Të hënën pasdite kryeministri Edi Rama u shpreh para asamblesë e PS-së së kryeqytetit se nuk kishte asnjë emër tjetër për kandidat për bashkinë e Tiranës përveç Erion Veliajt.
“Është dicka normale. Është një gjë shumë pozitive. Veliaj ka bërë maksimumin e mundshëm për qytetarët.
Jo vetëm ata që e kanë votuar, por edhe ata që kanë votuar PD-në janë të bindur që rikandidimi i Veliajt do të bëjë të mundur që Tirana të ndryshojë akoma më shumë” tha Xhemal Qefalia.
Ndërsa Ulsi Manja thotë se kryebashkiaku meriton edhe një tjetër mandat për të çuar deri në fund punët që ka nisur.
“Jo vetëm e ka përmbushur kontratën katër vjeçare me bashkinë e Tiranës, por e ka tejkaluar atë. Dhe shumë punë të nisura nga Veliaj do të duhet të çohen deri në fund.
Veliaj e meriton plotësisht edhe një mandat tjetër, jo vetëm nga ata që e kanë votuar në mandatin e parë, por edhe ata që nuk e kanë votuar, jam i bindur që do ta votojnë në zgjedhjet e 30 qershorit.
Njerëzit që punojnë edhe gabojnë, por realiteti në Tiranë, jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por përfshirë 24 njësitë administrative, sot punohet gjithkund dhe ka një realitet tjetër”.
Edhe për Klodilta Ferhatin, Erion Veliaj e ka justifikuar besimin. “Puna e zotit Veliaj flet vetë, vlerësohet nga të qytetarë të majtë dhe të djathtë. E ka justifikuar besimin nga PS dhe meriton ta vijojë këtë punë të mirë për qytetarët e Tiranës.
Në kushtet kur qytetarët janë të braktisur, ata që janë të djathtë, nga përfaqësuesit e tyre në parlament. Modeli i punës është ai që të gjithë duhet të ritheksojnë në momentin që do të duhet të japin zgjedhjen e tyre në kutinë e votimit.
Askush nuk është perfekt, vetëm Zoti, Por në bilancin e punëve të Veliajt kemi më shumë anë pozitive sesa gabime”.
“Veliaj ka bërë një punë të jashtëzakonshme, e mbështes shumë kandidaturën e tij. Le t’ia lëmë fundit të marsit zyrtarizimin e tij. Tirana ka një fytyrë tjetër, qasje tjetër, është ndërhyrë në cdo lagje. Mendoj se janë të shumta punët e mira dhe shumë më pak ato që nuk janë realizuar dhe një mandat tjetër do të japë mundësi që Tiranë të ketë një hapje dhe qasje më të mirë për problematikat që nuk janë adresuar në mandatin e kaluar.
Por mendoj që Veliaj është një kandidaturë perfekte për qenë në krye të bashkisë së Tiranës” tha Elona Gjebrea. Megjithatë Veliaj dhe 60 kandidatët e tjerë të PS-së do të duhet të presin kongresin e PS-së së 23 marsit për të zyrtarizuar kandidaturat./Shqiptarja