KJO E SHTUNË PA TY – NGA PETRO L. SOTTA
Kjo e shtunë pa ty, më duket e trishtuar,
Nga mëngjesi mbase, që erdhi me mjergull,
Tek po rri tek dritarja, po shikoj i menduar,
Një harabel që cicëron, i vetëm mbi pjergull…
Dalëngadalë ditët, më të ftohta po vijnë,
Po më duken të veshura, si me pizhame gri,
Ndërsa netët, më të heshtura po gëdhijnë,
Por, me këto ndryshime, do mësohemi tani…
Të tjera ndryshime, s’po më duken çudi,
Sepse disa vijnë vetë, të tjerat vera i mori,
Do të na vijnë më shpesh, me mjergull e shi,
Por kështu, mbase ka ardhur përherë nëntori…
Kjo pamje e zymtë, s’mendoj se po më vret,
Dhe s’duket i çuditshëm, gjithë ky ndryshim,
Por, një mendim s’më le, ngadalë po më flet,
Për të shtunat që ikin, si avionët në fluturim…
Çdo ditë që vjen, më duket se do vish dhe ti,
S’po më duket çudi, pse kaq shumë të ndjej,
Mbyll sytë e mendoj, që të ndodhë mbrekulli,
Dhe i hap mengadalë, por askund s’të gjej…
Të mendoj gjithmonë ty, si për çdo të shtunë,
Që ikje dhe vije, e unë të prisja, si çdo herë,
Një re malli, ti më sillje çuditërisht tek unë,
Sikur dimër të ishte, më dukej si pranverë.
Petro L. Sota. 10 Nëntor 2018