të vendit tonë që nuk mund të shpërdorohet nga veprimet që synojnë deligjitimimin e institucioneve të zgjedhura me votë e të certifikuara nga institucionet ndërkombëtare dhe refuzimi i dialogut si instrument për të tejkaluar vështirësitë politike dhe riparuar mangësitë e jetës institucionale”, thotë ai.-balkanweb

Loading...