Rehabilitimi i Gjanicës, fund përmbytjeve, nis betonimi i skarpateve

Rehabilitimi i lumit Gjanica në Fier ka hyrë në një fazë intensive, ndërsa aktualisht po punohet për gërryerjen e lumit dhe betonimin e anëve të tij.

Puna po vazhdon të kryhet edhe gjatë natës për të fituar sa më shumë kohë dhe për t’i siguruar qytetit dhe qytetarëve një lumë të sistemuar dhe një qendër qyteti të transformuar, sa më shpejt të jetë e mundur.

Për Kryetarin e Bashkisë Fier, Armando Subashi, “janë të freskëta situatat kaotike të krijuara nga dalja e lumit Gjanicë prej shtratit, por edhe më të freskëta përpjekjet dhe rezultatet e menjëhershme që u arritën në vetëm në pak muaj punë intensive”.

Tashmë, sipas tij, “është hedhur hapi final, që do t’i dhurojë qytetit lumin e dëshiruar dhe qendrën e tij gjithashtu, duke iu bashkuar hartës së madhe të ndryshimeve në Fier”.

Rehabilitimi i lumit Gjanica që për çerekshekulli ishte kthyer në burim plehrash e përmbytjesh për qytetin e Fierit mbetet projekti më madhor i zbatuar në këtë qytet.

Ndërtimet përgjatë skarpateve të lumit tashmë janë shembur për t’i lënë rrugën zbatimit të projektit që do të ndryshojë dimensionin urbanistik të qytetit.

Projekti për rehabilitimin e Gjanicës synon valorizimin e brigjeve të lumit, përmes gjelbërimit dhe ndërtimit të ndërtesave publike për qëllime sportive-kulturore e të shërbimit dhe rehabilitimin selektiv sipas nevojave, të rrjetit infrastrukturor.

Projekti parashikon sistemimin e ujërave të zeza dhe ujërave të shiut në zonën e shtratit të lumit, rehabilitimin mjedisor të lumit dhe krijimin e një peizazhi rekreativ për shtratin e lumit. Po ashtu, sigurohen rrjete rrugore të mirëlidhura për këmbësorët, hapësira publike dhe në tërësi, një peizazh i përmirësuar infrastrukturor.

Ky projekt parashikon gjithashtu rinovimin e fasadave dhe restaurimin e ndërtesave të përfshira në ansamblin e qendrës së qytetit, ndërtimin e rrugëve për këmbësorët, krijimin e rrugëve të shkurtra të ecjeve në natyrë dhe fasilitete të tjera për këmbësorët.

Lumi Gjanica, dikur një mrekulli natyrore, për shumë vite u keqpërdor nga bizneset, të cilat e shndërruan atë në një vendgrumbullim plehrash dhe hidrokarburesh.

Lumi Gjanica buron nga Mallakastra dhe përshkon qytetin e Fierit. Ai është degë e Semanit dhe buron nga pjesa jugore e malit të Shpiragut, përshkruan gjithë trevën e Mallakastrës, kalon mes përmes qytetit të Fierit dhe derdhet në Seman, në afërsi të Mbrostarit. Gjanica ka një gjatësi prej 42 km.ATSH

Loading...