Shqipëria në sytë e italianëve: Rritje ekonomike dhe boom turistik i pabesueshëm

”Shqipëria ka bërë hapa prej gjiganti drejt konkurencës së lirë ekonomike dhe në 10 vitet e fundit ka një rritje ekonomike që varion nga 3% deri në 5% përqind. Shifra që në Itali ne as mund t’i shpresojmë”, thuhet në një kronikë të emisionit “Porta a porta” në “RAI 1”.

Mbrëmjen e djeshme Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në studion e emisionit “Porta a porta” të gazetarit të njohur italian Bruno Vespa.

Emisioni nisi me një insert të redaksisë, ku u paraqit shkurtimisht historia e 28 viteve të fundit të Shqipërisë, ndërsa u nënvizua edhe boom-i i pabesueshëm turistik i dy viteve të fundit.

Fillimisht inserti solli në kujtesë ngjarjet e vitit ’91 dhe eksodin e shqiptarëve drejt Italisë.
”8 gusht 1991. Në portin e Barit kërkon të ankorohet anija tregtare ”Vlora”. Por, në bord nuk ka mallra, por një ngarkesë me njerëz të djersitur, të ngjeshur, të frikësuar dhe të rraskapitur. Janë 20 mijë burra, gra dhe fëmijë dhe imazhet me fytyrat e tyre të drobitura mbushin edicionet e lajmeve të asaj epoke”, thuhet në këtë kronikë.

Përmes kësaj kronike redaksia e “Porta a porta” paraqet Shqipërinë e dalë prej pak muajsh nga regjimi komunist dhe që ishte e aftë t’u ofronte qytetarëve të saj vetëm destabilitet, dhunë dhe uri””.

“Janë refugjatët e parë që Italia nuk i kishte parë kurrë. Ishin ngjitur në bordin e asaj anijeje pa bileta. Një ditë më parë, me armët nëpër duar kishin detyruar kapitenin e anijes që të largohej nga porti i Durrësit dhe të mbërrinte në tokën të lirë më të afërt që njihnin, ajo që dukej nga dritaret e tyre dhe që premtonte punë dhe mirëqenie për të gjithë, edhe për ta, të detyruar të iknin nga vendi i tyre, Shqipëria, e dalë prej pak muajsh nga regjimi komunist dhe që ishte e aftë t’u ofronte qytetarëve të saj vetëm destabilitet, dhunë dhe uri. Por, ikja do të ishte e shkurtër. Të sapo ardhurit do të grumbulloheshin brenda stadiumit ”Vittoria” në Bari, ku do të furnizoheshin me ushqime dhe ujë, do të rivisheshin me veshje të thara dhe më pas në bordin e 11 avionëve dhe anijesh luftarake, 45 ditë më vonë do të riatdhesoheshin”, vijon inserti.

Por në një distancë prej 28 vitesh, Shqipëria ka një tjetër pamje. “Është një vend që ka marrë rrugën e zhvillimit dhe reformave, që promovon liberalizimin, favorizon nisjen e sipërmarrjes, që thith kompanitë e huaja duke mbajtur të ulëta taksat dhe koston e punës dhe që shpreson fort se ky është objektivi më i madh për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”, vlerësohet në këtë kronikë.

Duke cituar raportin ”Doing Businnes” të Bankës Botërore, nënvizohet se, “për të hapur një dyqan sot në Shqipëri duhen pesë ditë dhe për të regjistruar një pronë duhen 19”.

“Hapa prej gjiganti për një vend ku komunizmi kaloi në mënyrë shkatërrimtare, por që, që nga viti 1990 dhe deri sot në mënyrë të vendosur të shkojë drejt konkurrencës së lirë ekonomike. Sot, një shqiptar nuk ka sytë e dëshpëruar të një refugjati sepse jeton në një vend demokratik, fiton mesatarisht 425 euro në muaj me të cilat jeton në mënyrë dinjitoze dhe ka njohuri të mira të italishtes, çka e bën shumë tërheqës”, vijon kronika.

Vendi i Shqiponjave, vlerësohet se është bërë atraktiv për kompanitë italiane që vijnë këtu dhe që marrin punë mes Tiranës dhe Durrësit, sidomos në sektorin e infrastrukturës, energjisë, turizmit, bujqësisë dhe manifakturës.

“Shqipëria e sotme ka ende shumë hapa për të bërë, duhet të përmirësojë infrastrukturën, të mbështesë boom-in e pabesueshëm turistik të dy viteve të fundit, të luftojë korrupsionin dhe të eliminojë pabarazinë shoqërore dhe këto nuk janë pak. Ekonomia e saj, ndryshe nga shumë të tjera, rritet, me dy shifra gjatë viteve ’90 dhe më pas me një mesatare që gjatë 10 viteve të fundit varion nga tre deri në pesë përqind. Shifra që në Itali ne as mund t’i shpresojmë”, përfundon inserti. /Atsh/

Loading...