Policia e Tiranës finalizon operacionin e koduar “Lapraka”, kapet grupi i drogërave të forta

Pas një hetimi me metoda speciale polica e Tiranës mundi të finalizojë operacionin policor të koduar “Lapraka” në fushën e tregëtimit të lëndëve narkotike, gjatë të cilit u kapën dhe arrestuan në flagrancë 3 persona: A. D., 25 vjeç, banues në Tiranë; A. K., 45 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për vjedhje me armë, me pasojë vdekjen) F. Q., 34 vjeçe, banuese në Tiranë.

Shtetasit e mësipërm kanë qenë në vëzhgim dhe ndjekje nga shërbimet e Antidrogës në funksion të procedimit penal të regjistruar të ndjekur me metoda speciale hetimi, pasi për ta disponohej informacion se në bashkëpunim me njëri-tjetrin tregëtonin në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe ambiente shkollimi droga të forta në formë dozash.

Në rrugën “Teodor Keko” është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke qarkulluar me mjet shtetasi A.D.

Gjatë momentit të ndalimit për kontroll nga shërbimet e Policisë, ai ka hedhur në tokë një qese brenda të cilës ndodheshin 25 doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit heroinë. Duke qenë në kushtet e flagrancës është ushtruar kontroll dhe në apartamentin e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike e dyshuar heroinë, si dhe 20 doza.

Në vijimësi të operacionit janë lokalizuar në rrugën e “Durrësit” dhe dy bashkëpunëtorët e tjerë të tij, shtetasi A.K. dhe shtetasja F.C.
Nga kontrolli fizik shtetasit A. K. iu gjetën dy doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, ndërsa shtetases F.C. iu gjet në çantën e dorës një qese me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:- 51.2 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit heroinë;- 47 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë;- 10.3 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë;- peshore elektronike;- mjet motorr;- aparate celularë; – automjet.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike e kryer në bashkëpunim”.

(BalkanWeb)

Loading...