Bota përkujton 100-vjetorin e përfundimit të LIB

Të paktën 65 liderë botërorë përkujtojnë sot përfundimin e Luftës së Parë Botërore, me një ceremoni në Harkun e Triumfit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe shefat e shteteve dhe qeverive do të jenë në Champs-Elysees pikërisht në momentin kur 100 vjet më parë armët pushuan zjarrin përgjatë Frontit Perëndimor duke i dhënë fund konfliktit mbarëbotëror katërvjeçar.

Më pas do tët mbahet një minutë heshtje për të rënët dhe do të dëgjohet himni kombëtar francez.

Presidenti Macron do të mbajë një fjalim të shkurtër.

Ceremonia do të mbarojë me rindezjen e flakës në varrin e Ushtarit të Panjohur, me vendosjen e kurorave me lule pranë Harkut të Triumfit.

Më pas, pjesa më e madhe e liderëve do të jenë të pranishëm edhe në një forum paqeje.

Lufta e Parë Botërore ishte një aleancë mes Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë dhe më vonë Italisë dhe SHBA kundër Austro-Hungarisë, Gjermanisë dhe Perandorisë Otomane.

Në këtë luftë u përfshinë 40 vende dhe humbën jetën nëntë milionë ushtarë së bashku me miliona civilë./ ATSH

Loading...