Vlorë – Bulevardi “Ismail Qemali” hapësira më e re turistike

Bulevardi “Ismail Qemali” është hapësira më e re urbane e turistike që i bashkëlidhet transformimit papushim në Vlorën e rilindur.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama, ndërsa publikoi një video me pamje nga kantieri i bulevardit “Ismail Qemali”.

Në Vlorë po vijojnë me ritme të larta punimet në bulevardin “Ismail Qemali”, një nga investimet më cilësore dhe të rëndësishme të realizuara ndonjëherë në qytetin bregdetar.

Punimet janë finalizuar tashmë në disa segmente të këtij projekti, i cili ka nisur zbatimin në pranverë të vitit 2018.

Ai financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Europës dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV”.

Në këtë bulevard po rehabilitohet e gjithë infrastruktura nënrrugore, ku janë duke u vendosur të gjitha kanalizimet dhe kanalizime rezervë, për mundësinë e shtrirjes së fibrave optikë, apo investimeve të tjera në të ardhmen duke pasur linja rezervë, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të kenë mundësi që pa dëmtuar infrastrukturën e bulevardit të shtrijnë, si dhe të kenë akses për investime të reja.

Bulevardi “Ismail Qemali” shtrihet nga Vlora në Skelë. Historia e këtij bulevardi zë fill që në shekullin e XIX me një rrugë që lidhte qendrën e qytetin me bregdetin. Aty kalonte edhe një dekovil, që transportonte kripë nga kriporet e Vlorës deri në Port, por edhe udhëtarë, madje deri te tuneli në Ujin e Ftohtë në fillimet e shekullit XX./atsh/

Loading...