“Dita e verës” – Nga Genc Demiraj

Nga Genc Demiraj

Dita e verës…

14 Marsi është dita e verës. Dita ku dimri ja lë vendin pranverës. Nuk dihet , nëse është,dhe ku zë fill kjo marrëveshje ndermjet stinesh, por kështu është…Pranvera i zë vendin dimrit dhe zymtësia e ftohtë dhe e errët, si me magji kthjellohet, çelet dhe gjallërohet.

Gjallërohet gjithshka, jo vetëm atmosfera me qiellin e pastër dhe ditët e gjata por edhe natyra me lulet shumë ngjyrëshe dhe aromën e mirë. Gjallërohet çdo qënie e gjallë, që nga një qelizorët e deri tek shumë trunorët…

Tjetërsohet gjithshka, në formë dhe në përmbajtje…ndaj i gëzohemi kaq shumë kësaj dite, sa që e festojmë plot zhurmë dhe hare me sytë dhe mendjen për ti parë shoshoqit tjetërsimin e madh…
Sot është dita e verës dhe gjithkush nga ne, që pa gdhirë, vrapoi me vrull të pergëdhelej dhe bekohej nga dielli i kësaj dite. Kërkuam me patjetër hajmalitë e kësaj dite ballokumet, revanitë dhe guguveret… i zgjatëm duart pambarim që në kycet tona të kishim sa më shumë guguvere…

U vumë në garë me fëmijët tanë…dhe këta të fundit me prindërit tanë se kush nëpër duar të kish më shumë guguvere, simbolin e verës dhe të gjallërisë fizike !! Të tri brezat qëndruam përgjatë gjithë ditës me duart lartë për guguveret e ndryshimit !

Me duart lartë, për guguveret e ndryshimit, i pamë sot pothuaj edhe të gjithë politikanët tanë…që më shume se nga populli, kërkonin të tjetërsoheshin për fare, të gjallëroheshin për fare…pra të ndryshoheshin për fare, sepse ku i dihej, me këtë ndryshim te madh “stinor” ata nesër mund të jenë edhe deputet “per fare” apo udhëheqësa “për fare”… Ta kish ënda ti shihje burrat e shtetit apo “baballarët e kombit”, të përtëhrirë dhe të gjallëruar sa s’ka më…optimistë për të ardhmen dhe mëkatlarë për të shkuarën. Shëndeverë, buzëqeshur e gojëmjalt. Të begenisur, të fjalosur e punëmbaruar. Të paqtë, të thjeshtë e rogozshtruar…
… Sot është 14 Marsi, dita e verës dhe guguveret e mbarësise i ka kërkuar kushdo…të vegjëlit, të mëdhenjtë, të mirët e të këqinjtë, të larët dhe të palarët, të majtët dhe të djathtët, të kamurit dhe të varfërit, të ndershmërit dhe imoralët, hallexhinjtë dhe kusarët. I kanë kërkuar të gjithë me shpresën biblike të gjallërisë së jetës, që si për çudi në këtë ditë ndodh tek gjithshka, jo vetëm tek atmosfera por edhe tek natyra si dhe tek çdo qënie e gjallë, që nga një qelizorët dhe deri tek shumëtrunorët…

Loading...