U zhvillua sot në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj” takimi midis shkrimtarëve nga Ulqinit dhe shkrimtarëve vlonjatë të Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko”

U zhvillua sot në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj” të Bashkisë Vlorë takimi midis shkrimtarëve nga Ulqini i Malit të Zi kryesuar nga Dr. Gani Karamanaga dhe shkrimtarëve vlonjatë të Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko”.

Shkrimtarëve nga Ulqini iu bë një pritje e ngrohtë në Bibliotekën tona nga stafi dhe kolegët e tyre vlonjatë, ku u bisedua për shumëfishimin e bashkëpunimit dhe u shkëmbyen libra të gjinive të ndryshme.

Më pas të pranishmit ndoqën referatet e përgatitura nga autorët vlonjatë për librat e shkrimtarëve nga Ulqini, libra që ishin shpërndarë në fund të muajit janar të këtij viti.

Ka referuar për krijimtarinë e Dr. Gani Karamanagës kolegu Myrteza Mara, i cili në emër të Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” u ka dhuruar shkrimtarëve ulqinakas emblemën e Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko”.

Më pas kanë referuar shkrimtari Eqerem Canaj, poeti Kozma Billa, poetja Rudina Papajani dhe shkrimtari Çlirim Hoxha.

Në emër të delegacionit nga Mali i Zi ka përshëndetur dhe falënderuar për pritjen dhe organizimin Dr. Gani Karamanaga.

Për të pranishmit u shtrua një kokteil.

Më pas miqtë nga Ulqini kanë vizituar mjediset e Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” ku janë njohur me sallat e saj, historikun, fondin e librave etj.

Salla e hartave të vjetra ka qenë ndalesa e fundit e miqve nga Mali i Zi, të cilët kanë ftuar kolegët e tyre nga Vlora që të vizitojnë Ulqinin në muajin Qershor ose Shtator të këtij viti.

Loading...