Deputetja Ermina Lekaj Prljaskaj rrëfen peripecitë e shqiptarëve në Kroaci

Ermina Lekaj Prljaskaj prej dy mandatesh është deputete e vetme shqiptare në parlamentin e Kroacisë, por dhe njëra prej 32 femrave të këtij parlamenti prej 151 anëtarësh.

Një shqiptare e thjeshte, gojëmbël, e butë dhe tejet njerëzore. Ndoshta kjo është arma më e fortë e Erminës në atë parlament me dendësi maksiliste referuar shifrave, por me etni të ndryshme jo gjithmonë pro-shqiptare. Megjithatë vetë Kroacia është një ndër shtetet më pro-shqiptare, shtet që e ka njohur ndër të parët Kosovën dhe disa herë është shprehur në mbrojtje të Pavarësisë së saj, ndërsa presidentja e këtij vendi dikur në përbërje të ish-Jugosllavisë Kolinda Kitaroviç, është mjaft popullore dhe super e vlerësuar në hapësirën mbarëkombëtare shqiptare, shkruan “pirustinews”.

Në Parlamentin e Kroacisë, ka vetëm një deputete shqiptare. A ka pasur më herët, apo ju jeni e para?

Jo më herët nuk ka pasur sepse ne jemi një grup i pakicave, se kështu na quajnë ne eks-Jugosllavinë. Në ketë grup pakicave hyjnë maqedonas, malazezë, boshnjakë, sllovenë dhe shqiptarët. Me vite të tëra meqë shumica janë boshnjakë, deputeti ka qenë i grupit që folëm, pra ka qenë boshnjak. Mirëpo me organizimin e shqiptarëve edhe në mandatin e parë dhe tani, kam arritur të fitoj unë mandatin e këtij grupi pakicash.

Cili ishte sekreti me të cilin u arrit që një shqiptare të përfaqësojë këto pakica, kur më shumë në numër janë boshnjakë?

Të them të vërtetën edhe boshnjakët ishin pak ishin zhgënjyer në deputetin e tyre, por edhe pse në mesin e shqiptarëve kemi qenë katër kandidatë, kemi punuar me votues që t’i bindim që të kemi dikë që në shoqërinë kroate të merret me problemin e tyre.

Në gjykimin tënd sa janë të përfaqësuar shqiptarët e Kroacisë përmes jush, dhe çfarë ndikimi pozitiv ka për ta prania jote në parlamentin e Kroacisë?

Së pari mund të them që i kam thyer paragjykimet tek kroatët për shqiptarët, pasi na kanë shikuar si zejtarë e se femra shqiptare nuk ka ndonjë aftësi apo të drejtë, kështu që me ardhjen time në parlament janë befasuar. Kam arrit me ngrit nivelin e aktiviteteve kulturore. Kam lobuar për liberalizimin e vizave dhe pse Kosova ende nuk ka përfituar nga liberalizimi i Shëngenit, është krijuar mundësia që shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë të jenë të barabartë me shtetasit e Kroacisë, përsa i përket punësimit. Ky është një trend i rritjes së punësimit të tyre në Kroaci. Jam e gatshme për çdo bashkëpunim mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.

Këtë vit kemi arritur për herë të parë të që me fakultetin filologjik të Tiranës dhe ambasadën e Kroacisë të organizojmë “ditët e kulturës kroate” ku kemi sjellë në reportazh për Kroacinë, ku shumë studentë dhe qytetarë të Tiranës janë njohur me kulturën kroate. Jam duke organizuar akademi të ndryshme që kanë të bëjnë me forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve dhe kroatëve, për të cilat nuk është folur aq sa duhet. Përsa i përket komunitetit shqiptar të Kroaci jemi duke bërë një organizim pak më të fortë dhe së shpejti do të kemi dy shtëpi të kulturës si prona të tona e që deri më tani nuk i kemi pasur, si dhe do te kemi qendrën kulturore në Zagreb ku jemi duke punuar në atë drejtim. Fillimisht po bindim komunitetin tim mbi nevojën e qendrave kulturore, për të na mbështetur në këto nisma të rëndësishme.

Si një grua shqiptare, si ndihesh në një parlament e vetme nga ky komunitet?

Vërtetë ndjehem mirë sepse kanë simpati ndaj meje. Kanë vlerësuar mënyrat se si i bëj kërkesat me qetësi, pasi nuk jam tip që bëj kërkesa me zhurmë. Por thonë se nga mënyra se si i bëj kërkesat, nuk mund të më refuzojnë.

Sa gra deputete ka ky parlament?

Për fat të keq parlamenti ka një numër shumë të vogël deputete gra. Jemi 32 deputete femra.

Keni ndonjë organizim si gra deputete jashtë partive?

Po kemi organizime, kemi bashkëpunime, shkëmbim të mendimeve. Ajo çfar kam arritur është se kam mësuar kush është fituesi, të bëj koalicion me fituesin e kjo më ka dhënë një përparësi të madhe nga ana e partisë që kam përkrah.

Origjina juaj nga është?

Unë babën e kam të Hasit të Zymit. Nuk e di a kanë ardhur prej Shqipërisë. Unë jam lindur dhe rritur në Prizren, ndërsa nënën e kam të Marmullit të Gjakovës, ardhur prej Spaçit të Mirditës.

Si e keni njohur Mirditën dhe sa?

Unë Mirditën e kam njohur përmes dajës tim i cili më flet me shumë pasion e dashuri për Mirditën. Kështu që unë kam simpati ndaj Mirditës. Herën e fundit kur jam takuar me ministrin e punëve të brendshme të Shqipërisë z. Sandër Lleshaj, me tregon se jam mirditor. Unë i them se edhe unë jam mbesë e mirditorëve. E kuptova më tha me buzëqeshje.
(Balkanweb)

Loading...