Rama theksoi se kjo vizitë vjen në momentin e një arritjeje madhështore historike, siç e cilësoi Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimin e emrit të Maqedonisë së Veriut si dhe nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit në NATO.
“Vini në Tiranë pas një arritjeje historike madhështore që është frut i lidershipit tuaj dhe i lidershipit të mikut tonë të përbashkët, Kryeministrit Cipras, marrëveshjes së Prespës e cila i dha fund një ngërçi shumëvjeçar, hapi rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe çliroi energjinë e madhe pozitive për ecurinë e mëtejshme në rrugën e përbashkët të integrimit në BE”, theksoi Rama, duke shprehur kënaqësinë që Shqipëria si i takonte ishte ndër të parat që ratifikoi protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.
“Për ne Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është thjesht një vend fqinj, por një shtet mik dhe strategjikisht i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm, marrëdhëniet me të cilin kultivohen tanimë përmes parimeve dhe vlerave më të mira që na bashkojnë si dy vende që i përkasin Europës dhe që do të jenë së bashku në tryezën e familjes europiane”, theksoi Kryeministri Rama. /atsh/