Besa Shahini uron 7 Marsin: Mirënjohje për sakrificën e mësuesit

Ministrja e Arsimit Besa Shahini, uroi sot mësuesit në gjithë vendin me rastin e Festës së 7 Marsit.

Përmes një videomesazhi, Shahini iu drejtua veçanërisht një kategorie mësuesish që sakrifikojnë duke punuar në kushte më të vështira se kolegët e tyre.

“Ju drejtohem për t’ju falënderuar për punën që e bëni me shumë përkushtim dhe për sakrificën e madhe të përditshme që bëni për arsimimin e brezave të rinj”, iu drejtua Shahini mësuesve në gjithë vendin.

Ajo falënderoi veçanërisht mësuesit e klasave kolektive, që punojnë në kushte të vështira me nxënës të grupmoshave të ndryshme, duke u munduar dhe përpjekur që edhe atyre t’u japim më të mirën.

“Dua të falënderoj mësuesit ndihmës që luajnë një rol të jashtëzakonshëm në jetën e fëmijëve me nevoja të veçanta, të cilët ne duam që të arrijnë potencialin e vetë maksimal brenda sistemit arsimor shqiptar”, tha Shahini.

Një falënderim të veçantë ajo shprehu për mësuesit e gjimnazeve, të cilët sivjet si çdo vit tjetër, kanë punë me maturantët, të menaxhojnë ankthet e tyre jo vetëm për testin e maturës, por edhe për të ardhmen e tyre.

“Ndaj, një falënderim i veçantë për ju. Gëzuar 7 Marsin”, uroi ministrja Shahini./atsh/

Loading...