Gjykata e Shkodrës ka rikonfirmuar masat e sigurisë, duke dhënë “arrest me burg” për 12 personat e arrestuar si pjesë e një grupi që jepnin fajde me interes që shkonte deri në 20 % në javë. Vendimi nuk u prit mirë nga familjarët e të arrestuarve, të cilët thanë se masa është e ashpër.
Ata u arrestuan në kuadër të operacionit “Maranaj”, me masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë më herët nga gjykata. Të gjithë të akuzuarit kërkuan lirinë.
Skema u denoncua nga ish-prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani. Të përfshirë sipas prokurorisë rezultojnë ish-kancelari i Gjykatës së Shkodrës Artan Dragani, një notere dhe një efektiv policie. Gjatë operacionit u sekuestruan shumë të mëdha parash, prona të luajtshme dhe të paluajtshme.
Skema ishte e tillë që nëse qytetarët ose biznesmenët nuk kthenin shumat në kohë, ata humbnin prona që kishin lënë peng me marrëveshje.
Të arrestuar për skemën e fajdeve në Shkodër: Byrhan Alija, 61 vjeç nga Shkodra, Edi Memçaj, 33 vjeç nga Shkodra, Adri Bala 22 vjeç, nga Shkodra; Artan Dragani 39 vjeç nga Shkodra, Marjan Bregu 31 vjeç nga Shkodra, Vinko Nikprelaj 37 vjeç lindur në Podgoric dhe banues në Shkodër; Eduard Fusha, 38 vjeç nga Shkodra, Elidon Qerimaj, 41 vjeç, nga Shkodra, Pashko Vuksanlekaj, 54 vjeç nga Shkodra; Lul Sylja, 48 vjeç nga Shkodra; Ilir Sokoli Naim Ahmetaj, 52 vjeç lindur në Pukë dhe banues në Tiranë
(BalkanWeb)