Edhe pse zërat ishin artikuluar prej ditësh, se deputetja Rudina Hajdari nuk do ta dorëzonte mandatin e deputetes, ajo zgjodhi që këtë fakt ta bëjë publikisht përmes një interviste në “Zërin e Amerikës”. Sipas zonjës Hajdari, dy janë arsyet që e detyruan atë të mos heqë dorë nga mandati, duke përmendur madje edhe destabilizimin e vendit.
“Vendimi për dorëzimin e mandateve dëmton interesat e Shqipërisë, dëmton proceset integruese, por edhe marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Do të zbatoj Kushtetutën e Republikës. Jam vënë përpara një përgjegjshmërie. Duke parë situatën, Shqipëria është në udhëkryq.
Nuk zjedh rrugën për karrierën politike, por rrugën e së ardhmes së Shqipërisë.
Unë mendoj se parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend, u jep oksigjen partive politike, ai është vendi ku ne përfaqësojmë sovranin”, tha Rudina Hajdari.
Duke dhënë shumë arsye për mosdorëzimin e mandatit të saj si deputete, Hajdari përmend edhe vendimin e partisë në të cilën bën pjesë, vendim që e ka konsideruar të nxituar dhe të pakonsultuar me të.
Duhet të jemi shumë të matur para se të marrim këto lloj vendimesh dhe të jemi të kujdesshëm se çfarë mesazhesh ne japim me këto vendime. Ky vendim ka lidhje me Kushtetutën tonë. Unë nuk mund të ndjek dot një vendim kolegjial, që shkon kundër frymës së Kushtetutës së Shqipërisë, kundër interesit të Shqipërisë. Më vjen keq nëse unë zhgënjej partinë time në këtë mes, por unë do të zgjedh interesin e Shqipërisë mbi të gjitha”, tha zonja Hajdari.
Deputetja demokrate, e cila do të jetë në sallën e Kuvendit, foli edhe për përjashtimin nga partia, nëse do të merret një vendim i tillë, si rasti i Myslim Murrizit.
“Unë dua t’i kujtoj Partisë Demokratike se kjo nuk është hera e parë që ajo përjashton deputetë apo anëtarë të saj, madje kanë ndodhur edhe në familjen time, ka ndodhur me tim atë dy herë dhe në të dy rastet ato janë penduar për këto vendime”, tha Rudina Hajdari.